Adem Zaplluzha dhe lirika e tij patriotike

Libra

Adem Zaplluzha dhe lirika e tij patriotike

Nga: Baki Ymeri Më: 4 nëntor 2017 Në ora: 11:49
Adem Zaplluzha

Po qe se e analizojmë veprën e Adem Zaplluzhës nga perspektiva e historisë letrare, duke patur parasysh kriteriumet kronologjike, konstatojmë se poeti digjet për komb e atdhe. Procesi krijues implikon një gamë gërshetimesh me përfytyrime dhe tinguj. Poeti i zërit të zemrës na jep një poezi të çiltërt dhe të qartë. Në vargjet e tij nuk mungojnë sintagmat e mveshura me bukurinë e fjalës së shkruar. As tropet, as metaforat, as krahasimet dhe figurat tjera stilistike nuk mungojnë: “Lumenjtë e tharë lulëzuan gurë të murrmë/ Asnjëherë më stinët/  Nuk u ngjanin / Stinëve në tokën e djegur të Arbrit” (Nëpër fshatra burrat i grithnin fytyrat).

Duke qenë i kujdesshëm ndaj procesit universal, lirikën patriotike poeti e gërsheton edhe me intonacione të dashurisë, një dashuri e çiltërt ndaj familjes dhe atdheut: “Mos qaj vetëm sonte/ Kur duhet ta festojmë fitoren/ Më të madhe në tokën tonë / Treguam / Dhe ua thyem dhëmbët e armikut” (Mos qaj sonte). Apo: “Nëpër fushëbeteja/ Pamë kuaj të ngrirë e kocka njerëzish/ Pamë edhe flamujt e përdhosur/ Armiku kishte ikur para agimit” (Vigmat e trishtuara të ikonave). Ja edhe një dëshmi konkrete, lirike dhe patriotike: “Atdheu në udhëkryq/ Shtatë rrugë shtrihen si të vdekura/ Në dy gjunjë vajtojnë lisat/ Derrat e egër/ I zhveshën rrënjët e tokës” (Derrat e egër).

Adem Zaplluzha nuk ngutet dhe nuk i përsërit gjërat. Ai krijon vargje për lumturimin e shpirtit dhe të kujtesës sonë historike: “Pritëm edhe dy mijë vjet/ Nëpër murishta të shembura/ I shëmbëllenim Krishtit/ Asnjë pikë gjaku nuk rrodhi/ Damarëve të venitura të tokës/ / Për mrekulli e mësuam artin e heshtjes/ Durimin e patëm nënë e tatë/ Na i vranë pëllumbat në fluturim/ Në jetën tonë të pa përjetuar/ Asnjëherë më nuk patëm gëzim” (Hyji e dërgoi Gjergjin). Autori nuk hesht por vazhdon të shkruajë me zjarrin e fjalës dhe zërin e zemrës. Tejet interesante e të frymëzuara janë edhe vargjet e strofës së fundit të kësaj vjershe me vlerë të veçantë: “Dikur vonë ndryshuan motet/ Hyji dërgoi Gjergjin/ Ecëm pas tij si pas perëndisë/ Mëmëatdheu kishte një qeshje gurgulluese/ Lumenjtë filluan t’i shkulin myshqet e zeza.

Imagjinatë e bujshme me përfytyrime konotacionesh të çuditshme, kur “nga zëri i fyellit çmendeshin drurët”. Pamjet surrealiste të natyrës realiste defilojnë kur frynte një erë e acartë, kur s’pushonin stërkalat e shiut, kur sheh përpëlitje shpirtrash dhe “flamujt e grisur” që kanë mbetur “pengje të lisave”, kur “Dielli në perëndim dëneste si kalama/ Nën bedenat e kishës/ I kishin zhvarrosur kryqet/ Vigmat e trishtuara të ikonave/ Dëgjoheshin shtatë katunde larg” (Vigmat e trishtuara të ikonave). Poeti e ngren dollinë në emër të atdheut, të “shokëve që rranë heroikisht” “nëpër betejat e pabarabarta”.  Dhe më tej, shkruan baci Adem shkurt e shqip:  “Miqtë e mi më lejoni/ T’i këndoj psalmet e vjetra të lirisë/ Të dehem nga bukuria e këngës/ Dashtë i madhi Zot” / Të jem edhe unë atje lartë pranë tyre” (Dua të pi në emër të atdheut).                 

Shqiptari nuk kishte kohë për dashuri sepse ia bënë sherrin fqinjët, të huajtë, ardhacakët e mallkuar Evropa. Mos vallë si pasojë e kësaj, në letërsinë tonë lirika erotike ka një vend më të përkufizuar në krahasim me lirikën patriotike? Ja se si, nëpërjet poezisë “E plumbat si shiu trokitnin nëpër dru”, autori e justifikon titullin e këtij vështrimi estetik: “Nuk kemi kohë për dashuri/ Na ekzaltojnë krismat e pushkëve/ Nëse dalim gjallë/ Nga ky hendek do ulemi përballë ikonës”, duke u lutur për të nesërmen. Zëri i zemrës, zëri i kombit dhe zëri i atdheut. Impresionuese duken vargjet e kësaj poezie kur: “Nën këmbët e mia dëgjoj bubullimat/ Era i rreh gjethet e venitura/ Ushtarët bien një nga një/ Bien tytat e ndryshkura të pushkëve”, kur “diku larg dëgjohet zëri i atdheut”.

Tek-tuk, lirika patriotike gërshetohet me elemente kosmogonike, kur “derdhej loti i kristaltë i dritës”, apo kur “yjet kishin zbritur në tokë”, kur “drutë shikonin me nostalgji kah e nesërmja” dhe “atdheu lëngonte nën ethet e zeza” (Nga sythet e egra të Nerenxës). Dhe pastaj, erdhi acari i papritur: “Nga degët e rrapit/ Buruan lumenjtë e fëmijëris/me tërë forcën e ngadhënjimit”. Pason koha dhe meditimi filozofik, pa elemente të pesimizmit, por me një theks të veçantë të qëndresës dhe shpresës për të vajtur nga drita në dritë, nga drita e zezë e skëterreës në dritën e bekuar të parajsës: Dy mijë vjet/ Ecëm nëpër vite të tërthorta/ I kaluam në ethe të zeza shtatë rrathët e ferrit/ Askund nuk e takuam parajsën” (Pikon trishtimi i një kohe asnjanëse). Sinqeriteti i poetit del në pah kur shprehet me një qartësi që i ka hije: “Deri në rrënjë i shkulëm rrapet/ Tërmeteve ua premë rrugët/ Por urrejtjen ndaj njeriut/ Me xhelozi e ushqyem

Në shpirtin tonë të nakatosur” (Xhelozia)

Patriotizmi nuk është imponim por një detyrë burrërore. Shqiptari digjet për liri dhe bashkim kombëtar: “Mbi secilin dru dhe gur/ E shkruam emrin tënd/ Nuk deshëm asgjë/ Më shumë se të tjerët / Por vetëm aq liri/ Sa kanë të gjithë njerëzit e dynjasë” (Me zërin e trishtuar të barotit). Në vargjet e bacit Adem përpëlitet ylberi, dridhen drutë e rrokullisen malet: “Deshën të na lënë pa kryq/ Kambanat i shndërruan në topa/ Dhe na vranë e na gjymtuan/ Me zërin e trishtuar të barotit/ Por ne gjithsesi/ Mbijetuam ta përjetojmë krimin e tyre”. Dhe më tej, shpërthen zëri i poetit për deshifrimin e plagëve të pashëruara të atdheut, kur fluturimet çdo ditë e më shumë filluan të rrallohen mbi qiellin e vjedhur të Arbërisë: “Por atdheu/ Qëndronte si një shkëmb i patundur/ Rranë edhe rrapet/ Në shpirtrat e rrënjëve/ Pamë se si përpëlitej ylberi/ Një hije e zezë morbid/ Mbuloi qiellin e Arbërisë/ Dielli kurrë më nuk shndriste si kaherë” (Një fortunë e zezë vjente nga lindja).

Në vëllimin “Diku në zbraztinë e ndërgjegjes”, ballafaqohemi me erëtimën e mykur të barotit dhe me inspirime që reflektojnë të shkuarën tonë, sa tragjike, po aq edhe heroike: “Mbolla nga një copë asht/ Mbolla dhembjen e një populli/ I cili me mijëra vite/ Mbi shpinën e kërrusur të atdheut/ Duroi djallin e birit të djallit” (Mblodha nga një ble flokësh). Nuk mungon optimizmi dhe qëndresa shqiptare: “Për ta ngritur/ Kalanë e pathyeshme të lirisë/ Vetë rrash në humnerë/ Dhe vetë dola në dritë nga honi i zi”. Ja edhe disa tituj poezishë tjera me vlera të veçanta lirike dhe patriotike: Me maska të çelikta, Varret e atdheut tim, Në shtatë lagje i dëgjuam shtatë krisma, Në ashtin e tokës mëmë, Mbi varrin e Fishtës, Ai që nuk zgjihet sonte, Një ushtar i atdheut hyri në përjetësi, Për t’i nderuar të rënët për atdhe” etj. (Bukuresht, 4 Nëntor 2017)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat