Një letër për gruan së cilës i mora burrin

Life style

Një letër për gruan së cilës i mora burrin

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 20:34
Ilustrim

Nevoja ime për të të shkruar vjen nga egoizmi dhe pasiguritë e mia, por gjithashtu nga nevoja që ti të dish që je një person më i mirë se sa unë mund të isha ndonjëherë. Në fillim, nuk mendoja shumë për ty. Ti ishe “problemi i tij”, thjesht një koncept, larg realitetit. Unë nuk të kam parë kurrë, nuk dija asgjë për ty – dhe nuk më interesonte. E udhëhequr nga pasioni dhe ndjesitë e reja që kisha zbuluar, askush dhe asgjë nuk kishte rëndësi, përveç dëshirës së parezistueshme për të qenë më të në çdo moment. Ai ishte dashuria e jetës sime dhe ne do ishim bashkë, pavarësisht çdo gjëje.

Natën e parë që kalova në shtëpinë e tij- gomat e makinës tënde kishin lënë shenjë në borën e parkingut. Shtrati kishte mbulesa të freskëta dhe kjo ishte gjithçka donim dhe na duhej. Vetëm ne të dy, të mbushur me dashuri dhe të emocionuar për atë që na kishte rezervuar e ardhmja.

Ti ishe personi i fundit për të cilin mendoja. Ti more paratë, shtëpinë e pushimeve dhe kujdestarinë e plotë. Si për çudi, nuk kundërshtove në gjyq dhe u largove nga shtëpia me qetësi; ke lënë vetëm disa gjëra në garazh, që do të dërgohen shumë shpejt.

Pas javëve të para, fillova të dalloja gjëra. Një krem duarsh thuajse i mbaruar në cepin e dollapit të tualetit. Një palë shapka të vjetra në fund të dollapit të këpucëve. Një ornament i vogël në formën e një zogu, një suvenir nga një udhëtim familjar i harruar. Në mur, një makinë e vizatuar me lapsa jeshil.

Kishte një kovë plastike poshtë lavamanit, e mbushur me produkte pastrimi dhe lecka të pastra. Reagimi im i parë ishte të tallja fiksimin tënd me pastërtinë, mënyrën tënde të organizuar, që ishte shumë ndryshe nga e imja. E lëviza kovën dhe e fshehur pas saj ishte një tavëll. Më shkoi në  mendje që ti ndonjëherë dilje fshehurazi në oborr për të pirë një cigare, pasi ai nuk ishte fare dakord.

Këtu më goditi. Papritmas, u ndjeva e tepërt, sikur kisha ndërhyrë në diçka që nuk më takonte. Kjo ishte shtëpia jote. Trishtimi mbinte në zemrën time sa herë që zbuloja gjurmë të prezencës tënde në shtëpi. Më vonë u pushtova nga ndjenja e fajit dhe turpit, dhe është e rëndësishme të ta them këtë.

Ti u riktheve papritmas një mbrëmje të vranët, disa javë pasi unë isha shpërngulur në shtëpi. Dëgjuam derën e garazhdit që u hap dhe papritmas, ti u gjete aty në mes të kutive të mbushura me sandalet e verës, dhuratat e dasmës dhe lodrat e fëmijëve. E le derën e makinës hapur dhe fillove t’i merrje të gjitha kutitë. Me fisnikëri, ai u ofrua të të ndihmonte. Teksa me mllef e refuzove ndihmën e tij, hoqe sytë nga kutitë dhe më pe mua drejt e në sy. Kjo më surprizoi. Nuk të fshihesha dot.

Ti nuk ishe fare çfarë kisha imagjinuar, e veshur me xhinse të ngushta dhe sy të gjelbërt si mace, trishtimi, zhgënjimi dhe inati… të gjitha qëndronin në kufirin e buzëve të tua.

Papritmas, u ndjeva e pushtuar nga turpi dhe u ndërgjegjësova në qetësi për ndjenjat e tua. Isha unë që ta bëra këtë dhe ja ku përfundove: duke qëndruar krenare dhe e fortë përballë dhimbjes që përjetoje. Dhe ja ku arritëm te kutia e fundit, e mbushur me lodra pellushi. Dhe pse lotët filluan të të rridhnin në faqe, asnjë fjalë ofenduese nuk doli nga goja jote. Dhe unë thjesht qëndrova atë: në fillim kurioze, pastaj u preka nga krenaria jote dhe si përfundim, u shkatërrova nga mendimi që isha unë që e kisha shkaktuar këtë dhimbje.

Dua të dish që i vura re të gjitha këto dhe të admirova në qetësi për aftësinë tënde për të qëndruar e qetë dhe e përmbajtur, teksa fshije lotët me mëngë. Dua të dish që shikimi që më hodhe më dhembi si shigjetë. Dhe e di që ishte më e pakta që meritoja. Dua të dish që unë mund të kem burrin tim, por nuk do kem asnjëherë durimin, moralin apo dinjitetin tënd.

Burimi: The Guardian
Përktheu: Blitz.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat