Vepra e vetmisë së madhe – Ligatina e Musa Ramadanit

Libra

Vepra e vetmisë së madhe – Ligatina e Musa Ramadanit

Nga: Fatbardha Statovci Më: 29 janar 2018 Në ora: 18:09
Fatbardha Statovci

Në esenë e tij kushtuar veprës Ligatina, të Musa Ramadanit, studiuesi i njohur i letrave shqipe Sabri Hamiti, shkruan: Romani Ligatina i Musa Ramadanit u përket librave që lexohen me shkrim, me laps në dorë dhe durueshëm, për të mos thënë edhe duke kërkuar mundimshëm. Leximi i tij me shkrim nënkupton një lexim si rindërtim të kuptimit të plotë të tij.[1] Qysh në takimin me faqet e para të veprës, lexuesi bindet për këtë konstatim të drejtë,  meqë Ligatina, vërtet,  radhitet në rendin e librave të shkrueshëm, scriptible, në rendin e librave ku lexuesi “i ndihmon” autorit në plotësimin e mozaikut polisemantik të veprës.  Kjo vepër, e shkruar nga një prozator fort i veçantë, përbëhet nga një varg minisistemesh alegorike e metaforike, që, të unifikuar, paraqesin sistemin e madh e të ndërlikuar metaforik e alegorik, i cili gëlon nga ambiguiteti i fjalive e frazave. Për fabulën e kemi gati të pamundur të flasim, ngaqë autori e copëton skajshmërisht atë, s’e ndjek modelin klasik fillim-mes-fund dhe s’i jep rrjedhë lineare zhvillimit të ngjarjes. Kur ndalemi te struktura shohim një soj kompleksiteti në ndërtimin e emërtimin e kapitujve e nënkapitujve. Vepra përbëhet nga shtatë kapituj (të degëzuar në dhjetra nënkapituj me emërtime të çuditshme e interesante – hasim madje emërtimin e nënkapitujve, përveç se me shkronja, numra e fjali, me yllka):

A do ta takoj
Ku do ta takoj
Si do ta takoj
Kur do ta takoj
Pse ta takoj
Nëse (fare) s’e takoj
Çka, kë, cilin ta takoj

Për dallim nga nënkapitujt të cilët rrëfehen nga goja e narratorit të gjithëdijshëm, kapitujt janë monologje të protagonistit të veprës, Abas Gurit, i cili, përmes këtij rendi suksesiv të ndërtuar në bazë pyetjesh, shpalos gjithë jetën, botëkuptimet, idetë, misionin e objektivin e tij jetësor. Karshi dhe skaj tij rri konglomerati i personazheve të funksionalizuara në vepër që janë përherë të rolit dytësor, parcial, dhe që, në një mënyrë a tjetrën, lidhen me shtjellimin e idesë (ideve) kryesore të romanit. Një fjali që do të mund ta përmblidhte gjithë fabulën do të ishte: Abas Guri, 30 vjeçar, kthehet nga Anadolli në vendlindje, Gjilan, për të marrë hakun e babait të vrarë, por dështon ta bëjë këtë, meqë, në fund, e vrasin edhe atë vetë. Vërtet, kjo është ideja e planit të parë në roman, por jo edhe e vetmja. Si derivat i kësaj të parës, vjen menjëherë çështja e shpërnguljes, braktisja e vendlindjes, asimilimi atje diku tutje – tëhu nëpër botë, humbja e veçantive të nacionit – pra, kulti i vendlindjes -  pastaj njohja e vetes e njohja e rrethit, lufta e hatashme me strukturat e brendësisë, identiteti i çarë, shndrrimi i krejt jetës në një objektiv e pasojat që rrjedhin nga kjo, lufta e madhe mes harresës e kujtesës, mes së kaluarës e së ardhmes dhe, si kulm, çështja e vetmisë, e tipit vetmitar.

Simbolika brenda Ligatinës

Ligatina nuk jep përfundime, ajo sugjestionon. Dhe sugjestionon vazhdimisht e pambarimisht. Gëzon një strukturë të hapur nëpër të cilën endet lexuesi, duke shtuar, plotësuar, vënë pikëpyetje të mëdha e zgjidhje potenciale. Secila fjalë i shëmbëllen rrjetit të madh konotues duke rrëzuar kështu përfundimisht planin denotativ tekstual. Pra, çdo gjë është e figurshme, metaforike e alegorike, duke filluar nga vetë titulli i veprës: LIGATINA. Në fjalorin e gjuhës shqipe e gjejmë të përkufizuar kështu: vend i lagësht e me bar; tokë që mban gjithnjë ujë; moçalishte. Ky, pra, është kuptimi i parë, denotativ, sipërfaqësor i termit. Por, brenda veprës merr konotime të ndryshme. Kështu, e para e punës, ligatina lidhet me toposin e veprës: Vetë ndërtimi i Gjilanit mbi ligatinën e gjerë... [2], terren që gjendet në Luginën e Moravës. Më thellë, kjo ligatinë, ky moçal që është vendlindja e protagonistit tonë, Abas Gurit, e tërheqë atë pafundësisht dhe e “ngreh brenda” saj, si një magnet i zi tërheqës. Ajo dëshirë e paepur për njohje me tokën e babait, për kryerjen e amanetit të heshtur, i kthehet bumerang Abasit, duke vazhduar e plotësuar edhe më tragjizmin e fatalitetin. Ligatina mund të na zgjojë edhe lidhje tjera asociative, fjala bie, për shembull, me çështjen e plagës së hapur të vrasjes së babait të Abasit e, më vonë, edhe me vrasjen e tij, plagë që s’u mbyll, por mbeti e hapur, e lëngshme. Simbolikë bart edhe emri i personazhit kryesor të veprës: ABAS GURI. Kur orvatet të gjurmojë lozën e thellë të shtëpisë Abasi skematizon kësisoj:

Abasi i Arifit, Arifi i Hajdinit, Hajdini i Hajdarit, Hajdari i Selimit, Selimi i Selmanit, Selmani i Abasit, Abasi i?... Abasi i?... A-ba-si... i... Gu-rit... Abas Guri![3]

Pra, morferma “guri” është totalisht e motivueshme dhe lidhet me frazën që shqiptohet disa herë në roman: E guri peshon gjithkund, po më rëndë vjen në vendin e vet,[4] e që lidhet me idenë e shpërnguljes së Abas Gurit e familjes së tij për në Anadoll, jetën larg vendlindjes dhe ëndrrën e kthimit në të:

Pandehte: cilësdo rrugë që të nisesh, të shpie drejt e në vendlindje. Zemra e di udhën edhe nëpër tokë, edhe nëpër ajër e edhe nëpër det. [5]

Jo rastësisht edhe njëri ndër të shpërngulurit gëzon të njëjtin mbiemër: Selman Guri. Kjo ide e shpërnguljes merr përmasa të gjera brenda veprës, saqë lirisht mund të shihet e trajtohet krahas idesë esenciale që është gjakmarrja. Kështu, rend e rend, shpërngulen: hoxhollarët, Farush-xherahu, açkesha Fatma, Selman Guri, Salim-qenefxhiu, hoxha i vjetër i Dere-mëhallës, qerhanexhiu, pushkëtari, etj.

Tjetër simbolikë që hasim në vepër është edhe figura e gojës së hapur që, padyshim, simbolizion humbellën e madhe në të cilën bie Abasi. Figurën e gojës së hapur e hasim te këpucët në dyqanin e këpucarit (në fakt, është shëmbëllimi i tyre që i ngjan gojës së hapur), personazhi tullac, gravura me kafshën gojëhapur, kufoma e paprishur e ushtarit me gojën hapur, goja e hapur e pasqyruar në fytyrën e gjerë të Banjës, burri topolak me gojë të hapur, që ishte njeri i shndërruar në gojë, ose gojë-njeri, etj., që na sipkasin idenë e varrit – autori vetë varrin e formulon në këtë formë: goja e tokës. Pastaj simbolika e zërave që dëgjon Abasi në han, natën, në vetmi:

Thirrjet e një fëmije të humbur, që ia kujtonte zërin e vet të miturisë. Një këngë burrërishte, që i ngjallte melodinë e babait të tij të ndjerë. Kujën e një pikuleshe, që e therrte posi vaji i tretur i nënës së tij. Hingëllimën e një kalushi të braktisur, që i vinte mu si mallkimi i gjokut të vet skurrjalë. Gajasjet e një plakruqi, që e gërguste njësoj si zëri i një fqiu të vdekur. Shkrehjen e një pushke të vetme, që i ushtonte në kokë si e shtëna e dorasit të babait. Ulërimën e një ujku, që e trazonte si kanosja e ngjallur e tërborë e hasmit.[6]

Pra, i gjithë ky konglomerat zërash që absorbon zëri i Abas Gurit shpërfaqin mikrobotën e tij mendore e spirituale në të cilën e me të cilën rron ky i fundit, shqetësimet e preokupimet që janë pjesë e pashkëputshme e jetës dhe përditshmërisë së tij. Kemi edhe simbolikën e Sahat-kullës dhe varreve që paraqesin vjetërsinë e rrënuar, qëndresën e shkatërruar, dëshminë e të ekzistuarit, historinë e fshirë. Varret rrënohen, mbi to konstruktohen ndërtime të reja, e Sahat-kulla prishet e çmontohet, duke u çmontuar me të edhe identiteti qytetas i gjilanasve. Idenë se Sahat-kulla lidhet pashmangshmërisht me kultin e qëndresës na e përplotëson fakti se ajo i rezistoi zjarrit të 1830-ës, i cili përpiu çdo gjë:

Sahat-kullën nuk e rrëzuan ditën, por natën. Nuk e shembi as zjarri, as era e as tërmeti e as uji i Banjës. Nuk e zhguli prej tokë perëndia ose mallkimi i tij. këtë nam, ja, e bënë njerëzit, ndoshta vetë gjilanasit. Inati, smira e lakmia e tyre. Madje – në pikë nate... pse, nuk mund ta duronin hijeshinë, qëndresën e krenarinë e saj...[7]  

Vepra strukturohet dhe funksionon mbi bazën e një simbolike të shtresuar shumëfish, duke lënë vend për interpretime të shumta. Të paskajshme.

Vetmia dhe tipi vetmitar

Gjatë gjithë veprës e kemi të shprehur një binom: Abas Guri dhe të tjerët. E gjithë rrjedha zhvillohet brenda një qyteti, brenda Gjilanit, shpaloset gjithë jeta, veset, virtytet, historia e tij, hallet e problematika e jetës së njerëzve të tij. Mbi këtë pohim mund të ndërtohet gabimisht teza se i vetmi tip vetmitar këtu është Abas Guri. Jo. Edhe brenda turmës së gjilanasve kemi soj të tillë vetmitar njerëzish. Vetmia është njëra ndër shënjestrat që rrok, me më së shumti vëmendje, Ramadani. Po nisim me Abasin, për të vazhduar në mënyrë skematike shpalosjen e idesë së vetmisë që fle brenda qenies së individit. Abasi portretohet aq tip i vetmuar sa brenda qenies së tij zhvillohet një luftë e hatashme mes tij dhe një shtrese më të thellë të personalitetit të tij, një luftë konstante, ku njëra pjesë i kundërvihet tjetrës pareshtur:

...fliste një zë që mbase ishte zëri i tij.[8]

Të përfolurit që ia bën atij masa e popullatës gjilanase, kureshtja e madhe e interpretimet e shumta të ardhjes dhe qëndrimit të tij në Gjilan, i hedhin atij velin e një misterioziteti të çuditshëm i cili bëhet shkaktar i një ndarjeje strikte mes tij dhe të tjerëve si dhe i përforëcimit të vetmisë si tempull ku Abasi ka lënë kokën e trupin. Mbyllja në vetvete e vetmi gjenerohet më së shumti si pasojë e synimit parësor jetësor të tij: hakmarrja. Ky synim i verbër e ka kthyer tërë qenien e tij në një qëllim: të vrasë.

Të zhgarkohem nga reja e gjakut të zi e të keq. Ajo që më mplaku para kohësh, por nuk më molisi dot. Që më hodhi nga shtrati i jetës si një send të humbur, sa më duket se nuk i hyj në punë më kuj, e mbase në një mënyrë as vetvetes...[9]

Edhe tërheqja që ndien ai për tipat vetmitarë është e një natyre të veçantë e karakteristike:

Nuk mund t’ia ndante sytë njeriut të vetmuar, të cilit as fatkeqësia më e madhe nuk do t’ia vizatonte më bindshëm poretretin. As merrte guxim t’i afrohej e as i jepej të ngrihej shtorazi e të vazhdonte rrugën për në Han. Ndoshta i ngjallte ndonjë episod të kahmotshëm, pamje të ngjashme dëshpërimi ose ballafaqim të papritur me vetmimin.[10]

Kështu flet Abasi për Asllan çibukçiun, sojin të cilit i ngjan aq shumë.

Reja e vetmisë së madhe do t’i jetë zhgarkuar mbi kokë me humbjen e babait, përkatësisht mënyrën si e ka humbur, pasi që, në asnjë mënyrë, nuk është e njëjta gjë, shpërngulja nga vendlindja e, në fund, kthimi në vendlindje që e shtyn në krahët e përjetimeve të ndryshme që vijnë si rrjedhojë e ballafaqimit të fëmijërisë, së kaluarës dhe së tashmes së pashpresë. Vetmia e rrudhë, e tretë, e mbytë:

I shëmbëllente cigares mes buzëve që zvogëlohej, rrudhej e sosej qetisht, pa fjalë, në vetmi.[11]

E tëhuajson, e distancon të tjerët e nga vetë jeta:

Tek ndjente lëvarjen e gurit të vetmisë në qafë dhe kërkëllimën e blindimit të tëhuajsimit në zemër, u rrëmbye vetiu posi bishë e vetmuar.[12]

Aq shumë sa dyshon në të qenët e vet:

Mori veten vetëm atëherë kur preku trupin e vet që iu bë më shumë i huaj se i veti.[13]

Vetmia portretohet bukur e figurativisht edhe me figurën e gogolit ngulur në fushë, për të vazhduar me plakun i cili jeton i vetëm njëzet vjet e, më pas, vdes, me plakun me kapelë të zezë e rrumbullake, me burrin në kafene e, sidomos, me lojën tejet të figuruar me gjymtyrët e tij – duar, ku njëra sosh mungon, me Sheh-Rasimin, shtëpinë e madhe të vetmuar që e soditë Abasi, varrin e vetmuar mes tokës së varrezave, etj., që, së bashku, dritëzojnë idenë e vetmisë së madhe në kornizat brenda së cilës sillet soji njerëzor. Vetmia, në rastin e Abas Gurit, shihet si cytës për soditjen e gjërave në mënyrë përçudnuese. Brenda trurit të tij vlon vorbulla shakulluese e interpretimeve, ndonjëherë edhe kuazi banale, të gjërave deri te detaji më i vogël e cikërrimtar duke i vendosur këto të fundit në lidhje të largëta – shumë të largëta – asociative. Ndikimi i faktorit vetmi në gjendjen mentale të Abasit është i dorës së parë. Abasi s’ia doli të ambientohet askund. Në Anadoll e ndoqi hija e hakmarrjes dhe e vendlindjes e në vendlindje hija e gjakësit të babait, dora vrastare e tij dhe vdekja.

Përfundimisht, Ligatina është vepër e një vetmie të madhe. Vetmie të pashoqe.

Literatura:

Musa Ramadani – Ligatina, Rilindja, Prishtinë, 1989

Sabri Hamiti – Letërsia bashkëkohore, Faik Konica, Prishtinw, 2002

[1] Sabri Hamiti, Letërsia bashkëkohore, Faik Konica, Prishtinë, 2002, fq. 301

[2] Musa Ramadani, Ligatina, Rilindja, Prishtinë, 1989, fq. 353

[3] Po aty, fq. 412-413

[4] Po aty, fq. 67

[5] Po aty, fq. 78

[6] Po aty, fq. 420-421

[7] Po aty, fq. 479

[8] Po aty, fq. 29

[9] Po aty, fq, 150

[10] Po aty, fq 125

[11] Po aty, fq.131

[12] Po aty, fq. 132

[13] Po aty, fq. 132

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat