Botohet libri “Media dhe Integrimi Europian”

Libra

Botohet libri “Media dhe Integrimi Europian”

Më: 16 shkurt 2018 Në ora: 14:56
“Media dhe Integrimi Europian”

Shtëpia botuese “Orfeu” nga Prishtina sapo e ka hedhur në treg librin “Media dhe Integrimi Europian” të autorit Arben Fetoshi.

Libri i Dr. Arben Fetoshit ofron ofron një perspektivë të qartë mbi rolin e pazëvendësueshëm të mediave dhe ndërvarësinë e tyre me politikën në proceset demokratike, shpjegon marrëdhëniet e trazuara ndërmjet politikës, medieve dhe shoqërisë si pasojë e ndikimit të teknologjisë digjitale, dhe duke hulumtuar rastin e Kosovës, e qartëson rrugën e saj të vështirë në Agjendën Europiane.

Shqyrtimi i rolit të medieve në raportin aktual ndërmjet BE-së dhe qytetarëve të saj të rrjetëzuar (homo-net) në kontekst të kërcënimeve nga euroskepticizmi, dhe ekzaminimi i politikës mediale të BE-së si një përpjekje për zgjidhjen ideale në mes të vlerave fundamentale dhe efekteve fragmentare të teknologjisë së Internetit, e bën librin jo vetëm një kontribut për studimet e medieve, por edhe një kornizë praktike për sendërtimin e një partneriteti funksional ndërmjet politikës e medieve në shërbim të demokracisë. Në këtë kuptim, ky libër iu duhet gazetarëve, studentëve dhe zyrtarëve shtetërorë.

Dr. Arben Fetoshi është gazetar dhe studiues i medieve e komunikimit. Ka përfunduar studimet për Drejtësi, magjistruar në drejtimin Juridik-Ndërkombëtar, kurse studimet doktorale, për shkak të përvojës së gjatë në media, i ka përfunduar në Degën e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar në medie të ndryshme si gazetar, redaktor dhe drejtues, ndërsa vazhdon në RTK-Radio Kosova.

Libri “Media dhe Integrimi Europian” që nga sot mund të gjendet në libraritë kryesore të Prishtinës, ndërkaq nga java e ardhshme edhe nëpër qendra të tjera të Kosovës, njofton “Orfeu”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat