Nga nëna te vajza, për t’u bërë një femër e denjë

Life style

Nga nëna te vajza, për t’u bërë një femër e denjë

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 12:34
Ilustrim

Figura e femrës është shumë komplekse. Secila prej nesh është e ndryshme nga tjetra, secila është një univers i mbushur me frikë, energji, brishtësi, vendosmëri dhe secila ka një mënyrë të vetën të të shprehurit. Ajo që i bashkon femrat është prania e një figure të rëndësishme, nënës, e pranishme gjatë viteve të fëmijërisë dhe në adoleshencë, protagoniste e rrëfimit të kujtimeve të largëta, por edhe shumë të afërta.

Marrëdhënia nënë-bijë është një nga marrëdhëniet më komplekse dhe do të mbetet thelbësore në jetën e të dyjave. Veç kësaj, do të jetë domethënëse për çdo marrëdhënie që vajza do të ketë me meshkujt, femrat e tjera, partnerin, fëmijët. Pa dyshim që një bijë do të ndërtojë vetëbesimin dhe siguritë e saj, duke vëzhguar me sytë dhe me zemrën ashtu si “nëna” e percepton, si ajo ndërvepron me të, me të tjerët, me babanë, i cili, po ashtu, do të jetë një model i rëndësishëm për zgjedhjen e partnerit.

Kur lind një vajzë, nëna, në mënyrë të pandërgjegjshme, pret që ajo që jetë e ngjashme me të, si për sa i përket vlerave, ideve, cilësive, ashtu dhe që të mos ketë asnjë ves të sajin. Por, ndonjëherë, pas këtyre pritshmërive, ekziston nevoja për të mbushur apo kompensuar boshllëqe afektive. Mund të imagjinojë, për shembull: ‘Vajza ime do të më dojë mbi çdo gjë. Është njësoj si unë, do të jetë një femër e përsosur. Dua të kem me të marrëdhënien që dëshiroja të kisha me nënën time, etj”. Shumë nëna mundohen të përjetojë rininë e tyre nëpërmjet jetës së vajzave. Vishen dhe sillen si ato. Mundohen të jenë mikesha e tyre, të manipulojnë jetën e tyre me iluzionin se po jetojnë ‘sot’ atë që ‘dje’ u ka munguar atyre.

Gjëja më e vështirë është që të kuptojnë se vajza ka një personalitet të vetin, ka të drejtë të ëndërrojë, të projektojë dhe të bëjë zgjedhjet e saj në liri të plotë. Figura e nënës është për çdo vajzë një model ku të referohet në jetë, në veçanti kur do të lidhet me partnerin dhe se çfarë do të pretendojë nga sjellja e tij. Lidhja është e fortë dhe në adoleshencë, kur vajza do të fillojë të ndahet prej saj. Kjo ndarje do të jetë, në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të paevitueshme, e dhimbshme, ndonjëherë konfliktuale dhe në këtë rast, rivendosja e marrëdhënies mund të dojë shumë kohë.

Nëse në marrëdhënien me nënën një vajzë ndjen se ajo e do, pra është e denjë për dashuri dhe vëmendje, e sigurt se nëna po e sheh dhe po e dëgjon, ajo do të fitojë bazat mbi të cilat do të ndërtohet ajo ndjenjë për veten, që përbën energjinë jetësore për një rritje të shëndetshme, një model dashurie të sigurt.

Nënë-bijë, ndër lidhjet më të forta

Keni kaluar një ditë jo të mirë, diçka nuk ka shkuar siç duhet në punë apo dikush ju ka lënduar. Jeni femra të rritura e të pavarura, por instinkti i parë mbetet gjithmonë që të merrni nënën në telefon. Dijeni pra, nuk ka asgjë të keqe, pasi jeni duke kërkuar automatikisht njeriun që mund t’ju kuptojë më mirë dhe më shpejt. Një grup studiuesish ka vendosur të kuptojë pse depresioni dhe shqetësimet e humorit duket se trashëgohen nga nëna te vajza. Pasi analizuan kartelat mjekësore të 35 familjeve të shëndetshme, ata zbuluan se nëna dhe bija kanë një anatomi truri pabesueshmërisht të ngjashme, sidomos në pjesën që rregullon ndjenjat. Sipas studiuesve: “vajzat kanë më shumë mundësi të kuptojnë dhe të lidhen me ndjenjat e nënave të tyre, më shumë se kushdo tjetër në botë. Dhe e kundërta, sigurisht!”

Një lidhje kaq e fortë dhe kaq e veçantë, që na kushtëzon jetën: ju ka ndodhur ndonjëherë të mendoni se, duke u rritur, po bëheni njësoj si nëna juaj? Edhe në këtë rast, shpjegimi qëndron pikërisht në këtë studim. “Shpesh kemi bërë humor mbi mundësinë se kokëfortësia apo obsesioni për të organizuar ishte i trashëgueshëm, por nuk kishim gjetur ende një provë se kjo gjë ndodhte vërtetë në trurin njerëzor. Ky studim është prova se kjo gjë ndodh vërtetë”, ka shpjeguar për “Scientific American Fumiko Hoeft” autorja kryesore e studimit të bërë nga Universiteti i Kalifornisë.

Me pak fjalë: si të keni një marrëdhënie konfliktuale, si të keni një lidhje pothuajse paranormale me nënën tuaj, dijeni se ndjenjat e saj janë të lidhura me tuajat, dhe e kundërta. Nuk ka marrëdhënie më të veçantë se nënë-bijë. Po, do t’i ngjani nënës suaj, përfshirë vetitë dhe veset. Ndaj, sot më shumë se kurrë merr vlerë shprehja: RROFTË NËNA!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat