“Jam krenare që bëra abort dhe do ta bëja sërish…”

Life style

“Jam krenare që bëra abort dhe do ta bëja sërish…”

Më: 2 mars 2019 Në ora: 21:53
Sot 23-vjeçe, Abigail ishte vetëm 1 javë nga afati i abortit ligjor, kur vendosi ta hiqte fëmijën

Abigail Sheldon ishte vetëm 19-vjeçe kur zbuloi se ishte 3 muajshe shtatzënë, pavarësisht se përdorte pilula kontraceptive.

Në atë kohë studente në Universitetin e Manchester, Abigail e dinte se ajo dhe partneri nuk ishin ende gati për të qenë prindër, ndaj vendosi që ta ndërpriste shtatzëninë.

Por përpara se të shkonte në klinikë, ajo kërkoi për të marrë vesh sesi ishte kjo procedurë. Duke qenë se i druhej prindërve dhe shoqërisë së saj, ajo vendosi që të kërkonte në internet, me shpresën se do të gjente vajza të tjera që kishin kaluar të njëjtën eksperiencë.

E ndonëse kërkoi gjatë nuk gjeti asgjë të vlefshme.

Sot 23-vjeçe, Abigail ishte vetëm 1 javë nga afati i abortit ligjor, kur vendosi ta hiqte fëmijën. Sipas shërbimit shëndetësor britanik, për të kryer një abort mjekësor duhet të marrësh 2 pilula, 24 deri në 48 orë larg njëra-tjetrës.

Në rastin e Abigail kjo procedurë nuk qe e suksesshme, ndaj ajo iu nënshtrua abortit kirurgjikal, që përshkruhet si një procedurë e thjeshtë.

Si të mos mjaftonte kjo, e reja zbuloi se prej 3 muajsh kishte qenë gjithashtu bartëse e një infeksioni, që në një të ardhme, nëse do të kishte vendosur për të pasur fëmijë, mund t’i kishte shkaktuar probleme.

Pavarësisht komplikacioneve të shtrira në kohë, Abigail nuk ka asnjë peng për vendimin që mori për të kryer abort, në fakt ajo thotë se është krenare për veten.

Duke folur për Manchester Evening News ajo u shpreh: “Jam krenare për abortin tim dhe po përpiqem që të ngrej zërin, në mënyrë që më shumë femra të jenë në gjendje ta thonë këtë hapur. Pjesa më e madhe kanë një vështrim simpatie ose keqardhjeje kur u tregoj për abortin tim. Përse duhet të përpiqemi ta fshehim këtë gjë të madhe që na ka ndodhur?”

Në mënyrë që të inkurajojë femrat që të flasin për këtë çështje, Abigail ka krijuar një faqe online, ku kushdo mund të ndajë eksperiencën e saj dhe t’u japë këshilla të tjerave.

Abigail shpjegon se nisma e saj kërkon që ta kthejë këtë temë në diçka të zakonshme dhe që femrave të mos u vijë turp për të folur për abortin.

“E kuptoj përse femrat nuk duan të flasin për abortet e tyre, jam e sigurt që për shumë njerëz është diçka e vështirë dhe emocionale. Nuk dua që t’i bëj të tjerët të ndihen keq që nuk flasin për abortin e tyre, për këtë arsye po flas më zë të lartë për eksperiencën time, në mënyrë që të ndihen rehatë për të folur për të. Flas për të, bëj shaka, ndonjëherë mërzitem, por bëra një abort dhe do ta bëja sërish”, shpjegon 23-vjeçarja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat