Promovohet në dy vëllime Fjalori Enciklopedik i Kosovës

Libra

Promovohet në dy vëllime Fjalori Enciklopedik i Kosovës

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 13:08
Fjalori Enciklopedik i Kosovës

Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot u promovuan dy vëllimet e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.

Në këtë fjalor, në të cilin Kosova përfshihet si etnitet i veçantë politik, gjeografik, historik, ekonomik, arsimor dhe kulturor, punuan 72 studiues dhe 506 autorë, me kryeredaktor akademikun Mehmet Kraja. Aty  po ashtu janë përfshirë shqiptarët e Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës.

Kraja tha se për punimin e këtij fjalori kanë bashkëpunuar pesë vite, duke shtuar tutje se arritja më e madhe e këtij botimi është identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave.

Sipas tij, ky botim dëshmon se akademia ka potencial solid për projekte të tilla.

Kraja: Ky botim dëshmoi se kemi potencial për projekte të tilla

“Botimi i këtij fjalori ka dëshmuar se ne kemi potencial solid për projekte të kësaj natyre që nuk e kishim më herët dhe nuk e kishim në një përqendrim të tillë. Studies, profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë dhe njerëz të dijes, të mbledhur kështu së bashku, ndërsa kanë shkruar për gjeografinë e Kosovës, për historinë, për arsimin, artin dhe letërsinë, për informimin, për fusha të ndryshme të shkencës, pra të mbledhur së bashku, përbëjnë një zë të fuqishëm për Kosovën integrale”, ka thënë Kraja.

Këtë fjalor, kryetari i akademisë Nexhat Daci e vlerësoi si projektin më të madh të akademisë.

Daci: Ky fjalor është projekti më i madh i Akademisë

“Akademia e Shkencave dhe Arteve e  Kosovës realizoi projektin më të madh të kësaj akademie, me shumë mundim por edhe me shumë sukses. Prandaj, përgëzimet e mia shkojnë për tërë redaksinë, dhe në veçanti për kryetarin, akademikun Kraja. Për mu, është ndërtu paradhoma më e mire, që të vazhdojmë me enciklopedi. Shpresoj fuqishëm që kësaj radhe do të kemi sukses që të bëjmë enciklopedinë shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, e jo dy enciklopedi të ndara”, ka thënë Daci.

Në përgatitjen e këtij fjalori ka punuar redaksia qendrore e përbërë prej akademikëve Pajazit Nushi, Ali Aliu, Zeqirja Ballata, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Fejzullah Krasniqi dhe Mehmet Kraja.

Organizatorët kanë njoftuar se në këtë akademi do të formohet një redaksi e përhershme që vazhdimisht do të merret me përditësimin e të dhënave për botimin e dytë të fjalorit. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat