Në prag festash, pediatrja Lira Gjika ka dy fjalë për prindërit pas situatës së vështirë që kaluam

Life style

Në prag festash, pediatrja Lira Gjika ka dy fjalë për prindërit pas situatës së vështirë që kaluam

Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 20:49
Ilustrim

Pas një jave shumë të vështirë duket se shqiptarët po mundohen t’i rikthehen normalitetit. Nuk ishte e thjeshtë e gjithë ajo që kaluam, por të gjithë duhet të bëhemi të fortë për dikë, e sidomos për fëmijët. Fëmijët janë më të rënduarit psikologjikisht, prandaj duhet treguar një kujdes i madh nga prindërit. Ndërkohë që qyteti ka filluar të ndriçohet nga dekori i festave të fundvitit është një moment i mirë për të qetësuar fëmijët dhe për t’i bërë ta harrojnë atë që përjetuan. Përveçse mund t’i angazhoni me dekorimin e pemës dhe t’u krijoni një atomsferë sa më të ngrohtë e festive, sipas pediatres Lira Gjika është shumë e rëndësishme t’i bëni të ndihen të dashur.

Në një status në profilin e saj në Facebook, Gjika ka ndarë dy fjalë drejtuar prindërve dhe të gjithë të rriturve.

“Fëmijët i duan shumë festat, ata i presin me padurim. Presin të ndodhë diçka e mirë, që t’i kënaqë shumë. Prindër, të rritur, përpiquni që vërtet fëmijët të kënaqen, të befasohen nga gëzimi që provojnë, sepse festat kanë vetinë që të vendosin paqe mes njerëzve, në familje apo në komunitet. Fëmijët e dinë dhe e ndjejnë këtë gjë, prandaj e presin. Prindër dhe të rritur të tjerë, përpiquni që pas këtyre ditëve të vështira që po kalojmë (fëmijët janë ata që kanë vuajtur dhe janë trembur më shumë) t’ua bëjmë realitet këtë të vërtetë të festës dhe jo thjesht me sende e zhurmë, por në radhë të parë me dashurinë tuaj, atë që ndjeni realisht në shpirtin tuaj për ta. Lira Gjika” –shkruan në Facebook pediatrja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat