Si t’i ktheheni punës pas një pauze të gjatë?

Life style

Si t’i ktheheni punës pas një pauze të gjatë?

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 20:09
Ilustrim

Asnjë pauzë nga puna nuk duhet të shërbejë si shkëputje prej saj.

Pavarësisht arsyeve, kthimi në punë pas një periudhe pushimi mund të jetë goxha sfidues.  Ndonëse mund të ketë punëdhënës që i arsyetojnë shkaqet e pushimit të dikujt dhe japin një rast tjetër, ka edhe të atillë që nuk janë shumë të bindur të japin edhe një mundësi të dytë. Kjo sepse në shumicën e rasteve, pauzimi do të thotë që edhe mund të mbesim pas në shumë aspekte që lidhen me veprimtarinë qe ushtrojmë apo me karrierën në përgjithësi.

Në një intervistë dhënë për portalin e punësimit KosovaJob, drejtori i burimeve njerëzore në Korporatën Meridian, Abdylkerim Ratkoceri  ka thënë se është shumë e rëndësishme që personat që pushojnë të mos shkëputën plotësisht nga puna por të jenë vazhdimisht produktiv, duke përfshirë investimin tek vetvetja, kësisoj ta kenë më të lehtë kthimin në punë.

“Çka është shumë me rëndësi për personat që kthehen, posaçërisht personat që pauzojnë për një periudhë të gjatë apo që thjeshtë kanë dashur të ndryshojnë diçka, që nuk e kanë gjetur veten, nuk kanë pasur mundësi të jenë pjesë e një kompanie apo një biznesi është që vazhdimisht të mësojnë gjëra të reja, të mos lejojnë që të mbesin mbrapa me kohën apo të mos investojnë asgjë në vetën“, ka thënë Ratkoceri.

Ai jep edhe disa këshilla për njerëzit që mund të kenë pauzuar dhe po hasin në vështirësi për të filluar punën.

“Nuk është fundi i botës, investoni diçka në vetvete, mësoni diçka të re. Mos lejoni asnjëherë t’iu flejë truri, gjithmonë angazhohuni me diçka të re, lexoni libra, lexoni artikuj, shihni se ku janë bizneset e tjera, mësoni çfarëdo lloj fushe”.

Ai po ashtu foli edhe për pushimin e lehonisë, për çka tha se edhe gratë që shkojnë në pushim lehonie nuk duhet assesi të shkëputen tërësisht nga puna në mënyrë që kjo të mos ndikojë më pastaj në një performancë të dobët të tyre.

“Sa i përket lehonave, tek lehonat është pak më ndryshe sepse realisht ai është një pushim i cili është i përcaktuar edhe me ligj. Të gjitha bizneset kanë mirëkuptim në atë aspekt sepse kur një e punësuar bëhet nënë është një fazë tjetër e jetës mirëpo edhe ato është mirë që vazhdimisht të jenë të angazhuara dhe të mos ndahen komplet prej proceseve të natyrës së punës që ato kanë. Realisht, përkujdesi ndaj një fëmije është diçka e shenjtë, është diçka e madhe mirëpo në anën tjetër ato duhet të jenë të kujdesshme që vazhdimisht të mësojnë dhe që thjeshtë të mos mbesin mbrapa me njohuritë që kur të kthehen mandej të mos kenë probleme”.

Ndërkaq, njerëzit të cilët kanë pasur kriza gjatë punës së tyre, sipas tij duhet që fillimisht ta analizojnë vetën dhe të kuptojnë se ku ka qenë gabimi duke ritheksuar se edhe këta persona duhet patjetër të gjejnë një motiv për të vazhduar tutje.

“Është shumë me rëndësi që kur keni një krizë, fillimisht ta inspektoni vetën dhe ta shihni nëse ka qenë problemi tek ju, pse ka ardhur deri tek kriza. Është një thënie “Je i ulur mbrapshtë në karrige dhe thua se bota ma ka kthyer shpinën por ti je mbrapshtë”. Pra e para, duhet ta analizoni vetveten se pse keni ardhur deri tek ajo krizë . Zakonisht krizat ndodhin kur një person qëndron gjatë në një pozitë dhe nuk mëson diçka të re, nuk ka investime  ndoshta as nga kompania në zhvillim të atij personi, ndodh që vjen deri tek ajo që krijohet një monotoni , ku personi më nuk e gjen vetën. Një person, në rast se ka pauzuar një kohë të gjatë, medoemos duhet ta gjej motivin duke mësuar gjëra të reja, koha ecën shpejt, çdo ditë e humbur pa mësuar diçka është kthim mbrapa dhe dështim i vetvetes”.

Nga përvoja e tij në burime njerëzore, Ratkoceri theksoi se njerëzit që hasin vështirësi në gjetjen e punës apo kanë pakënaqësi zakonisht e shohin si zgjidhjen më të lehtë largimin nga vendlindja por sipas tij kjo është e gabuar. Ai sugjeron të investohet në diçka ku gjithsecili mund të jap kontributin e vet, meqenëse sipas tij edhe kompanitë në Kosovë tashmë janë vetëdijesuar dhe nuk funksionojnë me nepotizëm por janë vazhdimisht në kërkim të njerëzve cilësorë.

Sipas tij, pushimi për një periudhë kohore arsyetohet më së miri nëse individët kanë dashur të zhvillohen në aspekt akademik, kanë vijuar trajnime të ndryshme në ngritjen profesionale apo kanë dashur të investojnë në vetën e tyre që të përgatitën më mirë për sfidat që i presin në karrierën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat