Konformistë, apo rebelë? Pse disa njerëz pajtohen me regjimet, e të tjerë luftojnë t’i përmbysin?

Life style

Konformistë, apo rebelë? Pse disa njerëz pajtohen me regjimet, e të tjerë luftojnë t’i përmbysin?

Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 13:37
Ilustrim

Romani i Margaret Atëood “Përralla e shërbyeses” përshkruan tmerret e regjimit despotik të Galaadit, një teokraci në të cilën rebelimi është i pamundur dhe mbijetesa është maksimumi që mund të dëshirosh. Në vazhdimin e librit, “Testamenti”, autorja hedh hipotezën se, me pak fat, guxim dhe dinakëri, njerëzit mund të reagojnë.

Në realitet ka shumë shembuj të regjimeve shtypëse, në të kaluarën dhe të tashmen. Dhe të gjithë shtrojnë të njëjtën pyetje: pse nuk janë ngritur njerëzit? Në vitin 2004 sociologu amerikan James March dhe politologu norvegjez Johan Olsen identifikuan dy “logjika” të ndryshme, për të shpjeguar sjelljen njerëzore. Sipas të parës, domethënë ajo e pasojave, ne veprojmë si ekonomistë të matur, duke peshuar kostot dhe përfitimet, në dritën e qëllimeve personale.

Sipas logjikës së dytë, ajo e përshtatshmërisë, rezultatet, pozitive apo negative, janë më të paqarta dhe ne i bëjmë vetes pyetjen: “çfarë duhet të bëjë një person si unë, në një situatë të ngjashme?”.

Teoria konfirmohet nga studimet e kryera në fushën e psikologjisë. Ndërveprimet shoqërore bazohen në tendencën për t’u pajtuar me rregullat e pashkruara të sjelljes së përshtatshme. Shumica prej nesh janë të sinqertë, të sjellshëm dhe nuk mashtrojnë në lojë. I lëmë gjykatësit dhe gjyqtarët, që të zbatojnë rregullat. Ne priremi të respektojmë madje edhe rregullat që janë arbitrare. Logjika e përshtatshmërisë na imponohet vetë: ne nuk i pranojmë ose i denoncojmë ata që gënjejnë, ose mashtrojnë. Disa studime tregojnë se edhe në testet me “lojëra” anonime, njerëzit janë të gatshëm të paguajnë nga xhepat e tyre, për të ndëshkuar ata që nuk bashkëpunojnë. Kjo logjikë nënvizon tendencën e qenieve njerëzore për t’u organizuar në ekipe dhe kombe, të cilat kanë rregulla të përbashkëta.

Për të vendosur dhe mbajtur një regjim autoritar, të dy logjikat janë të nevojshme. Për të siguruar që të gjithë të sillen në mënyrën “e duhur”, regjimet përdorin shkopin dhe karotën: ata ndëshkojnë edhe shenjat më të vogla të rebelimit, dhe shpërblejnë konformizmin. Logjika e përshtatshmërisë shndërrohet nga një instrument bashkëpunimi, në një mekanizëm shtypjeje. Një militant “i mirë” i partisë, ndjekës i një kulti fetar ose eksponent i një grupi terrorist, mëson t’u bindet urdhrave dhe të eliminojë ata që rebelohen. Interesi kryesor i një shteti autoritar është të përcaktojë mënyrën “e duhur” të sjelljes, në mënyrë që të gjithë të mund të përshtaten. Mendoni për shembull, për zellin me të cilin nganjëherë, imponohen disa rregulla të caktuara për veshjet, gjuhën që duhet përdorur, apo ushqimin.

Cilësi morale

Si do t’ia dilnim po të jetonim në Galaad? Me siguri shumica prej nesh do të përshtateshin (me shkallë të ndryshme sikleti) dhe do ta kishin të vështirë të çliroheshim nga ndjenja se kjo mënyrë e të vepruarit është e duhura. Disa nga ne do të rebeloheshin, por mbase jo aq shumë, për shkak të cilësive të ndryshme morale. Edhe rebelët ndjekin logjikën e përshtatshmërisë: ata kanë nevojë për një sistem të ndryshëm idealesh dhe rregullash, të ndara nga shokët e tyre, apo të frymëzuara nga historia a letërsia. Shkelja e një sistemi rregullash kërkon një alternativë.

Thënë kjo, ka të ngjarë që disa njerëz janë nga natyra më jokonvencionalë se të tjerët. Por suksesi i rebelimit të tyre varet kryesisht nga efektiviteti me të cilin ata mund t’i shpjegojnë vetes dhe të tjerëve, pse konformizmi është i papranueshëm. Nuk është rastësi që rebelët shpesh janë të pajisur me një aftësi të mirë oratorike dhe një inteligjencë të jashtëzakonshme.

Mënyra se si reagojmë ndaj padrejtësisë mund të ndikojë në prirjen tonë për t’u rebeluar. Një studim ka treguar se ata njerëz, të cilëve nuk u pëlqen rreziku dhe kanë tendencë t’i besojnë të tjerëve, kanë më pak të ngjarë të reagojnë ndaj padrejtësive. Ndoshta këta njerëz do të ishin më të gatshëm t’i nënshtroheshin një regjimi autoritar, shkruan bota.al. Kushtet sociale gjithashtu luajnë një rol. Në Gjermani midis luftërave të parë dhe të dytë botërore, anëtarët e klasave të mesme dhe të lartë, ishin pothuajse dyfish më të prirur për t’u bashkuar me nazizmin, krahasuar me klasat e ulëta. Është e mundur që ata që kanë më shumë për të humbur, janë më të prirur t’i nënshtrohen regjimeve totalitare.

Pasi do të vlerësonin me kujdes pasojat, pak njerëz do të rebeloheshin kundër Galaadit: në fund të fundit, rezultati më i mundshëm është dështimi dhe vdekja. Por për të nxitur luftën kundër regjimeve shtypëse gjithmonë do të ketë një vizion alternativ, me idealet e barazisë, lirisë dhe drejtësisë, që duhen mbrojtur me çdo kusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat