Kur pushimet të lodhin…

Life style

Kur pushimet të lodhin…

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 10:33
Ilustrim

Janë të shumtë ata që i presin me padurim pushimet verore, aq sa kur vjen momenti e kanë të vështirë ta besojnë se më në fund mund t’i shijojnë dhe të pushojnë. Por për shumë njerëz, marrja e një pushimi nga oraret e ngjeshura nuk është aspak një mënyrë qetësimi. Në të vërtetë, shpesh është më e lodhshme se vetë puna. Dëshmi janë tregimet që dëgjojmë në shtator, kur shumë thonë se janë më të lodhur sesa kur u larguan.

“Në fakt, gjithnjë e më shpesh ne jemi me pushime, por nuk mund të qetësohemi vërtet”, konfirmon Paola Vinciguerra, psikoterapiste, presidente e Eurodap (Shoqata Evropiane për Çrregullimet e Panikut). Arsyet janë të shumta dhe pothuajse të gjitha kanë të bëjnë me zakonin e keq për të mos u shkëputur kurrë.

“Shumë mendojnë se gjatë pushimeve duhet ta mbushim ditën me aktivitet, t’u kushtohemi plotësisht fëmijëve tanë ose të plotësojmë të gjitha kërkesat e miqve dhe të afërmve me aperitivë, darka, ahengje ose ekskursione. Duke i kushtuar vëmendje ngadalësisë”, shton ekspertja. Me pak fjalë, harrojmë se qëllimi përfundimtar është që të prishim rutinën e çdo dite.

SKEMAT

“Qëllimi i pushimeve është shkëputja dhe të përpiqeni të largoni sa më shumë modele të përditshme, duke u përpjekur të bëni një pushim të vërtetë nga gjithçka që bëni zakonisht,” thotë Vinciguerra. Një pushim i vërtet është kur arrini të çliroheni nga kufizimet dhe angazhimet e jetës së përditshme. Prandaj është koha të kënaqeni dhe të rizbuloni kënaqësinë delikate të mërzisë.

Në fakt, mërzitja nuk është diçka e kotë pasi shumë prej nesh janë të prirur të mendojnë. Kur mërzitemi truri ynë ka kohë të pastrojë mendimet e shumta dhe ankthet e jetës sonë të përditshme. Të tjerët mund ta shohin relaksues mundësinë e të provuarit gjëra të ndryshme, të bërit aktivitete të reja. Të tilla si fillimi i një lloji të ri sporti. Një nga problemet më të mëdha të të mos pasurit kohë gjatë dimrit është se aktiviteti fizik shpesh është ai që sakrifikohet më shumë: rizbulimi i kënaqësisë së aktivitetit fizik gjatë pushime verore, sipas ekspertëve, mund të bënte shumë mirë për trupin dhe mendjen. Me kusht që aktiviteti fizik i zgjedhur dhe sporti të mos bëhen një burim i ri stresi.

KALENDARI

Në pushime është gjithashtu e ndaluar të shënoni ditët me angazhime. Bërja e programeve në fund të fundit mund të rezultojë kundërproduktive. “Për të mos u stresuar edhe gjatë pushimeve – thekson Vinciguerra – është e nevojshme t’i kushtoni vëmendje asaj që dëshironi të bëni pa një udhërrëfyes dhe pa u ndjerë fajtor nëse thjesht doni të pushoni”. Ne duhet të jemi të sinqertë me ata që na shoqërojnë për pushime, por edhe me veten.

“Zgjedhja se si të kaloni pushimet tuaja është jashtëzakonisht subjektive dhe veçanërisht nëse shkoni për pushime çift ose me miqtë, është e nevojshme të arrini në kompromise të kënaqshëm për të gjithë – këshillon ajo – është e rëndësishme të jeni në gjendje të thoni ‘jo’. Pushimi i përsosur është ai që nuk organizohet sipas nevojave të dikujt. “Është mirë të jesh i sinqertë dhe të zgjedhësh një pushim që synon shpërndarjen e gjendjes së tensionit dhe lodhjes së grumbulluar gjatë dimrit, jo mënyrë tjetër!”, nënvizon Vinciguerra.

KONTROLLI

Në fund, ekspertja rekomandon të shmangni të qenit gjithmonë online. Jo shumë, ose më mirë akoma pa një telefon celular, tabletë ose PC, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikosh disa selfie. Pasja e telefonit inteligjent në dorë mund të çojë në tundimin për të kontrolluar postat elektronike të punës. “Gjëja e rëndësishme është të përpiqemi të jetojmë çdo moment duke e shijuar atë, pa menduar menjëherë për më vonë”, përfundon Vinciguerra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat