Nostalgjia e mërgimtarit për vendin e tij

Libra

Nostalgjia e mërgimtarit për vendin e tij

Nga: Milazim F. Kadriu Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:43
Foto ilustrim

Me t’u hapur dera e aeroplanit, më erdhi një fllad i ëndërruar, flladi i vendit tim, i vendlindjes time.

Oh sa më kënaqi shpirtin! (O. C.)Krijuesi mërgimtar Osman Caka vjen para lexuesve me  librin me tregime të cilin e ka titulluar “ECEJAKET E NJË MËRGIMTARI” dhe në te ka sistemuar 14 tregime që kanë të bëjnë kryesisht me Kosovën. Në këto tregime  autori shpreh dashurinë që ndjen për vendin e tij, përshkruan bukurit natyrore që dikur i kishte fshati i tij dhe gjendjen e tanishme ku nuk është ajo gjallëria e dikurshme. As bukurit e Sharrit nuk i duken si dikur, sepse edhe pas shumë vuajtjeve  në robëri dhe luftës për çlirim ku shumë të rinj ranë në këtë luftë që sot Kosova të jetë më e bukur por nuk është ashtu si e ëndërruam dhe nuk është ajo Kosovë për të cilën ranë dëshmorët e kombit. Autori  Kosovën gjithmonë e ka dashur të  bukur, të shenjtë dhe të shtrenjtë por siç shprehet ai  këtu mbretëron një gjendje e tmerrshme e skandaloze.

Tregimet e shkruara në këtë libër janë kryesisht tregime që janë krijuar  gjatë këtij viti në kohën sa ai qëndroi në Kosovë. Ai sa qëndron në mërgim ndjenë mall për Kosovën dhe atë mundohet ta prezantoj para të huajve si një vend plotë lulëzim por…

Në kohën kur donë të vjen në vendlindje  ai mezi pret të niset por kur arrin këtu e humbë atë shpresë që kishte se këtu ka ndryshuar gjendja për të mirë, por jo, vendi ka ngec. Në të gjitha tregimet sjell ngjarje konkrete madje ato edhe janë të evidentuara me datën e krijimit të tyre dhe vendin ku është inspiruar. Ato i shkruan me një fjalor të thjesht dhe është shumë konkret në rrëfimet e tij.

Tregimet janë lehtë të kuptueshme dhe çdo lexuesi veç ia rikujton atë që është aktuale sot në Kosovë, sepse të gjithë po e shohim këtë gjendje.

Autori përmes tregimeve të tij shpreh revoltën e tij për këtë gjendje të mjerueshme dhe kur kthehet për në mërgim kthehet me shumë mërzi, por prapë posa shkon atje ndjen mallin për atdheun e tij të shumë vuajtur që akoma ka skamje dhe mjerim dhe shumë pak përpjekje për të ecë përpara e nganjëherë fitohet përshtypja se është harruar amaneti i të rënëve për liri.

Gjatë leximit të tregimeve të Cakës nuk mund të kalosh pa emocione, ngase ai sjell shumë skena nga jeta e tij në takime me njerëzit tjerë të cilët i rrëfejnë për jetën e vështirë këtu dhe për padrejtësitë që janë në çdo hap, gjë për të cilat autori ndjen dhembje por edhe shpreh revoltën e tij.

Edhe në këto tregime si edhe në librat tjerë me poezi autori nuk mund të kalojë pa e shpreh dhembjen për të birin që në moshë të njomë u vra nga dora mizore e okupatorit shekullor serbosllav. Po ashtu ai përshkruan edhe dhembjen e nënës së Ilirit, ndonëse pati shumë dhembje ajo qëndroi si burrëreshë. Po ashtu autori rrëfen edhe për përmbushjen e amanetit të të birit që në vendlindjen e tij të ngrejë një shtëpi të cilën e bëri, por që aty shpreh edhe dhembjen që ndjen kur ia kthen shpinën shtëpisë dhe shkon në kurbet. E kështu popullin tonë tash e shumë shekuj e përcollën dhembjet dhe malli për atdheun të cilin shumica e tyre e lëshuan nga dhuna dhe terrori serbosllav, por që asnjëherë nuk e kanë humbur dhe nuk e humbin shpresën që një ditë të kthehen në vendin e tyre, por …

Tregimet e këtij libri janë të krijuara krejtësisht në mënyrë spontane me ngjarje të jetës së autorit e që njëherësh janë edhe ngjarje të shtresës së gjerë. Andaj këto tregime janë edhe si jetëshkrim apo ditar i autorit për ngjarjet e atyre ditëve në kontakte me shumë njerëz të atdheut.

Tregimet në vete mbajnë plotë mesazhe dhe këshilla të autorit për një jetë më të mirë në vendin tonë sepse atë Kosova e meriton, ngase për një jetë më të mirë është derdh shumë mund e gjak. Kosova patjetër duhet të nisë rrugën e drejtë të jetës normale të përparimit dhe të zhvillimit të vendit e gradualisht edhe të realizimit të amanetit të atyre që ranë për lirinë dhe bashkimin kombëtar.

Tregimet e këtij libri janë me një interes të madh për të gjithë lexuesit dhe ato lexohen me një frymë dhe janë të kuptueshme për të gjithë.

Pavarësisht të gjitha gjërave që autorit nuk i pëlqejnë  në vendlindjen e tij, pavarësisht dhembjes, dëshpërimit, skamjes që ka në vendlindjen e tij ai prapë mezi pret të kthehet në vendin e tij, në shtëpinë e tij, në hapësirën e mbresave  të tij  të para, tek bukuritë e Sharrit …

Edhe pse ai jep shumë vërejtje për punët që nuk shkojnë si duhet në vendin e tij, Caka gjithnjë  jashtë vendit e ndjen veten të braktisur, të tëhuajtur, të pasigurt emocionalisht dhe shpirtërisht. Kur ndodhet jashtë vendit nuk ndjehet i vetvetes  si në vendlindje. Prandaj ai dëshiron që këtu të ketë jetë më të mirë e askush të mos largohet nga vendi. Ai nuk ua dëshiron të tjerëve marrjen e rrugës së mërgimit që është një rrugë e mundimshme dhe e rëndë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat