Vështrim për librin “Jetë e bujshme …” të Behxhet Z. Zeqirit

Libra

Vështrim për librin “Jetë e bujshme …” të Behxhet Z. Zeqirit

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 17 qershor 2018 Në ora: 09:56
Kopertina e librit

Nisur nga vetë titulli i librit “Jetë e bujshme …” shohim se kemi të bëjmë  me një jetë me plotë ngjarje  të përjetuara nga autori dhe jo vetëm nga ai.

Ndonëse autori fletë për jetën e tij nëpër të cilën ka kaluar, ai lexuesit i sjell një varg ngjarjesh të përjetuara dhe po ashtu gërshetohen ngjarje dhe personazhe tjera të shumta.

Autori librin e ka konceptuar ne tri pjesë, ku në pjesën e parë pas një njoftimi për prejardhjen e familjes, flet për jetën dhe veprimtarinë  e tij e jo vetëm të tij që nga lindja e tij e deri ne vitet e 90-ta. Ndërsa në pjesën e dytë e sjell ditari e tij të luftës së fundit duke filluar nga 24 dhjetori 1998 e deri në çlirimin e vendit. Ndërkaq në pjesën e tretë  autori sjell disa krijime letrare të autorit si dhe një album me foto të ndryshme familjare dhe nga aktiviteti i autorit ndër vite.

Çdo lexues  i librit “Jetë e bujshme …” të autorit Behxhet Zeqiri gjen diçka nga jeta  e tij e sidomos lexuesit që kanë jetuar dhe vepruar në atë kohë dhe në atë rreth ku jetoi dhe veproi autori.

Libri nis me një njoftim për prejardhjen e familjes së autorit ku sipas tij  të parët e tyre erdhën nga Mirdita në Shalë të Drenicës e për të ardhur pastaj në Gollak, përkatësisht në Orllan. Nga kjo familje e ardhur aso kohe në këtë mes tani janë shtatë fshatra të Gollakut të fisit Shalë.

Autori flet për vuajtjet e të parëve të tij që asokohe  ishin vuajtje pothuajse  të tërë popullatës shqiptare në këto anë ngase  okupatorët ndërroheshin herë njëri e herë tjetri  e për shqiptarët secili ishte më i zi se tjetri.

Më tej autori flet për jetën e tij që nga lindja (1946) dhe fëmijërinë e tij shumë të rëndë. Pastaj për fillimin e shkollimit të tij me një vonesë prej tri vitesh. Fletë për mësuesit, nxënësit, shkollën, aktivitetin e tij në shkollë në organizatën e rinisë. Ai nuk harron që tu falënderohet edhe atyre që e ndihmuan gjatë shkollimit ku si nxënës  i mundësuan që gjatë pushimeve verore të  punojë në Kooperativën bujqësore  dhe në komunën e Orllanit. Me mjetet që aty i merrte ai i siguronte mjetet dhe tekstet shkollore dhe gjërat tjera të nevojshme për vitin vijues të shkollimit,po  edhe për ta ndihmuar sadopak familjen e tij, ngase familja si edhe shumë familje tjera të asaj kohe  jetonte në varfëri të madhe.

Ai me theks të veçantë flet për aktivitetin e tij rinor dhe aksionet  në të cilat merrte pjesë e që fal këtij aktiviteti ai dy herë ishte përzgjedhur që të qëndroi në pushimoren në Nashec të Prizrenit dhe në Deçan ku me nostalgji flet për ditët e kaluara atje. Përpos në Orllan ai aktivitetin rinor gjatë shkollimit e vazhdoi edhe në Podujevë e Prishtinë.

Pas mbarimit të Shkollës Normale  ai filloi punën e mësuesit në fshatin Rakinicë, aty ku e kishte nisë edhe mësimin si nxënës për herë të parë. Në arsim punoi deri në vitin 1973 kur edhe zgjidhet Kryetar i KK të LRS në Podujevë ku qëndroi dy mandate,e më pas u zgjodh sekretar i BVI së atëhershme të kulturës (edhe aty dy mandate) dhe për të kaluar më pas në detyrën e Drejtorit të Qendrës së Kulturës  në të cilën detyrë qëndroi deri në vitet e 90-ta  kur edhe atë  si gjithë punëtorët në Kosovë e nxori nga puna  okupatori serbosllav që në këtë kohë në Kosovë shtriu okupimin klasik.

Në kohën e okupimit klasik të Kosovës dhe kur arsimi shqip nuk u dorëzua ndonëse në kushte të vështira zhvilloi procesin edukativo arsimor, Behxheti u lajmërua në Këshillin e Arsimit në Podujevë dhe shprehu gatishmërinë që edhe ai të bashkëngjitet  në procesin mësimor dhe të jap kontributin e tij si mësimdhënës  i kualifikuar që ishte për gjuhë dhe letërsi shqipe. Kështu ai u caktua mësimdhënës në shkollën e fshatit Herticë, punë të cilën e kreu deri në pensionimin e tij (2011).

Kështu ai punën e nisi si mësimdhënës dhe e përfundoi si mësimdhënës ndonëse gjysmën e përvojës së punës e kaloi në udhëheqjen shoqëroro-politike në komunën e Podujevës.

Autori në librin e tij flet edhe për shumë ngjarje nga jeta, si ngjarje private ashtu edhe për ngjarje që i takojnë shoqërisë  së gjerë. Fletë për protesta e demonstratat të organizuara nga rinia përparimtare  që nuk pajtohej dot me regjimin serbosllav. Flet po ashtu edhe për  ngjarje personale  që i kanë ndodhur kudo që ka punuar dhe vepruar madje edhe për padrejtësi  të ndryshme të asaj kohe që i janë kurdisur nga njerëz të caktuar.

Të gjitha këto ngjarje autori i sjell në mënyrë kronologjike  sipas kohës së ndodhjes deri në luftën e fundit, në luftën e lavdishme të UÇK-së, kur njëherë e përgjithmonë u përzu nga këtu okupatori shekullor sebosllav. Për kohën e luftës dhe përjetimet e tij ai sjell disa kronika nga ditari i ti.

Autori sjell shumë ngjarje e kujtime që kanë lënë mbresë në kujtesën e tij, por që tash i lenë të shkruara edhe për të tjerët që ato përherë t’i rikujtojnë  nëpër kohë.

Ai në këto kujtime ka qenë besnik dhe pjesëmarrës  i drejtpërdrejtë, duke u nisur nga vendlindja, nga shkollimi, vendet ku punoi e veproi etj.

Librin ‘Jetë e bujshme …”  e pasurojnë edhe një varg fotografish që janë për ngjarje dhe kohë të caktuara, po edhe foto familjare. Mandej disa krijime letrare të autorit që i kanë shpëtuar kohës bashkë me ditarin e jetës që e ka mbajtur gjatë gjithë kohës së luftës në xhep dhe ka evidentuar ngjarje  edhe nga kjo kohë.

Shpresoj se libri do të pritet mirë nga lexuesi e sidomos nga familjarët e autorit dhe të gjithë ata që janë pjesë e librit dhe se botimi i tij e arsyeton mundin e autorit që mbajti ditar pothuajse gjithë jetën dhe tash pasardhësve ua len dëshmi të jetës  dhe kohës në të cilën jetoi dhe veproi autori.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat