Historia e vathëve; Gjithçka që duan gratë - Bota Sot
Historia e vathëve; Gjithçka që duan gratë

Life style

Historia e vathëve; Gjithçka që duan gratë

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 13:13
Ilustrim

Historia e një prej aksesorëve më të dashur femërorë, por jo vetëm! Si u bë pjesë e kulturës njerëzore, nga këndvështrimi mistik deri tek masivimi dhe zbehja e gurëve dhe metaleve të çmuara.

Stolitë hynë në jetën e njerëzimit në moshën e shfaqjes së metaleve, si ornament zbukurues. Ndryshe nga shumë histori objektesh që kanë hyrë në botën e modës nga antikiteti deri më sot, vathët janë të vetmit që janë bërë pjesë e jetës së njerëzve si një stoli me origjinë supersticioze.

Dashuria për vathët nuk është vetëm një çështje stili, pasi përmban simbole dhe kuptime të veçanta. Në shumë fise në Afrikë gratë mbajnë vathë si simbole të joshjes, erotizmit dhe feminitetit. Vathët që nga kohët e lashta shfaqen si një simbol i pasurisë, duke u përhapur në qytetërim si talismanë.

Në fillim prej bakri e bronzi, pastaj prej argjendi dhe ari, modelet më të vjetra datojnë 2400 vite para Krishtit, me forma pompoze që u zbuluan gjatë kërkimeve arkeologjike në Trojë. Ato kishin formë trekëndëshi dhe ishin masive, ndërkohë në periudhën egjiptiane ato shfaqen në formën më të sofistikuar, si dy zinxhirë me zgjatim ekstrem.

Më së shumti mbaheshin në vesh dhe në hundë, por edhe në pjesë të tjera të trupit, si buzë. Modelet e para që mendohet se janë më autentiket i përkasin periudhës etruske në formë harqesh të dekoruara me rruaza. Deri në shekullin e IV modelet e vathëve sa vijnë e ndryshojnë duke u bërë më të rafinuara, duke u shoqëruar me gdhendje apo xhevahire, duke u bërë pjesë e pandashme e aksesorëve të grave.

Vathët hynë gjerësisht në modën europiane gjatë periudhës së Mesjetës dhe Rilindjes. Oborrtarët i mbanin ato si tregues të pasurisë, ndërsa marinarët për të paguar për varrin në rast se anija mbytej. Format gotike ishin më të përhapura në shekullin e 15-të, ku nisën të shfaqeshin figurinat e gdhendura të frymëzuara nga artistët e Rilindjes. Të parët modele moderne vathësh gjenden në shekujt 17 dhe 18: por ajo që bie në sy gjatë periudhës viktoriane ishte se mbajtja e vathëve ishte një kërkesë për gratë e martuara, si një simbol identifikues për statusin e femrës.

Perlat me forma të parregullta, u kthyen në një aksesor të dashur për gratë në shekullin e 19-të, duke u shoqëruar me kompozime elegante të cilat u ideuan nga italianët, duke u përhapur gjerësisht në Evropë. Vathët franceze kishin forma ekstravagante, spikasin modelet në formë kryqi, ndërsa në Angli vathët ishin të dekoruar me gurë të çmuar si: diamante, rubin, smerald dhe topaz. Arpunuesit në Venecia krijuan vathët me fije ari dhe argjendi me rruaza të vogla dhe harqe delikate, duke zhvilluar format lineare.

Vetëm në shekullin e 19-të marka të njohura nisën ti dedikonin koleksioneve të tyre modele të ndryshme vathësh, duke përfshirë në botën e bizhuterive këtë aksesor kaq të dashur për gratë. Shtëpi të njohura të përpunimit të metaleve të çmuara si: Cartier në Paris, Garrard në Londër dhe Tiffany në Nju Jork, dizajnuan dhe prodhuan dhjetëra syresh, kryesisht modele shumë të kushtueshme me gurë të çmuar të stiluara shpesh edhe nga artistë të mëdhenj të epokës.

Me rritjen e kërkesave, vathët nuk mund të ishin vetëm një aksesor për ata që kishin mundësi financiare, ndaj edhe modelet e shumta magjepsën gjatë 1950 të gjitha gratë dhe vajzat. Të frymëzuar nga format gjeometrike ato u bënë pjesë e pandashme e shtëpive të modës. “Unë i dashuroj vathet me gurë të çmuara, sidomos ato që janë të mëdha me diamante që shndrisin si dielli, apo me rubin të kuq si gjaku. Duket sikur e gjithë drita bie mbi ty, sidomos kur janë Alexis Bittar, Kenneth Jay Lane, apo xhevahiret e ‘Butler & Wilson’-shprehet Joan Kollins, një prej figurave e cila lidhet pazgjidhshmërisht me stolitë e markave të çmuara.

 

Por jo të gjithë duan të kenë vathë që kushtojnë mijëra dollarë. Shumica dashurojnë një palë nga ato një përdorimshet, që të nesërmen nuk shqetësohesh nëse të kanë rënë diku, ndaj edhe nisi masivimi i këtij aksesori të dashur për gratë. Krejt papritur Nju Jorku nisi të rivalizojë Parisin duke prodhuar masivisht këtë aksesor, sepse shtëpitë e famshme të bizhuterive europiane nuk mund të prisnin të shisnin vathë të shtrenjtë, por të lirë, nga punimet prej metalesh të lira deri tek punimet prej plastike, letre apo tekstili, duke e kthyer në vitet 1980 vathin në objektin më të dashur për çdo grua.

Ashtu siç parashikonte prestigjiozja New York Times në vitet 1920, se vathët nuk ishin më një bizhuteri në të ardhmen, ato nisën të prodhoheshin masivisht, pa asnjë vlerë në aspektin e bizhuterisë. Ato u kthyen në një aksesor shoqërues duke eleminuar gurët e çmuar apo materialet si ari dhe argjendi në punimet e tyre, edhe pse dhjetëra shtëpi të njohura bizhuterish vijojnë të krijojnë disa syresh miliona dollarëshe çdo vit.

Edhe pse nuk është aspak tronditëse, në vitet 1980, burrat përsëri përqafuan këtë mënyrë të lashtë stolie, duke ndryshuar rrënjësisht edhe teknikat e vendosjes së vathit. Elementi që e bënte të domosdoshëm vathin për këdo ishte shpimi i veshit, ndaj edhe u krijuan modelet e para të cilat nuk e kërkonin domosdoshmërisht këtë gjë, por me anë të një kapëseje, kushdo mund të mbante këtë aksesor qoftë edhe përkohësisht. “Ah, e adhuroj romancën e vathëve spontane, jo atyre me diamante, por të thjeshtë që flladiten nga era teksa ecën”-shprehet Kate Winslet, si për të përligjur faktin se ky aksesor është bërë tani pjesë e jetës së çdo gruaje.

Në fillim të viteve 1990, sundoi epoka e vathëve prej argjendi, duke korrur sukses brishtësia dhe shkëlqimi natyral, me forma nga më mikroskopiket, deri tek ato më masive, versionet monokromatike apo minimaliste. Pas kësaj periudhe dominojnë vathët llambadar, sidomos për pamjen e tyre joshëse. Pikërisht në këtë moment shfaqen vathët e mëdhenj, rrathë gjigandë, zinxhirë që zgjaten deri tek pjesa e kraharorit duke prishur imazhin tradicional të modeleve klasikë të vegjël dhe kjo nën efektin e prurjeve të modës. “Më pëlqejnë veshjet e gjera. Ato duken fantastike nëse i kombinon edhe me një palë vathë super të mëdhenj”-shprehet Poppy Delavigne.

Azia e largët riktheu në vëmendje në vitet 2000 vathin e quajtur Dora e Fatimes, një pëllëmbë me kokë poshtë me një sy në qendër, duke simbolizuar mbrotjen nga syri i keq. Po këto vite rikthehen modelet që kanë si motiv lulen e Lotusit, e cila vinte nga kultura e Lindjes si simbol i besnikërisë dhe fatit të mirë. Petalet, lulet e mëdha, e deri tek frutat dhe perimet janë aq të dukshme tek dizajnet e stilistëve të njohur mes tyre Dolce and Gabbana nën ndikimin e elementeve mesdhetare.

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...