Nuk është dashuria që mbështet një lidhje, por mënyra si dashuron

Life style

Nuk është dashuria që mbështet një lidhje, por mënyra si dashuron

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 13:17
Ilustrim

Dashuria nuk e mbështet një lidhje. Vetëm ajo nuk mjafton. Ka shumë rëndësi mënyra se si dashurojmë. Ajo po.

Të dashurosh thellësisht është kaq e thjeshtë… Janë njerëzit që vështirësojnë çdo gjë, idealizojnë shumë, duke harruar të jetojnë realitetin. E megjithatë, realiteti i thjeshtë mund të jetë i mrekullueshëm.

Njerëzit harrojnë se dashuria ka nevojë të ushqehet, dhe jo me dhurata apo darka të shtrenjta. Jo, dashuria nuk ka nevojë të financohet për të qëndruar e fortë. Njerëzit shkojnë në dyqan dhe harrojnë të blejnë çokollatën e preferuar të të dashurit. Harrojnë të blejnë një pulovër të lezetshme që kushton pak, vetëm për ta parë duke qeshur atë. Harrojnë ngjyrën që pëlqen më shumë, ëmbëlsirën që preferon të hajë, parfumin që hedh çdo mëngjes. Njerëzit harrojnë se të shohësh një film romantik një mbrëmje të diele, i bën mirë çiftit. Harrojnë t’i bëjnë një kompliment partneres për atë fustanin e ri. T’i bëjnë komplimente edhe për ato pizhamat e vjetra që vesh, por që i shkojnë shumë…

Njerëzit harrojnë rëndësinë e të parit një ndeshje futbolli me partnerin, duke brohoritur kur skuadra e tij bën një gol dhe harrojnë të gëzohen edhe për objektivat e përbashkëta. Njerëzit harrojnë t’i japin vetes pak kohë të çmuar për të dëgjuar njëri-tjetrin. Harrojnë t’i japin një lule të sapokëputur në një lëndinë, për ta përgëzuar për parfumin e ri, për t’i pëshpëritur në vesh gjithë dashurinë që ndjen për partneren.

Dashuria nuk ka nevojë për një tufë me lule, të çuar me postë në zyrë në ditët e festave të komanduara, për darka në një restorant të kushtueshëm, për bizhuteri të shtrenjta… Gjithçka që përmendëm më sipër nuk është fare e nevojshme për të mbajtur ndezur flakën e dashurisë. Kjo nuk është ajo që djeg. Një puthje në ballë do të gëzojë zemrën e çdo gruaje.

Një përqafim kur gjërat nuk shkojnë mirë, e bën partneren të ndihet e mbrojtur. Problemi është se shpesh njerëzit janë shumë intensivë dhe jepen vetëm në fillim të një marrëdhënieje, kur u duhet të fitojnë zemrën e partnerit tjetër. Njerëzit harrojnë se duhet të joshin çdo ditë, që edhe pas shumë viteve bashkë, një mesazh i këndshëm, një vëmendje romantike, një kompliment i sinqertë dhe i papritur e bën partnerin të ndjejë se e dashuroni, se e keni zgjedhur për tërë jetën.

Mos e lini dashurinë tuaj të vyshket! Mos i vishni asaj të gjithë peshën e përditshmërisë! Vazhdoni të drithëroheni dhe bëjeni edhe partnerin të drithërohet. Vazhdoni ta ushqeni atë flakë dashurie me buzëqeshje, me sy që shkëlqejnë kur shihni njëri-tjetrin. Dashuria gëzon me thjeshtësi dhe janë gjërat e vogla, vëmendjet e vogla që bëjnë zemrat tona të buzëqeshin, pa pasur frikë.

Vazhdoni të dashuroni dashurinë! Mos u bëni si ata që harrojnë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat