Kërkimi i lumturisë nuk na bën të lumtur

Life style

Kërkimi i lumturisë nuk na bën të lumtur

Më: 13 gusht 2019 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

Në përgjithësi njerëzit duan të ndihen të lumtur, por arritja e një gjendje lumturie merr kohë dhe përkushtim. Hulumtuesit kanë zbuluar se personat që e ‘ndjekin’ lumturinë shpeshherë ndihen sikurse nuk kanë shumë kohë dhe kjo në mënyrë paradoksale i bën ata të palumtur.

Aekyoung Kim nga Universiteti Rtugers dhe Sam Maglio nga Universiteti i Torontos e kanë analizuar këtë efekt përmes eksperimenteve të ndryshme dhe i kanë publikuar rezultatet e tyre në revistën ‘Psychonomic Bulletin & Review’. Kim dhe Maglio kanë kryer gjithsej katër studime për të parë se si kërkimi i lumturisë ndikon në perceptimin e kohës te njerëzit. Ky kërkim ka shkaktuar që personat ta mendojnë kohën si diçka të limituar.

Në studime, një pjesë të pjesëmarrësve iu është kërkuar të listojnë gjërat që i bëjnë të lumtur ose të përpiqen ta bëjnë veten të ndihen të lumtur gjatë kohës kur shohin një film të mërzitshëm rreth ndërtimit të urave – rrjedhimisht ta demonstrojnë lumturinë si një qëllim që duhet ndjekur.

Pjesëmarrësve të tjerë iu është kërkuar ta mendojnë lumturinë si një qëllim që e kanë arritur, dhe në vend që të shikonin filma me ura, ata kanë parë filma komedi dhe kanë listuar vetëm gjërat që i kanë bërë ata të ndihen të lumtur.

Rezultatet e hulumtuesve kanë treguar se perceptimi i një personi për kohën, si diçka e limituar, ndikohet nga kërkimi i tyre i lumturisë (i cili shpeshherë është i paarritshëm). Por, ndjesia se koha është diçka e pamjaftueshme zbutej për pjesëmarrësit të cilët vazhdimisht mendonin se e kanë arritur qëllimin e tyre për të qenë të lumtur në ndonjë shkallë të caktuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat