Poezi e fuqishme me tematikë shoqërore ("duke shtrydhë e duke mjelë"… e poetit Azem Osmani)

Libra

Poezi e fuqishme me tematikë shoqërore ("duke shtrydhë e duke mjelë"… e poetit Azem Osmani)

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 00:23
Fetah Sheholli

Vjersha "DUKE SHTRYDHË E DUKE MJELË"... e poetit Azem Osmani është interesante dhe tërheqëse me temën që trajton. Bukur moti nuk kam lexuar krijim poetik më të qëlluar për një segment të aktualitetit tonë të cilin, politikanët tanë lakmitarë pas pasurisë përrallore, e bënë kaotik. Në thumb të penës së mprehtë të poetit shenjohet: shpërdorimi dhe zhvatja e parasë së shtetit të Kosovës. Është shkruar me një gjuhë krejt figurative por fort të lezetshme e tepër lehtë për ta zbërthyer e për ta kuptuar. 
Poeti e sjell në njëjës por, mjeshtrisht me nëntekst, na e jep shumësin e shumëfishuar. Lopa, këtu, paraqet Kosovën e ngratë që u "mol" pamëshirshëm nga politikanët tanë të pandergjegjshëm e të pashpirtë. Duket se kanë kullotur e rruar çdo gjë, prandaj, në fund, hangrën edhe rrozginat, pale, mos edhe ato kanë ndonjë vlerë. Prandaj, vjershëtari me pezm që në fillim tërheq vërejtjen:

E moli lopën balokë
Pikë qumështi as për ilaç s'i la

Luksi i tipave të tillë është vetëm shkëlqim i jashtëm sepse ata kanë jetë të zymtë, të rëndë, të idhtë-pelim, të shthurur e me gjynahe shumë...Bien e nuk flejnë, zgjohen e nuk rehatohen...Mizën e kanë tek veshi: mos po u trokit dikush në derë, ndonjë hetues a polic, prokuror a zyrtar shteti, për vjedhjen e parasë së popullit a keqpërdorim pozite, për ryshfet a për haraç...Me një fjalë: për faqe të zezë! Ka të drejtë, prandaj, poeti i angazhuar Azem Osmani kur shkruan:

Këtij grykësi prej ujku
Jeta së prapthi i vajti
Duke shtrydhë e duke mjelë

Këta matrapazë politikë operojnë natën, nëpër errësirë fshehin paratë e zhvatura e plaçkën e grabitur. Ndërkaq, një pjesë e popullit kalojnë jetën në kasolla që shiun e as borën nuk e ndalin e fëmijët u mërdhihen nga të ftohtit e shumë të tjerë memzi mbesin gjallë me ato gjysmë rroga që marrin. Për këtë rrugë-shtrembër-shtruar e për këtë veprim të fëlliqur do t'i gjejë belaja sepse:

Mallkimet e përcëlluara nga mllefi
Qumështin ia tharbën
Erë e rëndë botën qelbësoi

Akuza e poetit në fund bëhet rrënuese, shkatërrimtare, për këta njerëz keqbërës. I paraqet krejt lakuriq: të pa ndjenja e pa dhembje kur fare nuk qajnë kokën për fëmijë me varfëri të skajshme që shihen kudo nëpër vendbanimet tona. Në fund poeti, me gisht, gërryen ndërgjegjen e tyre të vrarë kur thotë:

Sikur të përfytyronte këtë lëng të bardhë
Ashtu si shpirtin e njomë të foshnjës
Do ta vriste egon, e do ta hidhte
Në shëmbëtyrën e grykësisë

Vjershëtari Azem Osmani imponohet me guximin e vet të madh qytetar e njerëzor. Me kthjelltësi mendjeje e me qartësi vrojtimi depërton thellë në thelbin e kësaj dukurie të shëmtuar. Hiç nuk e teproj kur them se kjo poezi është një margaritar në fushën e lirikës sociale sot tek ne.

Zvicër, 30.08.2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat