Kundër gjenocidit serb

Libra

Kundër gjenocidit serb

Avdulla Kënaçi Nga Avdulla Kënaçi Më 19 gusht 2017 Në ora: 19:08
Perparim Kapllani

Botimi i një vepre letrare në gjuhë të huaj, është një sukses i kulturës shqiptare, aq më tepër që gjuha anglisht sot është bërë një gjuhë ndërkombëtare që e përdorin miliona njerëz në botë. Unë kisha lexuar më parë disa botime të Papit në gjuhën shqip dhe ato më kishin rrëmbyer me subjektin interesant dhe stilin letrar sa të thjeshtë, aq edhe tërheqës. Ai rreket të kapë tema të një interesi të gjerë kombëtar si ato historike me mbretëreshën Teutë, apo me brengën e një emigranti shqiptar nga Camëria që gjithë jetën ia kushton një plani sekret se si të marrë tapitë e familjes së tij të groposura nën pragun e shtëpsë së djegur e të shkatërruar në kohën e maskrave të gjeneral Zervës që vrau, dogji dhe varrosi të gjallë mijra shqiptarë të pafajshëm të krahinës së Çamërisë.

Po cili është Përparim Kapllani, ose Papi sic njihet midis miqsh. Një emigrant i fillim shekullit që jetojmë. Oficer i shkolluar në të gjitha shkallët me rezultate të shkëlyera, njohës i mirë i anglishtes  dhe një ish gazetar i të përditëshmes “Shekulli” në Tiranë. Trup pakët, modest po me sy ngjyrë ulliri që i shkëlqejnë, energjik dhe i papërtuar në çdo  veprimatri të komunitetit në Toronto të Kanadasë. Drejtuesi i aktivitetit apo kryetari i Shoqatës, gjithënjë do të thonë: “Pasi të mbarojmë, ju lutem të shijojmë picat e Papit që si gjithënjë janë falas…” Mendova se ai  i jep falas picat, por jo librat, ndoshta kjo është një mënyrë për të bërë tregëti. Isha i gabuar: Në 50-vjetorin e Ditëlindjes së tij, unë pashë se si të gjitha të ardhurat nga shitja e librave ia dhuroi Shoqatës.

Romanin “Derrat e egër”  ( The Wild Boars) ma dhuroi me autograf,  megjithëse mund ta gjeja edhe në Amazona. E lashë mënjanë për ta lexuar më me nge e me laps në dorë nga se më duhet të jepja një mendim të pjekur e pa u nxituar, kështu do të shprehja edhe unë respektin ndaj tij. Subjekti më befasoi dhe më ngjau si një histori e njohur. Kishte shumë vërtetësi. E them këtë sepse duke punuar në Televizion, luftën e Kosovës e kam ndjekur hap pas hapi. Kam pritur e përcjellë qindra të dëbuar nga trojet e tyre dhe kam dëgjuar në dhjetra intervista in live për përdhunime dhe masakra të papara e të padëgjuara.

Një histori si mijra të tjera. Një fëmijë dhjetë vjec që me sytë e tij sheh se si masakrohet nëna dhe dy motrat e tij prej militarëve serbë. Habia i vjen kur midis tyre ai njeh babain e shoqes së klasës së vet me të cilën ndanin lodrat dhe mësimet. Përse ai kishte kaq shumë urrejtje ndaj shqiptarëve? Përse tinëzisht vret fëmijë dhe gra kur ata prej vitesh jetonin në të njëjtën rrugë, në të njëjtin qytet? Blenin në të njëjtin supermarket dhe pinin të njëjtin ujë.

Pavarësisht hutimit të vogëlushit, si një ushtarak karriere, autori spjegon hollësisht mentalitetin shovinist të militarëve serbë, frymëzimin dhe simbolet që ata mbajnë në zyra, urrejtjen etnike të mbrujtur në mendjet e tyre raciste dhe në fund, spastrimi etnik duke rrahur, përdhunuar e vrarë në masë shqiptarët. Formacionet ushatrake paramilitare, nuk janë spontane, por mjaft të organizuara. Vrasjet dhe përndjeket bëhen natën me një etje perverse. Operacioni “Patkoi” cfarosi mijra shqiptarë të pafajshëm, më shumë se dhejtëmijë. Për të fshehur gjurmët e krimit, forcat ushtarake serbe, policore e paramilitare, dëbuan me dhunë rreth një million shqiptarë duke zhdukur edhe regjistrat e tyre të gjendjes civile që kurrë ata të mos pretendonin të ktheheshin më në Kosovë. Përdhunuan rreth 20 mijë gra e vajza duke përfshirë edhe fëmijë, disa i zhdukën. Mbytën në puse, (bunarë) qindar fshatarë, ekzekutuan pa gjyq dhe mbytën me thasë neiloni qindra të rinj e burra. Vranë në pritë të pabesë 14 burra dhe djem që hynin nga kufiri shqiptar duke i djegur me gjithë pajime. Legjendare është lufta e familjes Jashari në Drenicë duke luftuar me një ushtri të tërë deri sa u shuan 28 burra, gra e fëmijë. Diplomati amerikan William Walker zbuloi në Re ak një varr masiv me 45 burra të ekzekutuar natën e të hedhur në një gropë të përbashkët, 22 kufoma u gjetën në puset e Kotlinës, 53 trupa u dogjën të gjallë në Batajnicë, ndërsa në ujrat e Danubit në një kamion frigoriferik u gjetën 86 trupa shqiptarësh të vdekur, u pushkatuan dhe u zhdukën të burgosurit e Dubravës, rreth 1000 shqiptarë ende nuk janë gjetur as sot, gati pas dy dekadash. Një genocid i pashembullt, ne rikujtuam këtu vetëm disa…Po me sa duket, ngjarja konkrete që ka frymëzuar shkrimtarin Përparim Kapllani, është masakra e Gjakovës e 1 ,2 prillit e vitit 1999, kur fëmijët nga 2 deri në 10 vjec dhe nënat e motrat e tyre të katër familjeve të fshehura në bodrumin e shtëpisë së Lulëzim Vejsit, u masakruan, vranë dhe dogjën të gjallë. Ajo natë në qytetin e Gjakovës mund të quhet si Nata e Shën Bartolemeut sepse vec  këtyre në lagjen e parë u ekzekutuan 60 shqiptarë pa asnjë lloj gjyqi. Nga kjo natë nis edhe aventura e personazhit qendror të romanit “Derrat e egeër”, Drenit 10-vjecar (misheruar tek personazhi Ermal Bllaca) i cili pa si u masakruan dy motrat dhe nëna e tij. Midis kriminelëve të maskuar, ekzekutorë, ai njohu babain e shoqes së vet sërbe me të cilin ishin fqinj dhe ndanin së bashku lodrat dhe mësimet. Si mund të ishte kriminel babai i një ëngjëlli?  Vrasjet e tyre nuk kanë motiv dhe kuptim për vogëlushin. Këtu na vjen në ndihmë komenti i autorit i cili spjegon teorinë famëkeqe të akademikut Cubrillovic i cili ka frymëzuar serbët fanatikë se Kosova është djepi i Sërbisë dhe shqiptarët janë të ardhur, kur hisorikisht është e kundërta.

Lufta me ndërhyrjen e Natos dhe UCK mbaron me kthimin në Kosovë të  shqiptarëve të dëbuar, por Drini dhe i ati i tij përfundojnë emigrantë në Kanada. Aty rritet e burrërrohet ky djalosh që pa vdekjen me sy, por asgjë nuk e ngushëllon Drinin deri sa kriminelët që masakruan familjen e tij janë gjallë. Ai thur plane si të hyjë në Serbi ku ka mësuar se ndodhen të patrazuar e të pandëshkuar kriminelët. Pas një sërë kombinacionesh, ai hyn i maskuar në folenë e tyre në një rezervat gjuetie, (me identitet të rremë serb) njeh kriminelin dhe pret orën e hakmarrjes për të cilën kishte menduar për më se dhjetë vjet. Dhe hakmarrja vjen, mirpo në vend që ai të goditë kriminelin, qëllon derrin e egër që sulmon gjuetarin, babain e shoqes së vet sërbe i cili në këtë rast është pikërisht ai që masakroi. Për lexuesin është e habitëshme kjo kthesë. Drini këtë e bëri se nuk është kriminel, sepse kërkon që ata të bëhen shembull në gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, apo këtu ka di a tjetër…Enigma zgjidhet aty afër fundit të romanit kur ai e gjurmon këtë kriminel gjer në dasmën e shoqes së vet në Australinë e largët. I ndihmuar edhe nga shqiptarë të tjerë, ata e kapin dhe ia dorëzojnë kriminelin drejtësisë Ndërkombëtare.

Gjesti i Drenit (Ermalit) është njerëzor dhe human, ai nuk dëshëron që fëmijët sërbë, qofshin edhe bij kriminelësh të mos pësojnë fatin e tyre. Romani jep mesazhin e madh se shqiptarët janë njerëzorë, humanë dhe vlerësojnë drejtësinë, respektojnë ligjet dhe janë për bashkëjetesë pa cënuar lirinë e tyre. Është debulesa e miqësisë së pafajshme fëminore e një vajze sërbe dhe e një djali shqiptar që triumfon mbi hakmarrjen e egër, mbi primitivitetin dhe trashëgiminë armiqësore që na kanë imponuar armiqtë shekullorë.

Cfarë e bën interesant këtë roman? Për lexuesit mbarë kombëtarë ai është një best seller që paraqet me vërtetësi genocidin serb, mentalitetin e tyre shovinist dhe mizoritë mbi një popull të vogël me gjuhë dhe besim fetar tjetër i cili në shekuj është dhe rron në trojet e veta. Krimi mbi fëmijë dhe gra të pafajshme është kulmi i egërsisë dhe i mizorisë së tyre, frymëzuar nga teori famëkeqe shoviniste. Autori në mënyrë bindëse përshkruan motivet dhe organizimin e tyre ushtarak, masakrat natën dhe urrejtjen shekullore që ata kanë grumbulluar pikë-pikë në shpirtin e tyre të zi.

Përparim Kapllani, duke u rritur vetë si një fëmijë jetim që nga mosha 10 vjec jep mjaft bukur marrëdhëniet babë-bir, bashkëbisedimin dhe kujdesin për njeri tjetrin në emigracionin kanadez. Një baba që mundohet të zëvendësojë me të gjitha mënyrat mungesën e nënës për birin e vet. Ai si një këshillëtar dhe ëngjëll mbrojës edhe aty ku nuk e pret tregon se sa e fuqishme është familja shqiptare, sa solidare dhe njerëzore. Kjo dukuri vihet re edhe në korrelacionin midis shqiptarëve emigratë dhe lidhjen e fuqishme me Kosovën dhe Shqipërinë, dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat shekullore që na kanë mbajtur gjithënjë të bashkuar. Shqiptarët janë një popull i vogël në Jug të Europës, por mjaft vital, krijues dhe krenarë për kombësinë e tyre.Romani ka vlera njohëse edhe në këtë drejtim.

Pas leximit të këtij romani, me përshtypjet më të mira, u nisa në picerinë “Albania” për t’i shprehur mbresat e mia ballë për ballë e sy më sy. E gjeta me lehtësi “folenë” e tij nga se që larg dukej flamuri shqiptar. Ishte mëngjes herët kur ende ka fare pak klientë. Dera ishte e hapur dhe asgjë nuk pipëtinte. Zgjata kryet pas banakut dhe përpara kompjuterit pashë autorin e romanit. Më ofroi një karrike. Nisëm bisedat jo për picat, por për letërsinë dhe pikërisht për romanin “ The Wild Boars”…

- Sigurisht që romanin e ke shkruar në shtëpi?

- Jo, këtu, tek kjo kthina e vogël.

- Si ka mundësi?

- Këtu unë punoj 16 orë, kur nuk ka klientë, shkruaj….

Shikova rrotull. Një kamera sillte pamje nga dera e lokalit dhe një tjetër nga tavolinat. Djathtas një pirg i madh  me libra gati në të rrëzuar, pjesa më e madhe letërsi në gjuhë anglisht. Cudi, ku e gjen ky njeri trupvogël gjithë atë energji për të mbajtur gjallë e më këmbë picerinë “Albania” dhe letërsinë artistike që endet sa nga Camëria në Luginën e Preshevës…

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat