Kosova në mozaikun e vlerave artistike të poezisë

Libra

Kosova në mozaikun e vlerave artistike të poezisë

Nga: Prof. Dr. Adem Zejnullahu Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 14:58
(Xhemil Bytyçi, Zjarri i lënë në harresë, Dija, Prishtinë 2008)

Vargjet e këtilla që vuajnë nga zhveshja artistike, me thirrje populizmi politik duken fare konvencionale si në pikëpamje tematiko-përmbajtjesore, ashtu edhe në pikëpamje ideo-artistike. Autori përpiqet që artin ta vërë plotësisht në shërbim të misionit shoqëror, pa vrarë fort mendjen  për mprehtësinë e shprehjes artistike. Ai dëshiron që vargu i tij ta arrijë efektin emotiv në momente të caktuara, qoftë i veshur apo i zhveshur figurativisht. Në tri ciklet e fundit të kësaj përmbledhje poetike, Bytyçi sikur çlirohet nga brenga  për fatin e atdheut. Parandien se vizioni i tij ëndërrimtar për liri u bë realitet, ndaj edhe ndërron temat e motivet, duke iu kthyer poezisë meditative. Meditimet e tij për jetën, natyrën, shoqërinë paraqesin botëkuptimin jo vetëm spiritualist të poetit. Kështu, poezia “Buzë detit”, megjithëse në shikim të parë duket vjershë deskriptive, shpalos botën imagjinare dhe filozofike të poetit.

Një krahasim i bukur midis detit dhe jetës është vijëzuar bukur me nota të meditimit lirik. Poeti, buzë detit, në zall shkruan “ një fjalë me mall”, të cilën valët e harlisura të detit ia rrëmbejnë, duke i lënë prapa  mallin që e djeg poetin. Poetit, si deti, edhe jeta i marrin shumë, por “ Besoj se më la një shteg”, në të cilin ecën pa drojë kah “...një hise!”, kur “zilia shtrigë” njeriut i bren shpirtin, duke e lënë “rob të fjalës” në lojën  e kaosit jetësor në botën ku rrjedh “mjaltë e pelim” me ndërgjegjen e kotësisë së dëshirave në harkun e gëzimeve dhe mallëngjimeve, që poeti  i mat saktësisht me “peshoren e ngrirë” me leqet e jetës në stinët kur luleve  u vidhen afshet për jetë. Në një kësi kaosi sa të përjetuar me vërtetësi jetësore po aq të të përjetuar artistikisht, poeti sëkëlldiset, shqetësohet, humbet në labirintet e hidhërimit që “...pëlcet në një skutë” me trishtimin e mëkatarit, që si jetën edhe vdekjen, jo vetëm e kupton, por e do si aventurë, të tjetërsuar intimisht si “hije e dyfishtë”, si fatomorganë, si qenie e dalë jashtë egos, e trishtë, morbide, “pa fytyrë.

Kjo fytyrë e zhdavaritur përçudshëm pa trajtë, poetin e lodhë, e dëshpëron e kthen të molisur në “mortin e vajit” të kohës zezonë, ku bredhin pa cak kujtimet pranë sofrës së fëmijërisë. Poeti lektiset, thyhet, dëshpërohet, zhgënjehet me nostalgji për të shkuarën, intimen dhe idilin rinor, kur i shfaqen përpara “peizazhet e pikëllimit”, imazhet ndeshtrasha të lypsarëve që në mënyrë retorike pyet, por kush nuk di të përgjigjet “... kush u ka hak?” kësaj kategorie njerëzish me “dëshira të leckosura”, që në rrugët e qytetërimit modern shtrijnë duart  e zbehta për një grosh, që me zëra të çjerrë e kërkojnë si lëmoshë. Poeti ndien dhembje për fatet e tilla të njeriut në shoqërinë moderne, por përtej moralizimit shpirtëror, ndryshe nga Migjeni, nuk hedh asnjë hap për zgjidhjen e çështjes së tyre sociale. Ai vetëm ka portretizuar lypësin e njëmendësisë dhe realitetit tonë të hidhur, pa kërkuar të drejtën e tij për jetë që do ta fitonte me punën, mundin dhe djersën e vet. “ Mjerimi nuk do mëshirë, por do të drejtë” thërriste Migjeni i madh në vitet e tridhjeta të shekullit të shkuar.

Vjersha epistulare “Letër mikut” dëshmon për një komunikim sa intelektual, po aq edhe emotiv të poetit për huqet, dhembjet e dashuritë e njeriut të universit tonë real, ku poeti mbëlton dhe kultivon fidanin e shpresës së mirë, që e ngre në kult dhe e mban si idhull. Cikli i  fundit “Yjet e dehur” ngërthen në vete kryesisht lirika me motive intime. Poeti i këndon vashës së rinisë, një dashurie që duket më tepër fiktive se sa fizike, duke u përmbajtur ta përmend emrin e të dashurës, duke e mbuluar me veladonin  e idilit romantik. Ngjashëm  me Naim Frashërin në poemthin “Bukuria”, edhe Bytyçi i cicëron në vesh vashës së tij imagjinare se “Flijohem për ty” pa portretizuar asnjë vijë fizike, psikike, apo morale të së dashurës.

Thënë tërësisht, përmbledhja me poezi e Xhemil Bytyçit dëshmon për një botë të pasur poetike, ndonëse në poezinë e tij ka çka të “herret,” që vargu të strukturohet artistikisht më fuqishëm. Gjithsesi, si e tillë kjo përmbledhje bën pjesë në mozaikun e vlerave artistike të poezisë që shkruhet sot ndër ne e shpërfaqur si një aspekt i botës preokupuese të poetit Xhemil Bytyçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat