Macet lidhen me njerëzit njësoj si bebet, thotë studimi i ri

Life style

Macet lidhen me njerëzit njësoj si bebet, thotë studimi i ri

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 19:25
Ilustrim

Ekziston një mendim se maceve nuk u pëlqen të jenë kafshë shtëpiake, prandaj edhe zor se socializohen me mjedisin rrethues. Të njëjtën gjë pohojnë edhe vetë njerëzit që kanë mace në shtëpi

Por një studim i ri thekson se shumë mace janë në gjendje të formojnë raporte të shëndetshme me njerëzit, në të njëjtën mënyrë si qentë apo bebet.

Sipas Kristyn Vitale, studiuese në Laboratorin e Ndërveprimit Kafshë-Njeri në universitetin e Oregon-in në SHBA, thuhet shpesh se macet e kanë të vështirë të ndërveprojnë me njerëzit, pavarësisht se kanë udhëtuar së bashku me ta për mijëra vjet.

“Sidoqoftë, macet shfaqin një sërë sjelljesh sociale dhe hulumtimet e fundit kanë treguar se ne e kemi nënvlerësuar bashkëveprimin social në jetën e maceve,” tha Vitale për Gizmodo.

Si një mënyrë për të kuptuar këto ndërveprime, teoria e ekipit të studiuesve lidhej me analizimin e nivelit të lidhjes së maceve me pronarët e tyre.

Referuar koncepteve të psikologjisë, krijesat ndërveprojnë në tri mënyra: ose do të krijojnë lidhje të sigurta me dikë, ose do të ndihen të zemëruar/frikësuar nga prania e dikujt, ose do të kenë frikë se mos e humbasin. Pak a shumë siç ndodh me bebet.

Studiuesit morën 80 kotele, të gjitha jo më shumë se tetë muajshe. Ato qëndruan me pronarët e tyre në një dhomë të panjohur për dy minuta. Më pas, pronarët u larguan për dy minuta dhe u rikthyen sërish.

Vendosja në një vend të panjohur, do të bënte të paktën disa mace që të ndiheshin të trishtuara për faktin se ishin vetëm. Gjatë ribashkimit me pronarët, ekipi qe në gjendje që të analizonte sjelljet e maceve.

“Macet reaguan në tri mënyra,” tha Vitale. “Macet e sigurta shkuan menjëherë të pronari dhe u dukën të qetësuara, ndërsa macet e pasigurta nuk u dukën të qeta; disa kapeshin fort pas pronarit, ndërsa disa të tjera e shmangën.”

Sipas studimit, dy të tretat shfaqën një bashkim të fortë me të zotin, ndërsa pjesa tjetër u duk e stresuar. Eksperimentet pasuese treguan se i njëjti grup macesh shfaqi të njëjtat sjellje më vonë.

Autorët e studimit theksojnë se macet lidhen me njerëzit në të njëjtën mënyrë siç lidhen qentë dhe bebet, thjesht në mënyrën e tyre, jo fort të dukshme.

Studiuesit shtojnë ndër të tjera se fakti që disa mace janë të pasigurta, nuk do të thotë se nuk mund të kenë në vijim një marrëdhënie të shëndetshme me njerëzit.

Vitale shton se “macet mund ta tregojnë dashurinë në mënyra të ndryshme”. Disa prej tyre fërkohen pas pronarit ose ulen në prehër, ndërsa disa të tjera, ato më të pavarura, mjaftohen thjesht duke qëndruar në një dhomë me të.

Të tjerë studiues disa muaj më parë izoluan disa mace të llojeve të ndryshme për dy orë dhe më pas i vendosën në një dhomë ku gjendeshin katër kategori: ushqim, lodra, aroma dhe njerëz. Macet qenë të lira për të shkuar në çfarëdo drejtimi që dëshironin.

Ndonëse pritej që macet nuk do t’i rezistonin tundimit për ushqim, në fakt njerëzit qenë kategoria e tyre e preferuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat