Pse duhet të mbillni bimë bashkë me fëmijët?

Life style

Pse duhet të mbillni bimë bashkë me fëmijët?

Më: 6 mars 2019 Në ora: 15:03
Ilustrim

Mbjellja dhe rritja e një bime apo një perimeje është një proces i këndshëm që mund të tërheqë vëmendjen e fëmijëve, sidomos në rastet kur ata shohin se si një farë rritet e zhvillohet në një produkt që preket me dorë dhe konsumohet.

Lexojini pesë arsyet e mëposhtme pse duhet të mbillni dhe rrisni bimë, erëza apo perime bashkë me fëmijët tuaj.

Është argëtuese

Fëmijët tuaj do të përjetojnë mrekullinë e transformimit të një fare të vogël, në një bimë të cilën ata mund ta shohin të rritet. Ata mund të angazhohen në rritjen e bimëve, perimeve të ndryshme si domate apo kunguj, ose të mbledhin luleshtrydhet që kanë mbjellë vetë.

Është edukuese

Fëmijët shpesh nuk kanë ide se prej nga vjen ose si rritet ushqimi që hanë. Ata do të befasohen kur të shohin se si rritet nën tokë karota ose patatja. Duke u angazhuar në ujitje dhe rritje të perimeve dhe barishteve, ata do të bëhen më të përgjegjshëm dhe do të mësojnë mbi përkujdesjen.

Është e lehtë

Rritja e perimeve mund të jetë diçka e lehtë ose e komplikuar, në varësi të vendit ku do t’i mbillni ato. Duke qenë se në ditët e sotme, të paktë janë ata njerëz që jetojnë në ferma, e vetmja mundësi që kemi është të rrisim perimet në saksi ose në çdo enë të mundshme shtëpiake dhe kopshtarie. Ju mund të krijoni kopshtin tuaj personal duke mbjellë farat e perimeve dhe zarzavateve tuaja të preferuara siç janë erëzat e ndryshme, sallata jeshile, spinaqi e të tjera. Mundohuni t’i thjeshtësoni gjërat. Në rastin e domates, blini fidanë të vegjël dhe mos zgjidhni farat, shkruan femina. Nëse nuk keni ambient të përshtatshëm, atëherë mbillni farat e perimeve së bashku në të njëjtën hapësirë ose enë duke krijuar një oazë bimësh dhe perimesh.

Është e shëndetshme

Së bashku me fëmijët tuaj do të keni mundësinë të mblidhni perimet në kulmin e pjekjes dhe vlerave ushqimore. Për më tepër, kur i mbillni vetë perimet, jeni të garantuar dhe të mbrojtur ndaj pesticideve dhe kimikateve.

I bën mirë tokës

Perimet e rritura në shtëpi kanë një shije më të mirë, por edhe nuk keni nevojë t’i transportoni, rrjedhimisht e mbroni tokën nga ndotja e lëndëve djegëse. Këto ushqime nuk kanë nevojë për paketim dhe për pasojë ju do të reduktoni ndjeshëm mbetjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat