Disa këshilla që ju ndihmojë të mos e teproni me shpenzime

Life style

Disa këshilla që ju ndihmojë të mos e teproni me shpenzime

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 18:52
Ilustrim

Dihet se të gjithë ne harxhojmë më shumë para nëpër dyqane dhe blerje online në sezonin e festave të fundvitit se në çdo moment tjetër të vitit. Kjo s’është diçka e keqe por nëse preferoni ta investoni këtë sasi parash diku tjetër apo thjesht doni të kurseni pak nga sasia që harxhoni për blerje mund të ndiqni disa truke që nuk janë dhe aq të vështirë për t’u zbatuar.

Ideja është të evitoni shpenzimin e parave në gjëra që nuk ju duhen ose të harxhoni para që në të vërtetë nuk i dispononi.

Kuptoni për çfarë keni realisht nevojë

Gjatë sezonit të uljeve është shumë e thjeshtë të blini diçka që nuk ju nevojitet por meqenëse është më çmim të reduktuar përfundoni duke e blerë. Prandaj për të evituar një veprim të tillë mjafton si fillim të bëni një listë me ato gjëra që vërtet ju duhen, dhe sigurisht përmbajuni listës suaj me përpikmëri.

Përpos kësaj do të ishte mirë të bëni dhe një inventar të atyre që keni tashmë në dollapët e shtëpisë suaj për të mos bërë ndonjë blerje të dyfishtë të panevojshme. Kjo përfshin rrobat që vishni rrallë apo edhe pajisje kuzhinë që kishit harruar që i kishit në shtëpi.

Kuptoni çfarë ju nxit në blerje impulsive

Vetëm përpilimi i listës nuk mjafton t’iu mposhtë impulsin ndaj blerjeve, ndaj hapi i dytë është pikërisht parandalimi i tundimit. Një mënyrë efikase është evitimi i dyqaneve të caktuara ku ju e dini shumë mirë që nuk kanë asgjë që vërtet ju intereson apo ju nevojitet. Edhe në rast se ju ‘detyrojnë’ të kaloni pranë këtyre vendeve apo dikush ju kërkon ta shoqëroni, atëherë zgjidhja do të ishte të zgjidhnit një rrugë tjetër apo një aktivitet alternativ duke evituar tundimin e blerjeve.

Merrni kohën tuaj para se të kryeni blerjen

Online apo në dyqan fizik, një taktikë është të prisni 24 orë përpara se të përfundoni një blerje për të parë nëse vërtet e doni apo ju nevojitet ajo çka jini duke marrë, ndaj nëse të nesërmen nuk ndjeheni njësoj në lidhje me atë produkt atëherë thjesht mos e blini.

Vendosini vetes disa kufizime

Sa më e vështirë apo e komplikuar të jetë procesi pagesës aq më vështirë është edhe për ju për të shpenzuar para. Prandaj një këshillë e frytshme është: Vështirësojeni këtë proces! Për shembull lërini kartat bankare në shtëpi nëse dilni dhe merrni me vete aq para cash sa keni planifikuar të harxhoni. Në rastin e blerjeve online bëni mirë të çregjistroni të dhënat e kartës suaj nga faqet e blerjeve ku jeni më shumë të tunduar të shpenzoni impulsivisht. Fshirja e aplikacioneve të dyqaneve të tilla si Amazon apo Ebay është një tjetër zgjidhje që mund të ndiqni.

Gjurmoni shpenzimet tuaja

Të dini se sa keni shpenzuar së fundmi është një shtysë për të rishqyrtuar një blerje të kushtueshme. Nëse keni harxhuar më shumë se sa kishit menduar, çka ndodh zakonisht, atëherë do ta mendoni dy herë para se të vendosni të harxhoni akoma edhe më shumë.

Një mënyrë për ta bërë këtë është të shihni balancat tuaja bankare çdo muaj dhe do të shihni që blerjet e vogla që keni kryer në fund të muajit mblidhen dhe formojnë një shifër që as nuk do tua priste mendja.

Mirë-menaxhoni paranë tuaj

Një mënyrë e mirë për të menaxhuar paratë që keni është ti fusni ato në llogari të ndryshme bankare. Kështu në llogarinë që keni përcaktuar për blerje do të dini menjëherë çastin kur ajo i afrohet zeros duke evituar kështu të prekni paratë që keni vënë mënjanë për synime të tjera.

Edhe në këtë  rast nëse dilni për të bërë shopping merrni me vete aq para sa keni veçuar për të harxhuar atë ditë dhe jo më shumë. Blerja me para cash është më e ndjeshme se sa me kartë.

Mundohuni të gjeni çmimin më të lirë të mundshëm

Sigurisht jo gjithmonë do të evitoni një blerje të shtrenjtë, por edhe në këtë rast ka diçka që mund të bëni: Gjeni çmimin më të lirë të mundshëm dhe për këtë ka disa rrugë që mund të ndiqni. Për një produkt që jeni vërtet të interesuar ekzistojnë shumë faqe online që e disponojnë ndaj bëni mirë të krahasoni çmimet tek secila prej tyre që ta merrni atë në çmimin më të favorshëm për ju.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat