Një vepër që nderon kulturën e historinë e letërsisë shqipe

Libra

Një vepër që nderon kulturën e historinë e letërsisë shqipe

Nga: Dr. sc. Faik Shkodra Më: 9 janar 2018 Në ora: 19:00
Kopertina e librit

Prof. dr. Astrit  Bishqemi, Prof. Migena Arllati: Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886 – 2017) – Botim i Shoqatës së Intelektualëve ‘Jakova’, Prishtinë, 2017.

Prof. dr. Astrit Bishqemi dhe Prof. Migena Arllati, me fjalorin enciklopedik ‘Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886 – 2017)’, mbi të gjitha, nderojnë kulturën e historinë e letërsisë shqipe, në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë historinë e letërsisë shqipe për fëmijë, me krijuesit dhe studiuesit e saj. Me këtë rast, të nderuar pjesëmarrës, të çmuar shkrimtarë e poetë, të respektuar studiues e kritikë letrarë, të dashur intelektualë fushash të ndryshme, pedagogë e dashamirë të artit letrar, ju mirënjohës e dashamirë të autorëve e studiuesve të veprave të letërsisë për fëmijë, në këtë përbërje e në këtë ambient të dijes, kulturës e vlerave të shkencës së albanologjisë, pra, në Institutin Albanologjik, sot na ka tubuar puna e vyeshme dhe pa dyshim e lodhshme e Prof. dr. Astrit Bishqemit dhe Prof. Migena Arllatit, me fjalorin enciklopedik me titullin e sipërthënë, për të cilin do t’i shfaqim disa mendime.

Vepra që sot po përurojmë, në mënyrën më të mirë dëshmon se Astriti e Migena janë krijues, janë pedagogë e mendimtarë, studiues e historianë dhe kulturologë, të pajisur me cilësi të larta të vlerave intelektuale dhe, falë këtyre cilësive, shquhen me shije të mëdha e ide përparimtare për veprimtari krijuese – veprimtari kjo që u ka bërë emër të respektueshëm e të çmuar në të gjitha hapësirat shqiptare e më gjerë. Si emra të respektuar të fushës së artit letrar, veprat e tyre sot pa dyshim paraqesin një pasuri të madhe e të rëndësishme, sa për kulturën e historinë e letërsisë shqipe për fëmijë – aq dhe për vlerat e veçanta didaktike, edukative, njohëse, argëtuese, estetike, stilistike e gjuhësore me të cilat përshkohen ato. 

Më duhet të pohoj se krijimtarinë e gjerë e të pasur të Astritit e kam ndjekur tash disa vjet dhe, në mbështetje të sukseseve të arritura, kam konstatuar se ai, me kontributet e dhëna në të gjitha veprat e botuara, shquhet për pikëpamje, vlerësime, qëndrime, gjykime, e përfundime të drejta e të përshkuara me një origjinalitet të llojit të vet, me të cilin dëshmon aftësitë, prirjen, zellin, përkushtimin, seriozitetin dhe profilin e historianit, studiuesit, krijuesit dhe të pedagogut me dije nga degët e shkencës së letërsisë (historisë së letërsisë dhe kritikës letrare). Falë këtyre njohjeve, Prof. Astriti, përmes një optike të re, të themi bashkëkohore, ka kultivuar dhe vazhdon të kultivojë vlerësimet e gjykimet e kritikës semantike, psikanalitike, estetike, kritikës ideore – mesazhore dhe, në saje të të gjitha këtyre vlerave, ai në letërsinë e sotme shqipe për fëmijë vjen si studiues me integritet, sa profesional aq studiues e historian origjinal, duke nxjerrë kështu në dritë vlerat thelbësore që mbrujnë veprat e krijuesve për fëmijë.

Ndërkaq, veprimtarinë krijuese e shkencore, atë letrare pedagogjike të Prof. Migena Arllatit nuk e kam aq të njohur, sado që nga të dhënat e paraqitura në fjalorin që po e përurojmë dhe punimeve të herëpashershme të botuara në gazetën ‘Nacional’ shihet se fjala është për një studiuese e një krijuese me përkushtime të mëdha dhe që është në rrugë të mbarë si krijuese, studiuese, pedagoge e intelektuale. Duke qenë e pajisur me njohuri nga fusha e historisë, e teorisë dhe e kritikës letrare, ajo. falë zellit, seriozitetit të dëshmuar deri tani në studimet e bëra të veprave letrare, vlerësojmë këndshëm se puna krijuese e studimore e Migenës do të vazhdojë të sjellë vepra me vlera të shumta, si në letërsinë për të rritur ashtu edhe në letërsinë për fëmijë në disa rrafshe.

Talentin e lindur Migena e ka lidhur ngushtë me letërsinë. Ajo vërtet është figurë me një botë të pasur shpirtërore, mendore, ndjenjore dhe imagjinative. Duke i pasur parasysh kontributet e rëndësishme të Astritit e Migenës, dhënë letërsisë dhe krijuesve të veprave artistike, ftesën për përurimin e fjalorit enciklopedik 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886-2017) e përjetova si obligim dhe si respekt. S’ka dyshim se veprat e shumta të këtyre studiuesve, si dhe botimi i librit që sot po përurojmë, pasurojnë letërsinë e kluturën tonë. Themi kështu për faktin se fjalori në fjalë është vepër me rëndësi të veçantë shkencore, kulturore dhe historike. Mënyra se si është hartuar ai dhe puna e mundimshme e autorëve, na këndell, na trimëron e na obligon që me urimet më të sinqerta t’i përgëzojmë, duke iu shmangur kërkesave e mendimeve eventuale subjektive.

S’ka dyshim se fjalori 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj (1886-2017)’ shpalos përvojën, dijen, fisnikërinë, sinqeritetin dhe profesionalizmin e autorëve dhe e gjithë puna e bërë në paraqitjen e të dhënave biografike e bibliografike të emrave e mbiemrave të krijuesve aq të shumtë të veprave të shkruara për fëmijë, na sjell te konstatimi që lidhet me mjeshtërinë e të shkruarit. Fjalori shpreh një qëllim të vyer midis shumë qëllimeve të rëndësishme për letërsinë shqipe, në përgjithësi. Të gjitha këto qëllime përkojnë me idealet, aspiratat, dëshirat, përkushtimin, punën e organizuar e të planifikuar, përkojnë me ndjeshmërinë shpirtërore e mendore të autorëve, për t'u lënë brezave vepra të karakterit artistik, shkencor, historik e pedagogjik, në të cilat rrezatojnë vlerat me frymë të kulturës kombëtare dhe mbi këto aspirata autorët kanë arritur të dëshmojnë vetëpërmbajtjen e vetëkontrollin në raport me studiuesit e tjerë të letërsisë shqipe për fëmijë. Këto cilësi i sigurojnë veçmas Astritit respekt, mirënjohje dhe vlerësim të lartë nga krijuesit e studiuesit e veprave për fëmijë, në një anë, dhe e cilësojnë atë një marathonomak të mesazheve të ndezura për vlerat e gjithëmbarshme që i përshkojnë përmbajtjet dhe format e veprave artistike për fëmijë, në tjetrën anë. Astriti është një figurë poliedrike, është studiues i shumëplanshëm dhe është teoricien e historian i përkushtimeve të mëdha të çështjeve të letërsisë për fëmijë të kurorëzuara në shumë vepra e punime të shumta studimore – vepra që objektivisht sot përbëjnë një fond të vyer në fushën e letërsisë për fëmijë dhe kulturën mbarëkombëtare.

I një rëndësie të tillë pa dyshim është fjalori enciklopedik 'Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886-2017)’, botimi i dytë, botuar nga Shoqata e Intelektualëve 'Jakova', Prishtinë, 2017, në bashkautorësi i plotësuar dhe i përmirësuar, i cili në përmbajtjen e vet ka: Shkurtimet e përdorura, Dy fjalë për këtë botim, Parathënien, Shtojcën, Antologjinë për fëmijë e të rinj dhe literaturën kryesore, me gjithsej 464 faqe.

Përkitazi me motivet që kanë çuar autorët në botimin e fjalorit të plotësuar e të përmirësuar, lexuesi do të marrë vesh nga fjalët e autorëve të thëna në parafjalën e këtij botimi. Në fakt, në këtë botim janë përfshirë autorë të rinj dhe studiuesit e letërsisë për fëmijë, pastaj janë saktësuar të dhënat mbi jetëshkrimin e autorëve dhe të veprave të tyre, si dhe kanë zënë vend botimet e veprave më të reja të viteve të fundit.

Në fjalor janë shtuar rubrika të reja, që lidhen me libra të përkthyer nga gjuhët e huaja si dhe janë përfshirë kontributet e autorëve në hartimin e teksteve mësimore për shkollat fillore e të ulëta të mesme. Po ashtu, në fjalor ka gjetur vend krijimtaria letrare e nxënësve të talentuar, që nga autorët është cilësuar si letërsi fëmijërore, e jo letërsi për fëmijë. Ndërkaq, parafjala e paraqitur në këtë fjalor nga Prof. Astriti përfshin të dhëna të bollshme rreth lëndës që ngërthen qëllimet që kanë nxitur autorin t’i hyjë hartimit të një fjalori të tillë.

Janë rrokur etapat historike nëpër të cilat është zhvilluar letërsia për fëmijë dhe në këto rrjedha historike janë përmendur emrat e krijuesve të veprave për fëmijë e janë qartësuar disa dilema që lidhen me vitet, me autorët, me përkthimet e deri te veprat artistike për fëmijë nëpër rrjedhë të moteve, që studiuesit e degës së letërsisë për fëmijë i kanë çuar në përcaktime të ndryshme të kufijve të fillimeve të ndonjë krijimi, qoftë të përkthyer, qoftë origjinal. Për ndriçimin sa më korrekt e sa më shkencor, në parafjalën e shkruar nga Astriti, janë sjellë emrat e krijuesve, studiuesve dhe historianëve më të veçantë të letërsisë për fëmijë, si: Prof. Bedri Dedja, Odhise Grillo, Agim Deva e autorë të tjerë të veprave të letërsisë botërore. Pas shfrytëzimit të literaturës së gjerë rreth zanafillës së letërsisë shqipe për fëmijë, është hedhjes dritë mbi përkufizimin se ç’është letërsia për fëmijë, ç’kuptojmë me lexim për fëmijë, ngase këto koncepte jo rrallë nuk kuptohen drejt as nga mësimdhënësit, e besa as nga disa studiues të kësaj dege të letërsisë. Të gjitha këto çështje janë kristalizuar përmes të dhënave konkrete dhe si të tilla, problemet historiko-letrare, falë përgatitjes shkencore dhe kulturës së pasur letrare, janë fiksuar dhe janë trajtuar me akribi shkencore, duke iu shmangur kështu përgjithësimeve të çështjeve të panevojshme. Autorët, për hartimin e fjalorit kanë shfrytëzuar edhe leksikonin e Odhise Grillos, Hasan Hasanit, Nebil Durakut, Robert Elsit, Llambro Mallamos, e disa autorëve të tjerë dhe gjithandej parafjalës kanë treguar përparësitë e këtyre leksikoneve e aty-këtu edhe lëshimet, të metat e gabimet në përfshirjen e ndonjë krijuesi si shkrimtar për fëmijë e që në realitet s'i ka takuar kësaj lagjeje as me vepra e as me ndonjë ndihmesë tjetër, që do ta arsyetonte përfshirjen në taborin e krijuesve të letërsisë për fëmijë.

Fjalori enciklopedik ‘Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj’ (1886-2017), i hartuar nga prof. Astrit Bishqemi dhe prof. Migena Arllati, shënon një arritje të rëndësishme për kulturën e letërsinë shqipe për fëmijë. Duhet të theksojmë, pa subjektivizëm e pa ekzaltim, se autorët e librit kanë ditur t’i respektojnë autorët e leksikoneve të mëhershme për këtë fushë të letërsisë, duke u shprehur mirënjohje të sinqerta, në mesin e të cilëve shquhen Hasan Hasani, Nebil Duraku, Nasho Jorgaçi, Jup Kastrati, Zonjat Tabaku, Kosturi e Greva dhe dy autorë të huajl Elsi e Mallamasi. Me arsye themi se Astriti dhe Migena, në punën studimore, falë edukatës e kulturës së madhe që kanë nga letërsia, janë treguar, si gjithherë, studiues të pakompleksuar dhe aspak xhelozë ndaj studiuesve të tjerë. Kjo u bën nder dhe u shton vlerat e gjithëmbarshme, në radhë të parë si njerëz me virtyte të larta e më pastaj si studiues, që dinë të tregohen të matur e të vetëkontrolluar.

Siç kanë pohuar Odhiseja, Hasani e autorët e tjerë në leksikonet e tyre, edhe Astriti e Migena pohojnë se fjalori i hartuar për letërsinë për fëmijë e të rinj, para së gjithash, ka karakter informative e jo vlerësues. Në këtë kontekst, Astriti e Migena, në fjalorin e sipërthënë, si nismë të letërsisë artistike për fëmijë e marrin vitin 1882 duke pohuar se: “Është një piketë starti dhe duhet të gdhendet si fillimi i bibliografisë artistike shqiptare për lexuesit e moshave të njoma.” Viti 1886, që Astriti e ka përcaktuar si pikënisje të zhvillimit të letërsisë për fëmijë, ka simbolikën e vet, ka simbolikën e dritës së veprave për fëmijë të Naim Frashërit dhe Këndimit të çunavet këndonjitoreja dhe sidomos të vëllimit ‘Vjersha për mësonjëtoret e para’, në të cilin ndeshim vjersha me motiv patriotik, ndonjë e karakterit didaktik, shkencor, disa fabula të La Fontenit, të përshtatura si dhe sentenca e mendime të urta.

Natyrisht, viti 1886 na i bën të freskëta vargjet e qiririt, që simbolizojnë Naimin si misionar të dritës, misionar të iluminizmit, poet të përkushtimit mendor, moral e atdhetar, poet edukator dhe udhëheqës shpirtëror të popullit, poet të qëllimeve të larta njerëzore, morale, poet të porosive të mëdha, poet që u vu në shërbim të shqiptarëve dhe njerëzimit, poet që gjuhën shqipe e bën madhështore, poet që Shqipërinë e ngriti në kult, duke i krijuar asaj imazhe idealizuese, poet që te shqiptarët shpërndante shpresë e besim, poet që në Shqipëri natën e shihte tjetër natë e ditën tjetër ditë. Dhe mbase autorët e këtij fjalori enciklopedik, duke marrë parasysh se veprat e Naimit përkojnë me veprat e mëdha të letërsive botërore, me arsye të shëndoshë zanafillën e letërsisë artistike për fëmijë e të rinj e nisin pikërisht me emrin dhe veprat e Naimit.

Këto mendime, që i shpërfaqëm rreth vitit 1886, të cilin autorët e marrin si nismë të letërsisë, në mënyrë më bindëse do t’i thotë akademik Qosja, kur thekson: “Duhet shikuar letërsia dhe kultura shqiptare përpara dhe duhet shikuar letërsia dhe kultura shqiptare pas Naim Frashërit për të parë se sa i madh, se sa historik është ndikimi i veprës së tij në tokë.”

Mendoj se këto kanë qenë pa dyshim arsyet e qëllimet që Astriti e Migena, të frymëzuar nga veprat e Naimit, kanë marrë si pikënisje të letërsisë artistike për fëmijë e të rinj vitin 1886. Kur kihen parasysh këto të dhëna për dhe rreth konstatimeve që lidhen me disa çështje të mprehta; me letërsinë, me autorët e saj, me fillimin e ndonjë letërsie a lëvizjeje letrare, vlerësimet e mendimet e studiuesve të huaj nuk duhet të marrin ndonjë përparësi karshi studiuesve shqiptarë. Këtë mendim e vlerësim e kam shprehur që më herët dhe kam thënë se është mirë të përkrahim punën e studiuesve të huaj, t’i respektojmë përpjekjet e tyre, por nuk mendoj se duhet t’i qesim përpara studiuesve tanë, ngase çdo studiues yni është më afër njohjeve dhe më me profesionalizëm do të flasë e do të hedhë dritë mbi këtë apo atë problem që lidhet me krijuesin e veprat e tij, sesa këtë mund ta bëjë një i huaj. Nuk e thotë më kotë fjala e urtë popullore: “Si të kruan dora jote, nuk të kruan e huaja.”

Këtë e them pa ndonjë të keqe, por krejt me qëllim që të mësohemi t’i vlerësojmë e t’i çmojmë pa ndonjë kompleks studiuesit tanë, pra, njerëzit që vijnë prej trojeve tona, sepse, thënë figurshëm, edhe ndër shqiptarë i kemi disa studiues e krijues, që shquhen me Iliadat e tyre.

E shoh të nevojshme të shtoj se ky fjalori enciklopedik është shkruar me dashuri dhe përkushtim të veçantë, e dihet, puna që bëhet me dashuri e profesionalizëm, sjell vepra me vlera të shumta në të gjitha rrafshet e mendimit shkencor. Po shprehem kështu, ngase autorët përfaqësojnë tipin e përkushtuar të studiuesit, të krijuesit, të historianit, të pedagogut dhe të intelektualit të përmasave të mëdha. Urimet e përgëzimet autorët jo vetëm që i meritojnë, por ato, si të themi, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për njerëz të dimensioneve të mëdha shkencore e me cilësi të larta njerëzore, siç janë autorët. Urimi dhe nderimi bëhet edhe më i veçantë, kur kihet parasysh se Astriti e Migena me këtë fjalor enciklopedik po u dhurojnë një gëzim të ligjshëm të gjithë atyre që në një mënyrë a në një tjetër e kanë për zemër e për shpirt letërsinë për fëmijë e të rinj si dhe kulturën e vlerat e pasura të kësaj letërsie, prandaj edhe fjalori enciklopedik, si gjithë veprimtaria krijuese e Astritit, është një kontribut i rëndësishëm për letërsinë, për fëmijët në veçanti, dhe për shkrimtarët e studiuesit e saj, në përgjithësi.

Duke pasur parasysh veprimtarinë e pasur të Astritit në harkun kohor prej 50 vjetësh dhe punën e zellshme e të vyeshme të Migenës - në nderim e respekt të tyre, u uroj shëndet dhe punë të frytshme në nxjerrjen në dritë të veprave të reja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat