Tetori-muaj promovimesh letrare në Shkodër

Libra

Tetori-muaj promovimesh letrare në Shkodër

RAMAZAN ÇEKA Nga RAMAZAN ÇEKA Më 1 nëntor 2017 Në ora: 14:52
Promovimi i librave

Në Bibliotekën Publike "Marin Barleti", Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës organizoi promovimin e katër librave ''Leila Akuzon'', "Xhihadistët e rinj", "Nën hijen e diktatorit", si dhe të fjalorit gjermanisht-shqip të përkthyesit nga gjermanishtja, shkrimtarit Leke Imeraj dhe bashkëshortja e tij Gudrun Imeraj.

Në këtë promovim ishte një auditor i përzgjedhur me shkrimtarë dhe studiues, anëtarët e shoqatës, miq të autorit dhe u diskutua për vlerat ideo-artistike, historike dhe mesazhet që përcjellin këto libra.

Kryetari i shoqatës, shkrimtari Skender Temali, pasi bëri profilin krijues të autorit, në emër të anëtarsisë i akordoi çertifikatën e mirënjohjes, të cilën Lekës ia dorëzoi shkrimtari dhe dramaturgu i shquar "Mjeshtri i Madh" Fadil Kraja. Edhe si mik i Imerajt ai e pasuroi profilin e tij krijues, ku ndër të tjera tha: "Ky shkrimtar dhe erodit që u prezantua sot para nesh, mund të themi se ka tri pasaporta, natyrisht pasaporten e atdheut të tij, atë të shtetit të madh gjerman, por mbi të gjitha të njeriut të shquar të letrave. Prandaj i urojmë suksese atij dhe bashkëshortes së palodhur. Mirse erdhët në Shkodër"!

Interpretimi i aktores së mirënjohur të teatrit "Migjeni", Rajmonda Marku, solli emocione tek të pranishmit në atmosferën e recitimit të disa fragmenteve nga romani "Lejla akuzon".

Më pas, rreth librave të përkthyer nga gjermanishtja me bashkëautorësi Gudi e Lekë Imeraj mbi foljet e gjermanishtes në kontekst, diskutuan: poetja Arjola Zadrima, Alfrida Gëzim Uruçi dhe Kozeta Bruçi, e cila me figurën e saj autoritare dhe të denjë si një artiste ishte edhe moderatore e veprimtarisë.

Autori, në fund falnderoi të pranishmit e shumtë për pjesëmarrjen, diskutimet e mendimet që dhanë dhe foli për planet e tij krijuese. Mirënjohje ai tregoi edhe për miqtë nga vendlindja e tij Lekbibaj, Tirana e Tuzi, veçmas birin e Shkodrës, shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur Bedri Zenel Islami, anëtar i shoqatës, i cili ashtu si Leka krijon e jeton në Gjermani, të cilin e njeh Kombi, Europa dhe Amerika, si Gjeniu i Lirisë së Kosovës.

Vlerat e një qyteti arrihen pikërisht nga njerëzit të cilët kontribuojnë me mendjet e tyre të ndritura dhe dhurojnë diamante të perjetëshme.

Edhe unë si autor i këtij shkrimi e përgëzoj perkthyesin dhe njëherësh shkrimtarin Leke Imeraj dhe shpreh bindjen se veprat që ai ka sjellë, jo vetëm tani, por edhe ato gjatë viteve të kaluara i përshtaten më së miri realitetit këtu dhe e ndihmojnë lexuesin të gjejë rrugëdaljet e problemeve të tij dhe shoqërisë shqiptare.

Kjo stinë vjeshte, ashtu siç ka prodhimtari në natyrë, mund të themi në mënyrë simbolike, kishte edhe një prodhimtari të madhe artistike e letrare në qytetin e Shkodrës, jo vetëm nga autorë të këtij qyteti, por edhe nga ata që janë larguar në emigrim, por që veprat e tyre kanë dëshirë t'i promovojnë në atdhe e aq më shumë në Shkodër.

Kështu ky aktivitet me veprat e Leke e Gudrun Imeraj janë vazhdim i promovimeve të poetit dhe publicistit Prel Milani dhe dy autorëve shqiptaro-amerikan Rush Dragu dhe Shyqyri Mollaj.

Gjithë këto veprimtari janë meritë e Shoqatës së Shkrimtarëve të qytetit të Shkodrës me drejtues shkrimtarin e palodhur Skënder Temali, por edhe e tempollit të librave, Bibliotekës "Marin Barleti" me drejtues z.Gjovalin Çuni.

Të pranishmit vlerësuan punën e palodhur të autorit dhe në përfundim të këtij aktiviteti, Gudi dhe Lekë Imeraj shtruan për të gjithë të pranishmit një kokteil në ambientet e Bibliotekës "Marin Barleti".

Kjo veprimtari e u pasqyrua nga të gjitha stacionet televizive lokale.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat