Rrugëtimi jetësor si peshë dhe mesazh shumëdimensional

Libra

Rrugëtimi jetësor si peshë dhe mesazh shumëdimensional

Nga: Sejdi Berisha Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 15:05
Sejdi Berisha

Poezia dhe krijimtaria poetike janë vetë zjarrmia e shpirtit, e cila reflekton jetën dhe rrugëtimin e njeriut, dhe si e tillë e ka peshën dhe mesazhin shumëdimensional pothuaj se tek të gjithë krijuesit, pa marrë parasysh nivelin esteto-letrar. Andaj, në këtë rast, duke pasur parasysh se autorja e respekton dhe e çmon rrugëtimin e vetë jetësor dhe të familjes së saj, por edhe begatinë e veçantë të madhështisë së atdheut, pa marrë parasysh shtypjet, vuajtjet dhe përplasjet, ajo dot nuk ikën nga kjo e vërtetë, të cilën e konsideron edhe të shenjtë, kështu, këndimi poetik prej kohe në kohë, përmes vargut gjithnjë e më shumë forcohet dhe merr absoluten e përjetësisë. Për këtë arsye, edhe titulli i librit “Semaforëve”, i cili është i radhitur dhe mirë i inkorporuar në pesë njësi ciklike(“Toka”, “Dielli”, “Qielli”, “Lumenjtë” dhe “Zjarri”), edhe pse në fillim duket si diçka e thjeshtë, përkundrazi, ligjërimi poetik fuqishëm reflekton historinë dhe filozofinë e jetës, të cilat, shpeshherë sikur u ngjajnë gjeometrisë deskriptive, kur këndet shtrihen dhe pozicionohen në rrafshe të ndryshme, herë herë edhe pa drejtëza dhe as pa “rregulla” shkencore. Kjo, ngase edhe jeta, në shumë raste i përjashton rregullat e veta, duke i sforcuar ato me forma edhe më të fuqishme, që e bëjnë edhe më joshës këndimin e thjeshtë poetik, por me plot zjarrmi. Dhe, e tërë kjo e dikton dhe e sforcon fenomenin e jetës, e cila përfton si nëpër semaforë, të cilëve ndonjëherë u mbërdhezen ngjyrat, e ndonjëherë, normalisht se u zbehen por edhe u ndalen bojat-dritat. E atëherë, kjo është edhe sprovë e madhe për t’i kaluar rrugët pa gabuar dhe pa u lënduar, pothuaj se në të gjitha rrafshet...

Ndijimi poetik si hartë historike, ose rrugëtimi nëpër krenarinë dhe dhembjet e atdheut dhe të kombit

Këtë atmosferë të këndimit poetik të Naxhie Berbati Kastrati, e hasim që në fillim të librit. Gjegjësisht, në ciklin “Toka”, që ndijimin e saj të thekshëm e shpreh dhe e derdhë në vargje kushtuar prindërve dhe familjes së vetë, respektivisht, në këtë cikël, mendja, arsyeja dhe pesha intelektuale e saj, shprehin dhe shtrojnë me plot respekt përkushtimin për figurat historike, për heronj e njerëz të kauzës kombëtare, që janë pjesë e pandarë e historikut, e ëndrrave, e rrëfimeve dhe e periudhave kohore kombëtare, si poezia “Atdheu im”: “Gaca e gaca Prush në tangar/Herë hi herë zjarr/Herë pluhur mbi valë”, ose tek poezia”: “Vjosë e Drin”: “Sa plagë ka mëmëdheu/U desh të lindin Prometetë/Për të dhënë zjarr e flakë/...Sa ka prush mëmëdheu/U desh të lindin Odisetë/...Të zëmë fillin e pasosur”. Ndërkaq, në poezinë “Krujë”, autorja vë në spikamë ndijimin e saj si hartë historie, ose si rrugëtim nëpër krenarinë dhe dhembjet e atdheut dhe të kombit: “...Aq afër ishe me qiellin/Bardhësia e kështjellës tënde/Rrezonte edhe retë/Rrezonte toskë e gegë”!

N. B. Kastrati, e cila me përkushtim ligjëron edhe vlerat dhe begatinë e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare, por edhe të asaj botërore gjeneratave të reja në shkollat e mesme, sikur gjithnjë është e kujdesshme që vargu dhe poezia të janë edhe ndijim e shfryrje jo vetëm shpirtërore, por edhe mesazh, mbase edhe metaforë, përmes të cilës lexuesve u ofron shumë tema dhe shumë kallëzime, që, nëse analizohen veç e veç, ndoshta edhe secila do të mund të shndërrohej hiq më pak se në roman shpirti, i cili provokon për analiza, trajtesa të mëvetësishme dhe për lërimin e ngrohtë jo vetëm letrar.
Ndoshta, edhe e tërë kjo, e joshë lexuesin për të bërë komente e vlerësime më të thella, mu për atë se në të shumtën e rasteve, autorja na sjell komoditet duke u prezantuar edhe me poezi më të gjata.

Vargu dhe poezia, nganjëherë, autoren e tërheqin zvarrë, e ndoshta, shpesh edhe pa dëshirën e saj, për t’i nxjerrë jashtë vetes ato përjetimet, të cilat përbrenda shpirtit palosen dhe zënë vend si faqet e librit, të cilat, nëse “zemërohen”, ato dalin të “revoltuara” dhe të pa qëndisura nga poetja, e që, kujtoj se kjo është edhe më e fuqishme dhe krejt origjinale, të cilat, lexuesin e bëjnë pjesë të vetën, dhe, po ashtu e përjeton edhe në mënyrën e vetë. 

Ndoshta, në kohën e sotme, forma e tillë është më e preferuar dhe padyshim më e kërkuar për shkak të “sovranitetit” meditativ dhe analizues. Këtë frymë e hasim në shumë poezi, e veçmas tek poezia: “Prishtinë”, ku mes tjerash ligjërohet: (“Ec/Gjurmëve të lashta/Hapëroj/Gërmadhave ilire”. Ndërsa, tek poezia: “Dil nga futa”(“Të shqiti ylli meteor/E le/Nuk i re shpatë territ/Nuk zaptove qiejt”! Kurse, tek poezia “Abeja” kushtuar luftëtarit trimit e heroit të rrallë, Bekim Berishës, ajo ligjëron: (“Ç’shpirt kishte djali yt nënë/Kur përleshej me katallanë/Me sytë kokërr n’gjak/Kur po ngufaste hienat n’fyt.../Heu, Nënë e Abejës… /Ç’djalë bëre/Mirë që nuk ia zbulove flatrat”!...

Ligjërimin e ngjashëm e hasim edhe në shumë poezi të tjera, si: “Shotë moj(kushtuar Shotë Galicës), “Bacës Adem”, “Dil, shihe Adrianin” etj.

Por, edhe tek shumë vargje e poezi të tjera, N. B. Kastrati, edhe pse, ndonjëherë, siç kemi theksuar edhe më lartë, poezia e gjatë mund të ndikojë që të “rrëshqasë” edhe në binarë të tjerë të rrugëtimit dhe të këndimit poetik duke u përpëlitur semaforëve të jetës, përkundrazi, ajo ligjëron prajshëm dhe rrjedhshëm, gjë e cila, pikërisht për këtë arsye shndërrohet në zjarrmi malli e etje shpirti!  Andaj, në këtë jetën e trembjeve dhe të dinamikës së “vrapimit” të njeriut, ndoshta, brenda librit “Semaforëve”, poetja do të dëshironte, mbase, ndoshta edhe e kërkon këndimin poetik “ekspres” për të ecur tutje “semaforëve” të kërkimeve dhe përjetimeve poetike, shpirtërore dhe më gjerë.

Shpërfaqja e respektit, e dashurisë dhe e konsideratës ndaj njeriut si veçanti krijuese

Ndërsa, shpërfaqja e respektit, e dashurisë dhe e konsideratës ndaj njeriut, e në veçanti edhe ndaj familjes, edhe këto janë cilësi të vargut të autores, e cila shëtitë gjithandej viteve dhe biografisë së vetë dhe jo vetëm kaq, janë karakteristikat e saj vargëzuese, si bie fjala te poezia:”Po kthehesh Nënë-loke”: “Ti po vjen nënë-loke/Nuk po të zë kurbeti i zi/Të ka marrë malli/Për njerëzit/Je verbuar për shtëpi”.

Duke mos hyr në detale dhe në analiza më të gjëra të vargjeve një nga një, që pothuaj se pa e bërë një punë të tillë, flasin e thonë shumë vetë titujt e njësive ciklike “Toka”, “Dielli”, “Qielli”, “Lumenjtë” dhe “Zjarri”. Kjo, sepse, autorja gjithnjë vë në spikamë përjetimin por edhe intelektin krijues, që vargu të jetë fuqi intelekti, fuqi shpirti, ose si gur, i cili fortë zë vend në murin e jetës dhe nuk lëvizë dot!

Shumë poezi kushtuar nënës dhe jo vetëm nënës(Cikli i Tretë), sikur janë simbol i madhështisë hyjnore, siç është dhembja e malli, që padyshim reflektojnë përjetime të rralla të rrapëllimave të jetës dhe etjeve, të cilat së bashku tregojnë pangopësinë e dashurisë ndaj njeriut dhe tërë asaj që e bën jetën. Pikërisht për këtë, përmes vargut krijohen përplasje ndjenjash që forcojnë mesazhin dhe i japin atij peshën e veçantë, dhe si i tillë, këndimi poetik bëhet i kërkuar, i ngrohtë dhe joshës edhe për lexuesin...

Pikërisht nga kjo, imponohet përshtypja se autorja përbrenda vetvetes e çmon, e kërkon dhe e nuhatë peshën e lotit dhe të dhembjes si mesazh të veçantë, për çfarë përpiqet që edhe t’i prezantojë ndryshe nga e rëndomta. Pra, ajo, lexuesit vargun ia ofron edhe si ndijim shpirti, si formë të fuqishme të rrugëtimit jetësor, e cila e detyron shpërthimin edhe atëherë kur ndoshta krijuesja duket se është e arsyeshme kur ka parasysh bagazhin jetësor, atë të lumturisë, të etjes, të arritshmes, e që, kjo e fundit është shumë e fuqishme dhe e veçanta e këndimit poetik në këtë libër. Këto “lëvizje” e vibrime shpirti i hasim kudo, e të themi, sidomos edhe te cikli i dytë “Dielli”.

Se vetë jeta i “kushtëzon” semaforët dhe e kundërta, të gjitha poezitë, vargjet dhe tregimet e shkurtra brenda librit “Semaforëve”, reflektojnë meditimin dhe shprehjen e thellë krijuese dhe filozofike, që përcjellën gjatë gjithë vargëzimit, gjë e cila dëshmon edhe për respektimin dhe sendërtimin e kodit etik të vargut dhe poezisë.

S’ke si kalon pa e theksuar, ndoshta edhe përherë, rrugëtimin semaforëve, dhe pa e vënë në spikamë, nëse është nevoja edhe shumë herë ndijimin poetik të autores në raport me familjen dhe me fëmijët. Në këtë aspekt, shquhen shumë poezi, si: ”Ku janë këpucëzat që ishin dje”, “Suksesi i im i madh je Ti vetë”, “Xhexha”, “Lori” e kështu me radhë. 

Është karakteristikë të theksohet se librin e bënë me më peshë edhe kujdesi dhe zgjuarsia e N. B. Kastratit, që shprehjet të janë të nivelit dhe të radhitura me një gjuhë intelektuale e mjeshtërore letrare, gjë e cila, jo vetëm se e ruan dëlirësinë e gjuhës dhe të përdorimit me vend të fjalës dhe shprehjes, por ato, në të njëjtën kohë edhe gërshetojnë “fanatizmin” mbase edhe nevojën që gjuha amtare ta gëzojë gjithnjë e më shumë, mbase edhe përgjithmonë  respektin, peshën dhe pastërtinë e saj, e cila, me siguri se është nevojë imediate edhe sot e kësaj dite. Këtë synim, autorja sikur dëshiron që ta begatojë edhe me ndonjë shprehje të thjeshtë apo edhe vargun ta thurë në gegërisht. Ani. Sepse, kjo reflekton kujdesin ndaj artistikes edhe brenda organizmit të gjuhës dhe të letërsisë amtare, pasi që, N. B. Kastrati, ngase, tani e sa decenie është mësuese me përkushtim të veçantë e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare, për çfarë dëshmojnë edhe shumë forma e ligjërime të tjera që ajo i realizon gjatë procesit mësimor dhe punës së saj përgjithësisht. 

Në fund. Libri “Semaforëve” i Naxhie Berbati Kastrati, është vepra e dytë e saj, dhe padyshim se me cilësinë e saj begaton vlerat krijuese letrare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat