Shpirti shqiptar i një poeti të mirëfilltë

Libra

Shpirti shqiptar i një poeti të mirëfilltë

Nga: Baki Ymeri Më: 31 tetor 2017 Në ora: 20:48
(Xhemajl Rudi, Vjeshtë në dritaret e Anës, Amanda Edit, Bukuresht 2017)

Poeti vjen nga largësia apo nga tanishmëria prezente dhe shkon në ardhmëri nëpërmjet gëzimeve e shqetsimeve dilematike të fiksuara nga historia. Që të mos mbetet i vetmuar, atë e lexojnë, e inkurajojnë, e ndjekin dhe mbështesin njerëzit që gjatë kësaj rruge t’u bëjë ballë rreziqeve, duke i dhënë impuls për të vajtur nga drita në dritë. Poeti është prezent në destinet e atdheut dhe ai ndikon që jeta të përfitojë kuptim në hipostaza të ndryshme. Për çdo ditë, duke u ngjitur, ai afrohet pranë zhurritjeve të mëdha bashkëkohore, duke mbajtur shëmbëlltyrën e botës së ëndërruar përmes kohës së tij, duke qëndruar kështu në ballë të turmave, njësoj si dëshmorët e kombit. Pa poetë dhe pa heronj, historia duket e ftohtë.

I këtillë duket edhe autori që kemi zgjedhur për rikëndim në gjuhë të huaja, poeti Xhemajl Rudi, poeti i natyrës shqiptare, pronar i një imagjinate të bujshme dhe diskursi të përsosur poetik. Ja disa sintagma joshëse dhe interesante: Lumturia është vetëm një lot i çastit, Dëshirat e çmendura, Në kohën e fundit kemi filluar të qeshim pa dashje, Si mund të vdesë kënga e poetit, Lëvizjet rrjedhin në shtigjet e  fjalës, kurse në pikëllim është loja e jetës, Bregu i fjalës në bregun e shekujve, Lugina e harrimit, Pema e mbrëmjes kur hëna buzëqesh në dritaren tonë, Bregu i blerimeve, Stina e flijimeve kur nata fundosej te kandilat e dritareve, Tingujt e heshtur dhe heshtja e heshtur, Në pranverën e zemrës sime me peshën e rëndë të natës…

Xhemajl Rudi ka një stil të veçantë, të drejtëpërfrejtë, pa u fshehur në shpinë të fjalëve. Lirika e tij është shprehja konkrete e një realizmi të qartë, të kapshëm dhe të mirëseradhur. Një lirikë komplekse, e guximshme, pa paragjykime, e kuptueshme, mbresëlënëse dhe e ndjeshme. E injoron konzervatizmin dhe e përshkruan jetën në kuptimin  pozitiv, pa u ndarë nga vendlindja, pa i harruar të parët tanë, apo ëndërrimtarët e pavdekshëm (Lasgush Poradecin, Migjenin, Dritëro Agollin etj.). Ja një varg që meriton të mbahet mend: “Pranë Lasgushit janë ëndrrat magjike// E këngët e tij prej motesh shkrepin nën yje/ kur zgjohen gjithë bukuritë e tokës e të qiellit bashkë“ (Shtatorja e fjalës).

Poeti ëndërron për një mot të madh e të mbarësuar me „Diellin që përsëritet mëngjeseve,/ luleborën duke e kërkuar,/ rrezet pastaj fillojnë e zbehen,/ pas tyre vërehet një pëllumb duke fluturuar.“ (Me syrin tim shikoj). Në vargjet e tij, të shkruara me zërin e zemrës, zotëron natyra, optimizmi, shpresa, ëndërrimi: „Pranë bukurive jemi gjithmonë/ nesë i shohim me syrin e zemrës/ me to flasim me to jetojmë/ si ëndërrime mes kopshtit me mollë“ (Nëse). Tek-tuk zotëron lirika meditative e gërshetuar me filozofinë e jetës. Hija e heshtjes është një nga vjershat më të bukura të autorit: “Ai hesht në heshtjen e tij/ hesht në hijen e heshtjes/ hesht në fjalën e pathënë/ hesht kur këndon si këngëtari i kohës nën tingujt e heshtjeve“. Apo: „Zgjohu o i përgjumur/ në paraagimet e shekujve të errësirave/ dashuro si dashurohet në hijen/ e një hëne që duket dhe fshihet matanë“ (Zgjohu).

Natyra, respektivisht ambienti dhe dashuria zënë vend elementar në lirikën e Xhemajl Rudit: „Në mëngjes shtrihej drita/ Në ftyrën e saj/ Dhe pas saj shtrihej hija e tij/ E gjatë sa dita e plotë e buzëmbrëmjes„ (Në agun e ri). Apo: „Ti këngët i këndoje si pasionet e jetës/ aty ku ishte dashuria e vjetër dhe sublime/ aty ku ndizej kandili në përmasën e shtegut të saj/ më pas dëbora të dëbonte në ngricat e fjalëve të zemrës“ (Ëndërrime). „Nga fjala mund të dalë një bekim/ Nga fjala mund të çelë një trëndafil/ Nga fjala mund të lindin yjet që shkëlqejnë më shumë se dielli“ (Flatrat e fjalës). Siç duket, për këtë krijues të talentuar të diasporës sonë, investimi më i madh vjen nga shpirti. Është shpirti shqiptar i një poeti të mirëfilltë që meriton të depërtojë në bibliotekën e zemrave tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat