„Nga sirtari i kujtimeve“, të Seli Muratit

Libra

„Nga sirtari i kujtimeve“, të Seli Muratit

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 30 gusht 2017 Në ora: 12:31
Ballina e librit të poetes Seli Murati

Ndjeshmëria ndaj realitetit kulturor në Mërgatë, kilometrat e largët përtej oqeanik, janë uni lirik i poetes, teksa përmes lirikash, ku malli, dhembja, loti, dashuria tërë ekzistenca e qenies, reflektojnë në atë se poezia është prurje frymëzimesh që kanë të bëjnë me thelbin e jetës

Në Tetovë para dashamirëve të shumtë të librit u bë perurimi  i vepres me të re  të vëllimin poetik  me titullin “Nga sirtari i kujtimeve” të autores Seli Murati. Në recesionin dhe diskutimin që u zhvillua rreth promovimit të këtij libri gjejmë përhedhje ndjesish, frymëzime përmbushjesh metaforike e shprehje emocionesh që e plotësojnë përgjithësisht veprën. Me këtë vepër, jo vetëm që janë tejkaluar emocionet e botimit të veprës së parë “Pikëllimi i ëndrrës”, por poetja vjen më e konsoliduar për të qenë në vazhdimësi në sfida të reja me poezinë, ndjenjën dhe aktin e shkrimit deri në botimin e këtij vëllimi poetik. Kjo poete  para katër vjeteve e ka botuar vëllimin “Pikëllimi i ëndrrës”, të cilin sipas një recensionit të prof.dr. Zejnepe Alili Rexhepi, duke u bazuar në përmbajtjen e vargjeve, e cilësova si një diagonale lirikash “Frymëzime, midis Ohrit dhe Torontos”. Libri “Pikëllimi i ëndrrës” ndonëse libri i parë i saj, e nis udhëtimin magjik të jetës, mbi imazhet blu të një shpirti të ngujuar, midis një dashurie këtej dhe matanë Oqeanit, por që gjithsesi ecejaket më të sigurta do t’i ketë nëpër shtigjet e vendlindjes. “Nga sirtari i kujtimeve” është vëllimi i dytë i poetes. Pra, pas botimit të veprës më para karët vjeteve, ajo erdhi me këtë vepër prej disa dhjetëra lirikash, gjë që gjatë redaktimit edhe më asoconte në vetë titullin “Lirikë malli”, mirëpo derisa poezitë, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë forma shkrimore kujtimesh, më i përshtatshëm e më domethënës, në harmoni me përmbajtjen e poezive, më dukej titulli “Nga sirtari i kujtimeve”, ku janë vendosur prurje frymëzimesh, që në formë përshkruese e meditative i japin formë vargut të saj.

Libri  i parë i saj “Pikëllimi i ëndrrës” e nis udhëtimin magjik të jetës, mbi imazhet blu të një shpirti të ngujuar

Ndjeshmëria ndaj realitetit kulturor në Mërgatë, kilometrat e largët përtej oqeanik, janë uni lirik i poetes, teksa përmes lirikash, ku malli, dhembja, loti, dashuria tërë ekzistenca e qenies, reflektojnë në atë se poezia është prurje frymëzimesh që kanë të bëjnë me thelbin e jetës. Andaj, pas leximit të dorëshkrimit, si dhe pas një analize më të vëmendshme gjatë redaktimit, më dukej se vetë thelbi i poezive, si dhe boshti tematik ta impononte titullimin e librit “Nga sirtari i kujtimeve”. Në mjaft poezi, ëndrra është bartëse e jetës, është ndërlidhje e reales me imagjinaren... Ëndrra e poetes, në vazhdimësi, është referenca e shtytjeve jetësore.

Përgjithësisht, vëllimi është shkruar në formë e lirë të vargut poetik, gjë që edhe e lehtëson shprehjen e ndjesive, fjalëve dhe përjetimeve më lirshëm. Mirëpo, kombinimi strofik brenda poezisë, i jep natyrshmëri vargut dhe origjinalitet frymëzimit të poetes. Pra, vetëdija e reflektuar në formë vargjesh, me gjuhë metaforash e antiteza shpirti pasqyron gjendje e përshkrime që arrihen përmes rrëfimit lirik të poetes Seli Murati. Konstruksioni logjik i paravënë në funksion estetik, si përvojë e realitetit mbi botën, si pararojë e asaj që imponon jeta, është ideja mbizotëruese e poetes për të ofruar një libër vlerash. 

Formësimet poetike në “Nga sirtari i kujtimeve” janë si “perspektiva individuale”, në të cilat fare natyrshëm skicohen ndjeshmëritë mbi botën e vëmendshme të vetë perceptuesit dhe narratorit, pra poetes. Poetja, del si përkapëse dhe transmetuese e tyre. Në përshkrime situatash, dialogu a përsiatjeje, poetja krijon me zë më të thekshëm, shpreh mllef e ironi, por që edhe këto vijnë dukshëm konform natyrës së saj të butë, prej individidi të qetë e të arsyeshëm për për faktin që jeta ka mjaft sfida dhe nganjëherë këto domosdoshëm duhet pranuar. Fjalori i përzgjedhur gjithsesi e bën të mundur konsolidimin ideor e emocional të krijueses, në harmoni tërësore me heroin lirik, që zakonisht del në vetën e parë. Poetja, shkruan me një gjuhë të bukur edhe për vetë faktin që është e lindur në Strugë, e rritur dhe e shkolluar në Ohër, gjë që i jep një gjuhë të pastër, si një shkrirje midis dy dialekteve tona, ndonëse vitet e shumta të jetuara në Toronto nuk e kanë zbehur këtë gjuhë, por vetëm se e kanë plotësuar me një butësi akoma më të këndshme. Kështu, libri “Nga sirtari i kujtimeve” nuk mbetet vetëm brenda strukturës e trajtave të ngurta sintaksore, por si formë poetike njeh edhe përthyerje vargëzimesh e formash të ndryshme, ku më i theksuar mbetet përdorimi i vargut të lirë. 

Poetja,  si përkapëse dhe transmetuese e tyre

Sa i përket shtrirjes tematike, sikur i qëndron besnik motivit të dashurisë, megjithëse një sasi poezish janë edhe ndikim meditativ e atdhetar, veçmas dy a tre dedikime ndaj dëshmorëve shqiptarë nga Lufta më e re në Kosovë. Nuk është as më pak i vëmendshëm edhe në disa poezi biografike, ku shpalos realitetit, ku përshkruhet e kaluara si në miniaturë, por skicime këto të mjaftueshme, për të depërtuar në thelbin e individualizimit poetik.

Megjithëse, në këtë vepër janë përfshirë vetëm poezi për të rritur, ishte tejet befasuese prerje tematike, që bën poetja, ku në mes të vëllimit shton një poezi kushtuar Andrës, sime bije, gjë që e përkap si një frymëzim ndryshe, respektivisht huazim pamjesh nga një fotografi e realizuar krejt spontanisht nga fotografi Dritan Abdiji. Është një moment, kur Andra, në dalje nga Universiteti i Tetovës (pas një vizite në zyrën time dhe të bashkëshortit), mban në duar një libër, është realizuar ky imazh, dhe natyrisht këtë e zbukuron, mosha e saj e vogël, gjë që këtë e kthen në një mesazh për perspektivin e librit. Pra, nga ky imazh i Andrës, dolën edhe vargjet e poetes, po për librin dhe dashurinë ndaj librit, e vendosur në faqe 71, e titulluar “Libri shoku më i mirë” me dedikimin “Për të bukurën Andra” (shoqëruar po me atë fotografi që theksuam më lart). Pason poezia “Zemër”, gjithashtu një dedikim i veçantë për Nënën e poetes, si dhe dy poezi përkushtuese dëshmorëve nga Lufta e Kosovës (1999).      

“Nga sirtari i kujtimeve”, formësohet mbi frymëzime të bukura aktuale dhe të një të shkuare rinore, të asaj bote ëndërrimtare që fanitet në mijëra nuanca fosforeshente, të shpërndara si rrjet dëshirash nëpër rrugët e filozofitë e së ardhmes, por ku si thesar më i çmuar ruhen kujtime të pragut të vjetër, megjithëse aty edhe njeh ndonjë sakrificë. Pikërisht kjo është filozofia e jetës, t’i sfidosh sakrificat për të ndier çastet nuancore të hapave, herë të lehtë, herë të vështirë, por sidoqoftë ata duhet të jenë gjurmëlënës në ecejaket tua. Atëbotë, poetja me peshën e fatit përvijon gjurmët e jetës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat