Synohet vetëdijesimi për lexim përmes ambasadorëve të Librit

Libra

Synohet vetëdijesimi për lexim përmes ambasadorëve të Librit

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 16:49
Synohet vetëdijesimi për lexim përmes ambasadorëve të Librit

Gjatë festivalit “Prishtina Lexon”, organizata jo qeveritare “ETEA” lansoi fushatën elektronike #BookAmbassadors, përmes së cilës artistë, profesorë e gazetarë, duke treguar përvojat e tyre me librin, tentojnë ta përçojnë rëndësinë e të lexuarit.

Erza Kurti, zyrtare për komunikim dhe koordinatore e kësaj fushate në ETEA, ka thënë se kjo organizatë ka për qëllim edukimin publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit te të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë, andaj edhe e kanë nisur një aktivitet të tillë.

“Një prej aktiviteteve që përkon me qëllimin e nxitjes dhe kultivimit të kulturës së leximit në shoqëri është kampanja online #BookAmbassadors. Me këtë kampanjë synojmë që bashkë me figurat publike, kryesisht komunitetin artistik, ta bëjmë çështje diskutimi librin dhe leximin në komunitetin tonë, dhe njëkohësisht bashkarisht të ndikojmë mbi ndjekësit apo përkrahësit e figurave publike që të marrin një mësim apo shembull të mirë nga këta të fundit”, ka thënë Kurti.

Në një intervistë, Kurti ka treguar se po synojnë ta zgjerojnë këtë kampanjë dhe presin që t’i bashkëngjiten sa më shumë njerëz.

“Ne qëllimisht kemi targetuar fytyra publike të komunitetit artistik, profesorë universitar dhe të tillë nga shoqëria civile. Gjithsesi, në të ardhmen nuk e përjashtojmë mundësinë e përfshirjes së krerëve të institucioneve relevante, përkatësisht atyre të kulturës dhe arsimit”, ka thënë Kurti.

Ajo ka treguar se kanë përdorur emrin ‘”ambasadorët e librit”, në mënyrë që personat që e marrin këtë titull, ta promovojnë çështjen e librit dhe leximit te të tjerët.

“Në kuptim të përgjithshëm, ambasadori është një person që vepron si përfaqësues ose promovues i një aktiviteti apo një çështjeje të caktuar. Në këtë rast, personat e përfshirë në kampanjë mbajnë këtë titull meqë përfaqësojnë lexuesin dhe promovojnë rëndësinë e librit”, ka thënë Kurti.

Një nga ambasadoret e librit të kësaj kampanje, këngëtarja Elina Duni, ka thënë se si e vogël është rritur duke pasur shprehi  leximin, ka treguar librat e saj të preferuar dhe ka folur për rëndësinë e të lexuarit.

“Sot ka ardhur koha të lexojmë, të informohemi nga njerëz të cilët kanë kaluar shumë kohë përpara se të shkruajnë një libër. Dhe, nuk janë thjesht informacione në Facebook ose çfarë thuhet në televizion”, ka thënë Duni për kampanjën Ambasadorët e Librit.

Ndërsa Malda Susuri përmes kësaj kampanje, ka rekomanduar të rinjtë që të mbajnë gjithmonë libra me vete.

“Ju lutem, mbani një libër me veti, në rast se shoku apo shoqja iu vonohet – sigurisht që na ndodhë shumë shpesh të na vonohen shokët dhe shoqet – mos rrini në telefon, por lexoni së paku një paragraf”, ka thënë Susuri për këtë kampanjë.

Kjo kampanjë e cila filloi në kuadër të festivalit “Prishtina Lexon” po vazhdon të realizohet në rrjetet sociale zyrtare të organizatës ETEA-s nën hashtag-un #BookAmbassadors.

Deri më tash, pjesë e kampanjës “Ambasadorët e Librit” janë: Elina Duni, Teuta Krasniqi, Kushtrim Hoxha, Jeta Xharra, Genc Salihu, Malda Susuri, Sabri Fejzullahu, Gëzim Selaci, Fitim Uka, Arta Selimi, Dashamir Bërxulli dhe May-Linda Kosumovic.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat