Moderniteti si analizë e thellë në kohështrirjen e letrave shqipe

Libra

Moderniteti si analizë e thellë në kohështrirjen e letrave shqipe

Nga: Hyqmet Hasko Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 15:50
Kopertina e librit

Vëzhgimi dhe shqyrtimi i imët i emrave krijuesish, veprave, dukurive dhe risive letrare në Shqipëri është një proçes që u duk sikur në periudhën postkomuniste u zbeh për të mos thënë stopoi, por në fakt ky është veçse një iluzion, që erdhi nga mosnjohja jonë dhe nga mosqarkullimi si dhe në mënyrën e duhur i emrave dhe veprave më përfaqësues të kësaj kritike të re, tanimë të çliruar nga kornizat dhe shablonet e soc-realizmit. Sido që të jetë imazhi i kritikës letrare si institucion dhe i kritikut si person, ata ndihen të braktisur, të shpërfillur dhe pa mundësitë shprehëse që iu ofron një realitet i favorshëm për zhvillimin e kritikës letrare. Po ky qëndrim disi degradues ndaj kritikës letrare manifestohet jo vetëm në letrat shqipe, por dhe ato universale. Vërtetë s’ka kritikë letrare shqiptarë, por vetëm argatë «llomotitës» mbi letërsinë artistike, të cilët nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë profesion të «denjë» dhe kanë përfunduar si deshifrues të enigmave parapoetike oborreve e klaneve letrare!

Janë këto arsyet që kur trokasin në portën e letrave kritikë me profil të veçantë, si Vladimir Muça me librin e tij voluminoz “Unë mendoj”-vëzhgime të një tranzicioni letrar- prirja jonë si krijues modestë dhe lexues të përkushtuar shkon drejt një ngazëllimi, që na bën të mendojmë se kritikët e vërtetë letrarë nuk kanë humbur dhe ata po japin shenja të ekzistimit dhe përkushtimit të tyre, siç bën ky autor në këtë libër mbresëlënës. Libri “Unë mendoj” është një udhëtim i shkrimtarit dhe kritikut letrar Vladimir Muça në labirinthet e letrave shqipe, në disa nga emrat dhe veprat më përfaqësuese të këtyre letrave, me dukuri letrare të konturuara në gjysëm hije dhe në hije, me prurje nga më të larmishmet në të gjitha zhanret letrare, ku janë lënë shenjime të denja për të hyrë në analet e estetikës dhe për t’u bërë objekt analizash dhe qasjesh kritike.

Ky libër është një udhëtim i shkrimtarit në kohën e shpirtit njerëzor që ka lënë gjurmë në letër dhe na sjell copëra kujtese, narrative, poetike, marrëdhëniesh estetike dhe jashtëestetike, pa filtra dhe pa maska, derdhur në një analizë të imët e të ngjeshur mjeshtërore, ku sundon një vëzhgim i detajuar rreth mjaft autorëve dhe veprave të tyre letrare.

I ndarë në katër pjesë: “Përqasja e romanit të sotëm shqiptar drejt risive moderne”, “Prozat tregimtare me dukuri moderne bio shqiptare”, “Paradigma të poezisë moderne në poezinë shqiptare“ dhe “Sprova vlerësuese”. Ky libër është një qasje e re e mendimit kritik modern shqiptar drejt trajtave, prurjeve dhe fytyrave letrare, që kanë populluar letrat shqipe në epokën e modernitetit? eshtë një eksplorim në botën e thellësive të poetikës dhe trajtave nga më të larmet rrëfimtare, që në kohë-shtrirjen historiko-letrare kanë lënë shenjat e tyre si gurët kilometrikë në një rrugë të gjatë e plot kthesa të befta. Raporti i këtyre autorëve dhe veprave të shkruara prej tyre me modernitetin është thelbi i analizës së thellë e të detajuar të Muçës, në rrekjen e tij për të na dhënë disa nga tendencat më pozitive të shfaqura në letërsinë kombëtare shqiptare, në risitë e tyre në raport me “botimet bruto”, për të na përcjellë cilësi të lartë dhe cilësinë kritiku ynë e mat me faktin se sa moderne ishte kjo letërsi e shkruar, qoftë nën çensurë, qoftë në kushtet e një lirie agjitive dhe që nuk prodhoi produkt modern letrar në shkallën e një pritshmërie të mundshme.

Duke trajtuar me kompetencë dhe thellësi një figurë krijuese si ajo e Faik Ballancës dhe një roman të tij si “Nomeja e largët”, Muça e vendos atë në shtratin më modern të traditës së letrave shqipe, ku mund të radhiten Shuteriqi, Pasko,Kuteli, Petro Marko, Dritëro Agolli,Ismail Kadre, që e tejkaluan kohën e tyre dhe na dhanë një produkt letrar “bio”, një produkt që do t’iu qëndronte sfidave të epokave të mëvonshme të globalizimit letrardhe modernitetit. Muça zbulon thelbin e aktit romanesk të Ballancës në këtë roman të tij, atë që ai e quan “çlirim nga lineariteti tregimtar”, duke mos i qëndruar besnik fabulës narrative, por duke na dhënë një arkitekturë të re të romanit, çfarë ishin dhe arsyet jashtëletrare se pse kjo vepër u la në heshtje dhe u desh ta shihte dritën e botimit vetëm në vitin 1989, dymbëdhejtë vjet nga ikja tragjike nga kjo botë, në rrethana të dyshimta dhe denoncuese për regjimin e kohës, të këtij shkrimtari të pazakontë.

Duke analizuar romanin “Gruaja e shiut” të shkrimtarit, Mjeshtrit të Madh Bashkim Hoxha, Muça i referohet një thënie të famshme të Gustav Floberit, se “artisti duhet të jetë në veprën e vet si zoti i padukshëm në gjithësi”, duke na parapërgatitur për thellësitë e qasjes së tij ndaj kësaj vepre. Muça e vështron risinë e këtij romani në strukturat e reja rrëfimtare të autorit,në linjën e modernitetit me anë të thyerjeve që zotërojnë stilin e tij rrëfimtar, ku ndërthuren monologjet, dialogjet dhe përshkrimet me një gjendje disi dehëse dhe psiko-analitike të personazheve. Po kështu, në linja të epërme depërtimi të imët dhe të thellë Muça ka ruajtur shqyrtimet e tij estetike dhe në qasjet rreth romanit “Eklipsi i hënës” të shkrimtarit Skënder Drini. Ky vëzhgues i imët rrok thelbin e personalitetit letrar të S. Drinit, që ashtu si në romanet e tjerë të tij shpërfaqet hovshëm dhe në këtë roman: psikoanaliza si mpleksje e mendimit etik, filozofik, estetik, ku imazhet dhe qasjet alla kafkiane, alla frojdiane, vijnë e përkthehen me një transhendencë mrekullore në realitetin e tejdyzuar dhe të mbarsur me emocione të shumëfishta të botës shqiptare, që plazmon në çdo faqe të këtij romani. Prerje të tilla të relieveve estetike dhe jetësore na sjell kritiku ynë letrar dhe për autorë të tjerë si Skënder Temalin dhe romanin e tij “Stina e divorceve”, marrjen e nacionalizmës si aspekt shoqëror në romanin “Çamëria klithmë e mbytur” të Kadri Aliut, sjell kumtet jetësore në kaleideskopin e romanit “Loja e mëkatit” të Mjeshtres së Madhe të penës Vilheme Vranari Haxhiraj etj.

Në pjesën e dytë ku merr në konsideratë autorë dhe vepra letrare përfaqësuese në gjininë e tregimit, Muça e vështron tregimtarinë si një pjesë të rëndësishme të vetëdijes rrëfimtare, si pjesën më të shpejtë e më të vrullshme të saj, që lidhet me një vizatim narrativ të prurjeve të kujtesës, të rikthimit të emocionit dhe perceptimeve që vijnë nga një aksion i ngjeshur dhe dinamik narrativ. Nga vetë titulli, “Paradigma të poezisë moderne në poezinë shqiptare“, në këtë pjesë Muça iu përkushtohet prurjeve poetike, ku merr në analizë autorë të tillë si Moikom Zeqo, Skënder Rusi, Nikolla Spathari, Agim Mato, Ilir Paja, Vaso Papaj, Abi Hoxha, Maku Pone, Vera Istrefi, Agim Bajrami, Mimoza Çekiçi Rista, Bardhyl Maliqi, Lindita Ramushi, Sabit Rustemi, Riza Çato,Luigj Çekaj etj dhe risitë e artit të tyre poetik në raport me bashkëpoetët e tjerë. Nga pena e mprehtë muçiane, vështrohet e përbashkëta dhe të veçantat e këtyre autorëve në rrugëtimet e tyre poetike, duke veçuar modernitetin si një “markë” e njejtë, që i përbashkon dhe me të cilën merret hollësisht e në mënyrë tejet të detajuar Vladimir Muça.

Në pjesën e fundit që përmbyll librin “sprova vlerësuese” autori sjell potrtete letrare dhe vëzhgime të mprehta kritike rreth disa autorëve si Nehat Sopaj, Azgan Haklaj, Valentin Mustaka,Meçan Hoxha, rreth aktit krijues të piktores Shpresa Milaqi Bajko etj, që me librat dhe pikturat e tyre kanë lënë shenja të dukshme në rrugëtimin e tyre estetik. Poezitë, tregimet, monografitë dhe pikturat e tyre përcjellin një kërkim në botën e vlerave dhe derivatet e saj, një thellim të orvajtjeve dhe sprovave, një eksplorim në botën e ndjenjave “delikate” dhe emocionit “delikat”, që konturohen në një reliev të thyer liriko-rrëfimtar dhe që Muça e sendërton si pjesë të modernitetit estetik.
Muça i vështron këto vepra si aspekte të vlerave të letrave dhe artit tonë bashkëkohor, si një ballafaqim i njeriut disi të vetmuar bashkëkohor me vetveten dhe të tjerët, me mungesat, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, me artin e fjalës së përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të gjallë dhe mjaft të latuar në sensin semantik dhe stilistik, me një sintaksë të zhdërvjellët dhe filmike, cilësi këto që ai di t’i veçojë tek autorët më të mirë dhe veprat më dinjitoze që merr në sitën e një analize të thelluar letrare.

Libri “Unë mendoj” i shkrimtarit dhe kritikut letrar Vladimir Muça të bën vërtet të mendosh për vlerat e spikatura që na vijnë nga emra dhe vepra të ndryshme në rrugëtmin e tyre historiko-letrar, duke vendosur ura komunikimi me lexuesin e pajisur me një aparat vetëdijsor të shqyrtimit analitiko-sinetetik, ura nga kalon moderniteti si një cilësi e artit elitar të shkrimit shqip, si një lëmi ku kërkon vazhdimisht autori në këtë libër dhe gjen modalitete të veçanta të shprehësisë estetike në kohëhapësirën e letrave tona kombëtare. (Zgjodhi për Botën sot, Baki Ymeri)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat