70 personazhe në 10 faqe!

Libra

70 personazhe në 10 faqe!

Nga: Mehmet Elezi Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 09:49
Kopertina e librit

Para pak ditësh në Tiranë, shkrimtari Arbër Ahmetaj, i cili për dhjetë vjetë rrjesht ka qenë bashkëpuntorë i gazetës sonë, botoi librin : 69 GRA - Gërmadhë letrare: as tregime, as novela, aq më pak romane -, Skanderbeg Books, 2018. Libri u prit me shumë interes nga lexuesit dhe kritika. Gazeta “Bota Sot” sjell për lexuesit e saj dy shkrime kritike mbi këtë autor dhe librin e tij të fundit. 69 GRA gjendet në libraritë “Buzuku” “Dukagjini” e “Artini”

1.
Ç’është ky libër “gërmadhë”?  Arbri është shkrimtar pa licensë zyrash. Para tridhjetë vjetësh paralajmëroi me një letër nga varri: po vij. Fantazma ia behu me romane, tregime, poezi.

Binin në sy tri tipare:

1. përqëndrimi te arti në qelizë, shpesh duke shpërfillur strukturat konvencionale të kompozimit letrar;

2. dendësia e dramës. Te Riva H., dhe jo vetëm aty, fjala dridhet prej tensionit të brendshëm;

3. një marrëdhënie e ndezur epshore midis prozës e poezisë. Nëpër shtratin surrealist të atij që njihet si përroi i ndërgjegjes, shpesh kufijtë e tyre shkrihen.
Artin nuk e shoh si mundim, por artisti jashtë protokollit është i munduar. Nuk je në listë, kush të ka thirrur, janë zënë vendet. Veç talentit, i duhet fuqi shpirtërore. Edhe fat.

2.
Fjala gërmadhë të tremb. Edhe kur është eufemizëm.

Arbri e ka në kuptimin estetik, si rrenim skemash.

Kam njohur një shoqëri ndërtimesh në Zvicër, presidenti i saj shqiptar, diku nga 2010-a, qe shpallur ndër 100 personalitetet zvicerane të vitit. Sot nuk më ndërmenden ndërtesat e bukura, as hollësitë e fillimit me një karrocë dore. Por një imtësi gati e pabesueshme nuk harrohet. Do të prishej një pyll i vockël për shesh ndërtimi, aty paskesh qenë një çerdhe lejlekësh. Një milion franga u shpenzuan me e ruejtë mirëqenien e shpendit elegant, duke rikrijuar diku tjetër habitatin e tij. Një shoqëri prozaike ndërtimi bën gërmadhë identitetin dhe financat, për një çift lejlekësh, por a është gërmadhë kjo?

Lejleku i një milon frangave rishfaqet në tregimin Ndërdyshaz. Për të ngushëlluar një mace rruge me kotelet e saj, djali rrenon shumëçka. Marrëdhëniet me të dashurën. Një kontratë me ngjitje në karrierë dhe me pare. Zgjon pikëpyetje për shëndetin e vet mendor. Fillimi absurd, flirt dashurie me një mizë, krijon përshtypjen e një skice për ndonjë snob trendy. Pastaj? Midis gërmadhës ngrihet Njeriu, Njeriu në art. Aq i vërtetë, sa duket e pamundur.

3.
Nuk di ç’kish në mend Gogoli, kur romanin Frymë të vdekura, një prej satirave më therëse të botës, e quajti poemë. 69 GRA, që i jep titullin librit, nuk është tregim. Është poemë e mirëfilltë.

Pse poemë? Lënda ngjizet me musht poetik, plot lirizëm. Një metaforë nuk ngjan me tjetrën. Asnjë epitet nuk rimerret. “E bukur si miskonjë. Flokët prej dielli e buzët prej prushi”. “Si stina. E dogji krejt barin e ngjyrës së syve të mi. Asnjë drenushë s’mund të kullosë më në gjelbërimin e tyre”. “Ti që kishe detin në shpirt, bëje plazh edhe në një lugë ujë. Edhe nën rrezen e diellit, që hynte nga vrima e çelësit”.

Asnjë epitet nuk rimerret? Ka një përjashtim. Thuajse të gjitha gratë e bukura të poemës kanë flokë të zinj, pendë korbi. Me gjasë ka ndërhyrë ai rrezatim që frymëzon vetvetishëm artin dhe jetën e Arbrit. Që quhet Fatmira. Pse poemë? Vepra s’ka fabul. Ka një thelb, ai vlon rreth asaj që njihet si mëkati i parë e që, siç duket, do të jetë edhe mëkati i fundit.

“Një mendje të thotë se mund ta lexosh edhe ndryshe: fillo në faqe të fundit e dil në faqe të parë. Piktori i madh amerikan Xhekson Pollok ndjek një filozofi të përafërt. Pikturat e tij shijohen njësoj si të vendosura me krye poshtë ashtu edhe me krye nalt, ato s’kanë kokë as fund. Sepse, thotë ai, edhe bota, Gjithësia, kështu është ndërtuar: pa fillim e pa fund».

Këto fjalë i kam shkruar para do vjetësh për romanin Varri i Braktisur. Do t’i përsërisja për poemën 69 GRA. Tashmë jo si metaforë.

Vepra s’ka aksion, që mban pezull. Thjesht bën laradash nëpër një fushë energjie që ndryshon botën. Kjo energji botëndryshuese quhet grua.

Vepra s’ka një personazh qendror. Ka 70 personazhe, në dhjetë faqe kompjuterike. 69 gra dhe një burrë. Burri është uni artistik. Ky unë e sheh gruan në prerje erotike, por edhe në kundrojë qytetare. Rozafa, Teuta ilire, Hillari me fëmijët e Kosovës ngrykë, Roza Parks. Kjo kundrojë trazuese për ndërgjegjen e njerëzimit, e ridimensionon veprën. “E vrave Pashën, Norë! Vrasja s'është kurrë e mirë, veç kur shmang një përdhunim. Poshtërimin e një gruaje. Të atdheut. Ja sepse më merr malli për ty, Norë, vrasëse e ëmbël!”.

Të 70 personazhet janë thyezim (mozaik), ansambël skene. Gra qiellisht të bukura, flakërisht të ndjeshme. Shfaqen si në pasarelë, zhduken për të mbetur aty. Asnjë karakter s’i ngjan tjetrit. Kush i panjohur, kush emër i përbotshëm, në të njëjtën galeri. Tek e mbramja, 69 zonjat e poemës janë vetëm një. Diçka si gruaja në pikturat e Pikasosë.

Raportet midis fjalëve erotizëm dhe seks janë afërsisht si raportet midis fjalëve grua dhe femër. Mopasani i vatërzuar te erotizmi është Mopasan. Ashtu si Rodeni, ashtu si Bhaltusi. Një Bukovski që ndizet e shuhet te seksi, pa vezulluar dot te erotizmi, nuk jam i sigurtë sa pasuron me art. Harmonizimi në përpjestim të arsyeshëm i erotizmit me seksin është delikatesë artistike. Është edhe thelb.

69 GRA mahnitëse parakalojnë marramendshëm në 10 faqe. Në dijeninë time një popullim kaq i dendur është rast vetmitar në letrat shqipe. Të kujton Danillo Kishin, Enciklopedinë e të vdekurve. Ani pse vërshimin e personazheve te Kishi më shumë e ndiejmë se e shohim, ato skicohen si fate njerëzore, si ndodhi jetëshkurta, me të cilat thuret jeta.

Te 69 GRA personazhet janë vetë shija e jetës. Përfshi të hidhurën.

UJRAT LETRARE TË ARBËR AHMETAJT, JANE TË KRISTALTA!

Entela Komnino

Midis teknikës për të shkruar edhe kur nuk ka emocion ose pragut tjetër të pamundësisë emocionale për të shpërndarë emocionet në funksion të teknikës, Arbër Ahmetaj zgjedh sigurisht këtë të fundit. Kapriçoja, që do lexonte rëndom një kritik letrar, sidomos kur bëhet fjalë për botime që e kanë kaluar numrin e provës së fillestarëve ose amatorëve të shkrimit, është në pashmangshmërinë më të pafajshme, atë të prirjes individuale. Por kjo nuk mbetet e vetme në shkrimin e tij kur qartësohet logu, si histori dhe kod komunikimi. Impulset letrare sigurohen me praninë e një teknike mendimi e figuracioni mu siç Arbri e përjeton për ‘këngëtaren ilire’ diku në Irlandë ‘- Të kam pa qindra herë n’ëndërr! - i thashë. - Ti dukesh si grua e antikitetit, si shpirt i ardhur në modernitet për të na dëshmuar se sa e shkurtër është rruga e qytetërimit dhe sa e përgjakshme njëkohësisht’.

Pritja ime, bazuar mbi Doruntinën dhe e takuar me këngëtaren në Irlandë, u befasua kur një bisedë me nënën e tij e tregimizuar e çoi këtë përmasë në Kozmos. Fare thjeshtë Hëna- ‘putana kozmike që nga nuk del’, më kujtoi (jo për moral, por për përmasë fizike) citimin nga Arbri në një bisedë grupi të vajtimit të Ajkunës mbi varrin e Omerit ‘Cohu bir e luj me zana, çohu se varrin ta run nana’. Substanca e legjendave që sfidojnë sidomos atë me të cilën matet botimi sot, shifrat, është terren aktiv krijimi tek Arbri me lëndë dhe skema sipas asaj që po sot njihet si status ‘Një fjalë a foto sa 1000 fjalë’. Kështu një bisedë në avion me një mjek grek e bën historinë e një fëmije shqiptar që duhet të shpëtojë vëllain nga vdekja, por nuk arrin për shkak të vizave edhe kur mjekët grekë ofrojnë shanse, kujën e brendshme të fatit mbi toka që kanë pjellë qytetërimin. Dhe kjo ndodh edhe kur Arbri mendon se i ka ikur këtij vendi dhe po bën jetën e turistit sedentar zviceran në Irlandë, ku e qerasin si në Shqipëri pa e njohur. Pyetjet deri në prag shkatërrues që lindin nga ngjarjet në dukje rëndom, nuk janë nga ato që mësohen në shkolla të shkrimit se sa sigurohen me teknikat e përshtypjeve për të përmbushur kodin e tregimit më të lashtë. Kjo e ka aftësuar madje në shkallën edhe të vërejtjes ndaj vetë kodit si tek Rozafa: ‘Të dua edhe si shenjë pendese për atë burrë që nuk e meritoje. ....

Më janë dashur dy mijë vjet të bëhem më burrë se burri yt. Gjykimi të takon ty’. Në tregime ku legjenda zgjatet që të arrijë kohën e Zukerbergut, ose sfidohet me Rozafën si një nga 69 gratë e tij, rrjedhin ‘ujëra të lashta e të turbullta’ sfidon edhe vetveten Arbri kur një djalosh ‘përpiqej të thoshte gjëra të mençura, që ta shpëtonte nga “vetëvrasja” (mbytja në lumë). 'Nga ta dinte ai se në çfarë ujërash të lashta e të turbullta po lahesha apo po ndotesha unë?’, rrjedh përroi i brendshëm i Arbrit. Në fakt, ujërat letrare të Arbrit janë si kristali i Valbonës në të cilat, personazhe dhe autorë shohin qartë e dallojnë kode fillesash. Ne kemi shansin t’i gjejmë edhe në letra e të vazhdojmë t’i lexojmë sipas të njëjtit rit të pashkruar të shkrimit të tij.

Shënime tjera kritike për prozën e Arbër Ahmetaj

Do t'ia rekomandoja romanin "Varri i Braktisur" kujtdo që nuk përton të mendojë. 

Arben Kallamata  “Gazeta Shqiptare”

Stili i Arbër Ahmetaj nuk përmban asnjë kërkim të sforcuar stilistik, ai ka naivitetin sublim të artit të madh.

 Besa Myftiu, “Le nouvelliste”

Autori nuk ndjek asnjë model, vepra ndërtohet më tepër si revoltë ndaj modeleve të mëparshme.

 Luan Topçiu “Albanezul”

Ka diçka prej stilit të Heminguejit: krejt shkujdesshëm, ftohtë, me dramën që vorbullon nën një shpërfillje të jashtme për rrjedhën e fjalëve

Mehmet Elezi “Bota Sot”

Në tëresi teksti është shumë i shkurtër, i copëzuar, vizionet që jep ai për periudhën e diktaturës, për disa aspekte të jetës sonë, janë tronditëse deri në dhimbje.

Floresha Dado “Rilindja”

Më pëlqen të theksoj se emrin e autorit, duhet ta mbajmë mend mirë.

Rudolf Marku,  “Zëri i Rinisë”

“Varri i Braktisur” është një roman i përthyerjeve të fuqishme simbolike.

Josif Papagjoni,  “Gazeta Shqiptare”

Shkrim që luhatet mes letërsisë, esesë dhe filozofisë

M. Pichon, “Le Nouvelliste” Zvicër

Tek "RivaH.", kuadri, lëvizja e karaktereve, ekonomia e mjeteve dhe tonet e errëta bëjnë që gjithçka të duket si një vënie në skenë, e projektuar për të shkaktuar dridhërimë, si në rrëfimet e Poe-së apo Irving Washington

Radu Voinescu “Cafeneaua literara” Rumani.

Kompozohet (në veprën e tij) me shumë zëra portreti disi i pluhurosur i një bote të bllokuar, të ankthshme e të mbytur në vogëlsira ku i vetmi shpëtim gjendet tek vullneti për tu marrë me letërsi.

David Vauclair, “La rentrée litteraire” Francë.

Në romanet e tij gjen filozofi, mitologji dhe histori mbi një vend që mban në gji vdekjen.

Charles Pralong, “Le courrier” Zvicër.

Arbër Ahmetaj është i aftë që përvojat personale ti ngrejë në lartësinë e një mesazhi universal.

Bastien Fournier, Zvicër.

Prozat e tij të japin kënaqësi leximi po aq sa të bëjnë të reflektosh.

Gabriela Lupu, “Romania libera” Bukuresht

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat