Edhe ne shqiptaret kemi histori, kulturë, trashëgimi civilizuese

Libra

Edhe ne shqiptaret kemi histori, kulturë, trashëgimi civilizuese

Nga: Hasan Hasanramaj Më: 19 tetor 2017 Në ora: 11:23
Kopertina e librit

Ne shqiptaret jemi ata që trashëguam shumëçka nga e kaluara jonë e begatshme, prandaj obligimi i yni moral e kombëtar   është që t’i  vjelim, t'i shënojmë, t'i studiojmë vlerat tona të mirëfillta me qëllim që të tjerëve t'ua themi dhe tu tregojmë  në botë se kemi  një histori, një kulturë, një trashëgimi  të civilizuar.

Këto ditë doli nga shtypi dhe u promovua librit  me titullin “Këngët e dashurisë në dy anët e majës së “Marjashit” të autoreve Sokol Halitit dhe Shefqet Mehmetaj. Në fjalën e  autorin librit - në mes tjerash mësuam se:” Dashuria, siç dihet, është ndjenjë e fuqishme dhe e thellë pëlqimi, dashamirësi a adhurim për dikë a diçka, që na lidh ngushtë me të, ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër për një njeri të seksit tjetër, miqësi e thellë dhe e çiltër. Pra, dashuria është prirje e brendshme që na tërheq shumë dhe pas së cilës jepemi me dëshirë e me kënaqësi të veçantë kur e duam një njeri me gjithë zemër kushtua  vajzës apo-djalin- dashuria, kjo ndjenjë e fuqishme, e njërit person ndaj personit tjetër të gjinisë së kundërt lind, rritet e zhvillohet gjatë gjithë jetës së njeriut. Kështu, dashuria pothuajse në të gjitha kohët është shfaqur përmes këngës. Në këtë rast, kemi të bëjmë me këngët e dashurisë, të cilat në popull njihen: "Këngët e dashurisë ".

Të lindur e të rritur në Rrafsh të Dukagjinit, kemi pasur mundësinë- na tha në vazhdim të fjalës së tij autori i librit- Sokol Halili  t'i dëgjojmë, ti mësojmë dhe t'i këndojmë këngët e dashurisë  të kësaj treve. Këto këngë janë krijuar a kënduar kryesisht në Rrafsh të Dukagjinit, në Malësinë e Gjakovës, në Nikaj, në  Mertur e deri në Shalën e Dukagjinit si Malësi e Mbishkodrës. Këto këngë janë kënduar së shumti në bjeshkët e fshatit  Isniqit dhe bjeshkëve tij në Roshkodol, në Mylyshec, në  Zllanopojë, në bjeshkë e Junikut, në fshatrat Prilep, Lumbardh, Baballoq e deri te Bjeshkët e Thata dhe në një pjesë të Bjeshkëve të Rugovës. Po këto këngë janë kënduar edhe në bjeshkët e Sulbicës, Koshuticës, Dobërdolit, që sot janë në territorin e Shqipërisë. Pra, këto këngë të kënduara në të dy anët e Majës së Marjashit janë krijuar e kënduar nga krijuesit anonimë, që kanë lënë gjurmë në trashëgiminë tonë popullore, bartur brez pas brezi.

Këngët e dashurisë që kryesisht janë krijuar e kënduar nga barinjtë  në bjeshkë dhe vërri, janë kënduar edhe nëpër oda burrash, pa praninë e gjinisë femërore në raste fejesash e dasmash, gazmendeve të tjera. Këto këngë, nëpër oda të kullave, janë kënduar kryesisht nga këngëtarët më në zë, kryesisht në orët e vona  të natës pas këngëve të bujarisë, trimërisë, mirëqenies e atyre me temë sociale. Karakteristikë e këtyre këngëve është vargu që fillon me togfjalëshin "Moj e mira," nga djali bari, duke përdor sa e sa figura stilistike të duar duart që i drejtohet vajzës. Në këto këngë, të mbledhura në këtë trevë të Dukagjinit, jemi munduar që t'u mbesim sa më autentikë këtyre krijimeve popullore.

Dashuria në të gjitha kohët është shfaqur përmes këngëve te lirikës popullore

Redaktori i këtij librit Sabit Jaha në fjalën e tij kushtua  promovimit të këtij librit në mes tjerash tha:” Hulumtimet e deritashme në studimet e gjithanshme të folklorit tonë popullor, përkatësisht në lirikën popullore, të dashurisë, kanë sjell një trashëgimi të begatshme të këtyre këngëve që në popull njihen si: këngë  sevdaje, lezeti, këngë të gryta , këngë të buta, këngë jaranisë, këngë çobanësh, këngë  nën krah, këngë të larme, këngë  bylbylash etj të cilat fillojnë  me sintagmën "Moj e mira".

Autori anonim - krijuesi apo këngëtari popullor në të gjitha këto këngë lirike të dashurisë shfaq dashurinë ndaj gjinisë, djali –vajzës apo vajza-djalit; çobani-çobaneshës; djali – çikës, nuses, në oborr, te kroi në mal, në shpat, në fushë, te blini, te molla, te dhentë, te dhitë, te shkallët, te lama, te veku, te stani, në ortek të borës, te qilari, në derë të shtëpisë, duke mbledhur sanë, në bahçe, me flokë mbi krah, me dy shamia, duke shkuar përpjetë, duke shkuar për të mbushur ujë, duke dalë ne bokë, etj., që shpërfaqet ajo  e mira me këmbë të trasha, e zeshkët, e bukur dhe taze, si pëllumbi, qerpikë me rremba, e hollë dhe e gjatë, sytë e zi etj. etj, ku dy mbledhësit dhe këngëtaret e pasionuar të folklorit tonë popullor, Sokol Halili  dhe Abudallah Mehmeti poet e rapsod dhe Shefqet Mehmetaj këngëtar e rapsod na dhuruan këtë përmbledhje të këngëve të dashurisë me një titull të veçantë dhe karakteristik "Këngët e dashurisë në dy anët e majës së Marjashit", kënduar në vende rurale kushtua bjeshkëve të  Rrafshin e Dukagjinit: Roshkodol, Mylyshec, Zllonopojë, Dobërdol, Koshuticë, Sulbicë dhe në bjeshkët e Junikut, Strellcit, Prilepit, Bejlegut, Baballoqit, Lumëbardhit dhe në një pjesë të Rugovës. 

Lirika popullore shqiptare e dashurisë, e përmbledhur në këtë vëllim të titulluar "Këngë dashurisë në dy anët e majës së Marjashit" është një lapidar kulturor i trashëgimisë kulturore kombëtare, që u ruajt brez pas brezi ndër shekuj, për të mos u harruar dhe humbur si shumëçka tjetër për shkaqe e rrethana të njohura.

Intuita e këtyre dy artdashësve të pasionuar të folklorit tonë dhe përkushtimi i tyre i pashoq bëri të mundur që këto thesare të popullit tonë  në trevën e Rrafshit të Dukagjinit me rrethinë janë përmbledhur në këtë vëllim ashtu siç u krijuan dhe u kënduan denbabaden nga banorët e kësaj ane, trashëgimi kjo që u bart brez pas brezi.

Motivi i dashurisë, si lajtmotiv i këtyre këngëve lirike, krahas motiveve të tjera, shquhet për figurat stilistike, ku autori anonim  ndonëse i pashkolluar diti me mjaft mjeshtëri t'iu jepe gjak e  gjallëri  të  ndjenjave ndaj femrës, vajzes,  nuse, gruas me çdo kusht për të arritur qëllimin, për ta përvetësuar, qoftë edhe duke e rrezikuar edhe veten, duke pranuar edhe të flijojë veten, me çdo kusht, pa kurrë një dyshim a mëdyshje në një formë a mënyrë tjetër, për të vetmin synim – për të arritur përvetësimin e zemrës së saj. E mira, e bukura, e dheut, së cilës i këndohet pareshtur ku ajo del: te lama, te shpati, te kroi, te lëndina, te livadhi, te molla lalçe, qoftë me dhen, me dhi, gjë që ajo me a bukura ndër me të bukurat e dheut, e cila dashnorit ia ka marrë mëndët, e ka mahnitur dhe përvetësuar pafundësisht me bukurinë dhe virtytet e saj, gjë që i dashuruari njeh dhe dashuron vetëm Atë njeri, së cilës fill e mbarim i drejtohet me sintagmën "moj e mira." Jemi ne sot këta që trashëguam shumëçka nga e kaluara jonë e begatë, prandaj është obligim yni moral e kombëtar që të vjelim, t'i shënojmë, t'i studiojmë vlerat tona të mirëfillta me qëllim që të tjerëve t'ua themi se edhe ne shqiptaret kemi histori, kulturë, trashëgimi civilizuar,  si shumëkush tjetër në botë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat