5 gabimet që duhet t’i shmangësh çdo natë kur pastron fytyrën - Bota Sot
5 gabimet që duhet t’i shmangësh çdo natë kur pastron fytyrën

Life style

5 gabimet që duhet t’i shmangësh çdo natë kur pastron fytyrën

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 19:29
Ilustrim

Kujdesi për fytyrën është një punë e vazhdueshme dhe e përditshme. Ndonjëherë, sado përpiqesh që të jesh e kujdesshme, janë disa veprime që të tregojnë të kundërtën dhe të shtojnë më shumë problemet me fytyrën. Ja çfarë duhet të kesh kujdes sa herë që të pastrosh fytyrën, për të mos i bërë të shpeshta vizitat te dermatologu.

Vendos një regjim pastrimi

Kjo do të thotë që nuk duhet të jesh e fiksuar për ta pastruar fytyrën disa herë në ditë. Mos harro që pastruesit, të çfarëdo lloji qofshin, janë të mirë, por asnjëherë nuk duhet ta teprosh me ta, sepse disa prej tyre mund të të shkaktojnë edhe tharje të lëkurës (disa lloje sapunësh, p.sh). Një pjesë e mirë e tyre largojnë papastërtitë, por edhe e thajnë lëkurën duke e bërë atë më të ashpër.

Kujdes me përdorimin e kremit      

Që lëkura të ndihet gjithmonë e freskët dhe e hidratuar i vijnë në ndihmë sidomos kremrat hidratant, por bëj kujdes për të përshatur tipin e lëkurës dhe kremin për të cilin ajo ka nevojë. Sepse, nëse ke një fytyrë të yndyrshme, duhet të përdorësh kremra që i përshaten atij tipi. Nëse këtë e ke vështirë ta dallosh, atëherë drejtohu te mjeku dermatolog dhe mos përdor kremra pa kriter. Ki parasysh që kremi hidratant këshillohet të përdoret në lëkura të thata, prandaj kujdes me dozën e përdorimit.

Mos fli asnjëherë me make up

Make up-i është mjaft i rrezikshëm për lëkurën, por sidomos nëse bie të flesh pa e pastruar atë. Ky është një gabim i madh, i cili pasojat do të t’i tregojë më vonë me rrudhjen dhe me plakjen e lëkurës. Por grimi përmban edhe disa përbërës që e acarojnë lëkurën dhe, në të njëjtën kohë, pengojnë edhe ajrosjen apo rigjenerimin e saj. Prandaj, nëse do vërtet ta ndiesh fytyrën të freskët dhe të rigjeneruar në mëngjes, çdo natë, mos fli asnjëherë pa pastruar grimin nga fytyra.

Mos laj fytyrën para flokëve

Edhe ky veprim është shumë i gabuar, që femrat e bëjnë zakonisht. Asnjëherë mos u merr me flokët pasi ke larë fytyrën, as mos përdor balsam. Duhet të kesh parasysh që produktet e flokëve si shampo, balsami apo maskat e ndryshme mund të shkaktojnë puçrra dhe të jenë të dëmshme për lëkurën. Prandaj, laj flokët dhe në fund laj fytyrën.

Kremi me SPF, në çdo stinë të vitit

Ky është një gabim i madh, të cilin e bëjnë shumica e femrave. Kremin mbrojtës nga dielli e përdorin vetëm kur shkojnë në plazh ose në ditët me diell të fortë. Mos harro që kremi mbrojtës kundër diellit duhet përdorur në çdo kohë. Sa herë të dalësh nga shtëpia, duhet patjetër ta kesh lyer fytyrën me krem mbrojtës (edhe në ditë pa diell). Rrezatimi ultravjollcë shkakton dëme dhe, siç dihet, rrezet e diellit depërtojnë thellë në lëkurë, duke dëmtuar AND-në, por edhe duke shkatërruar kolagjenin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...