Biblioteka e qytetit në Mitrovicë "Latif Berisha" pasurohet me tituj të rinj

Libra

Biblioteka e qytetit në Mitrovicë "Latif Berisha" pasurohet me tituj të rinj

Më: 24 janar 2018 Në ora: 19:37
Ilustrim

Sot, në bibliotekën e qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha” është implementuar projekti “Libri, Miku Yt” që ka ardhur si ide dhe projektim i disa të rinjve mitrovicas, të mbështetur nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit – IOM, në kuadër të shumë aktiviteteve të saj në qytetin e Mitrovicës.

Në evenimentin përmbyllës, kanë marrë pjesë përfaqësues nga IOM, Komuna e Mitrovicës, zyrtarë të Bibliotekës dhe Drejtorisë së Arsimit, anëtarë nga rrjeti i bizneseve dhe përfaqësues të të rinjve mitrovicas.

Projekti pasuron bibliotekën me tituj të rinj, përfshirë të gjitha sektoret. Ideja ka ardhur nga aktivitetet për dialog dhe trajnimet e ndryshme që IOM ka mbajtur në qytetin e Mitrovicës vitin që lamë pas, duke grumbulluar në tryeza dialoguese të rinj të këtij qyteti, të cilët kanë përpiluar ide të ndryshme se si të ndryshoj komuniteti në të cilin ata jetojnë, përballen dhe mëtojnë përmirësimin e tij, nëpërmjet angazhimit dhe aktivizimit gjithshoqëror.

Anëtarët e grupit vullnetarë Ardita, Bardha, Bujari dhe Sara, e cilësuan projektin si të dobishëm për komunitetin dhe falënderuan mbështetësit në rrugëtimin e tyre drejt finalizimit me sukses te projektit "Libri Miku yt". Ajlin Mehmedi dhe Besart Peci, punonjës dhe përgjegjës të aktiviteteve të IOM në Mitrovicë, thanë se bashkëpunimi me ideatorët ka qenë i jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin e kontributit në përmirësimin e këtij institucioni, por edhe për vullnetin dhe angazhimin e palodhshëm të tyre, si në tryezat e dialogut dhe aktivitetet e tjera, ashtu edhe gjatë implementimit të projektit. Ata kanë falënderuar organet komunale dhe punonjësit pranë Bibliotekës “Latif Berisha” për bashkëpunimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat