Lis Bukuroca, ose kafka shqiptar që parodizon makinerinë e një kurthi

Libra

Lis Bukuroca, ose kafka shqiptar që parodizon makinerinë e një kurthi

Nga: Shaban JASHARI Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 21:06
Shaban JASHARI

‘’Ngjyrat e dashurisë“, është romani më i ri i Lis Bukurocës, një përpjekje kjo serioze letrare për të detabuizuar shabllonet e demokracisë perëndimore përmes prizmit të një mërgimtari që kishte qëlluar të jetë intelektual, profesor, shkrimtar. Origjinaliteti i kësaj vepre qëndron në guximin për të ngritur në rrafsh dilemash e diskutimesh statusin e një të huaji brenda kontradiktave që prodhon sistemi i mbingarkuar me standarde të dyfishta etike, ligjore, sociale në një shtet të zhvilluar perëndimor.

Krejt ngjarja kryesore zhvillohet në Berlin, aty ku ka filluar edhe një proces gjyqësor kundër Leu Trumcakut, i cili ngarkohej për vrasjen e një kolegu, që kishte qëlluar të jetë burri i dashnores së tij, Liza, por me prova ta pamjaftueshme për ta shpallur fajtorin kryesor. Me stil dhe atmosferë që lëviz në mes të Kafkës e Bukovskit,

Lis Bukuroca arrin të sintetizojë, përmes narracionit letrar, trajektoren e dy përvojave e traditave sociale e kulturore në metropolin gjerman. të cilat i bashkon kryeprotagonisti, Leu Trumcaku.

Ky i fundit portretizohet me linja të theksuara psikologjike, duke nxjerrë në pah aftësinë e tij për të tallur një aparaturë të tërë të burokracisë gjyqësore që ishte ngritur kundër tij. Ky gjykim absurd në thelb ka moralin e dyfishtë të një shoqërie e cila nuk është imune ndaj ministrave e gjykatësve të cilët korrupsionin e tyre shpirtëror e paketojnë me lustrën e tejdukshme të hipokrizisë kapitaliste.

Autori Lis Bukuroca me veprën e tij të fundit ka vendosur një standard bukur të lartë në prozës moderne shqipe për faktin se ndërton parodinë e tij autentike ala Don Kishoti përmes gjetjeve antropologjike siç është Kanuni i Kurtit, një Kushtetutë kjo Fisnore që vë në lëvizje gjithë mekanizmin e ndërveprimit kohor e hapësinor, duke risjellë rrëfime nga e kaluara përmes gojës së gjyshit plak që ia transmeton pjesë- pjesë normat e shkëputur të këtij dokumenti të lashtë nipit të tij, Leu Trumcakut, i cili pastaj ‘’ka të drejtë të ndjehet i shtrënguar ta zbatojë atë në jetë’’.

Ndonëse i menduar si ‘’institucion që kujdeset për ruajtjen e paqes shpirtërore’’ përmes ‘’lumturimit’’ të grave që ishin të pakënaqura seksualisht me burrat e tyre, Kodi i Kurtit në planin letrar del të jetë edhe si kundërvënie tallëse ndaj një sistemi të dirigjuar gjyqësor, ku në fund paraqitet pikërisht ministri i Drejtësisë ai që mban gjithë penjtë e komplotit juridik kundër një emigranti intelektual.

‘’Ngjyra e dashurisë’’ duhet lexuar edhe si një manifest letrar që parodizon realitetin e shpifur të një shoqërie që po projektohej mbi norma të gabuara paragjykuese kundrejt të huajve. Viktimë e këtij paragjykimi është edhe Leu Trumcaku, i cili e paguan me privim lirie disa muajshe ‘’vetëdënimin’’ që ia cakton vetes duke bërë punën e një vëzhgimi psikanalitik nga brendia e burgut.

Ky eksperiment fabulativ i autorit është mënyra më e mirë për të ndërtuar relievin e shkallëshkallshëm narrativ në të cilin ndërthuret koha e tanishme dhe kohët e kaluara, personazhet aktualë dhe ata më të hershëm, për të ardhur në pikën kulmore të sfidimit të një pseudoakuze e ndërtuar mbi të vërteta gjysmake dhe krejtësisht paragjykuese.

Ironia e realitetit në këtë vepër vështrohet përmes dioptrisë së absurdit që prodhon banalitet. Aftësia e narratorit – Leu Trumcakut – për ta ngritur në normë morale këtë banalitet shoqëror e bën fabulën narrative të projektohet si filozofi rezistence ndaj lustrave shoqërore që vuajnë nga boshllëku human. Lis Bukuroca me romanin e tij

‘’Ngjyrat e dashurisë’’ ka ironizuar me mjete të fuqishme të figurshmërisë letrare sistemin e vlerave të diskutueshme të një sistemi, ndërkaq ajo që e bën intrigën narrative të ketë bazë të konsoliduar besueshmërie janë stili dhe gjuha e kësaj proze , pa të cilat nuk do të funksiononte gjithë sistemi parodik i ngjarjeve e personazheve. I parë në shikim të parë si roman erotik, kjo vepër zhvesh kuptimin parësor që mund të ketë seksi në jetën e njeriut, për të ndërtuar një mekanizëm mbrojtës nga absurditet që sjell sistemi i intrigave e komploteve juridike e shtetërore.

Prandaj të gjithë ata që do të mundohen të kërkojnë në këtë vepër gjurmët e largëta të Bukovskit do të hasin në rigjetjen e reminshencave të një Kafke shqiptar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat