Festa dhe fëmijët

Life style

Festa dhe fëmijët

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 11:37
Ilustrim

Fëmijët kanë nevojë për rregull në ritmin e tyre të jetës (orari i ngrënies, zgjimi, fjetja, koha e lirë). Kjo u lejon atyre të organizohen më mirë, të përshtaten më mirë me të renë si dhe të ndërtojnë një identitet të tyrin familjar. Ritet dhe traditat si Krishtlindjet, Viti i Ri apo festa të tjera tradicionale i ndihmojnë ata për të krijuar një personalitet sa më të qëndrueshëm, të gëzueshëm e miqësor.

Jepini vlerë kohës

Fëmijët i presin me gëzim festat, të cilat ritmojnë kohën, ndjenjat, gëzimet duke u dhënë atyre një vlerë më reale (për shembull, dimri është gjithmonë i lidhur edhe me festat e fundvitit). E kjo i ndihmon fëmijët të perceptojnë nga njëra anë nocionin kohë dhe nga ana tjetër i mëson ata me idenë e durimit. Shoqëria e sotme mundëson plotësimin e shpejtë të çdo dëshire, por edhe pritja e një feste ka shumë vlerë në formimin e personalitetit të fëmijës, pasi i mëson ata të jenë më të duruar, duke stimuluar nga ana tjetër edhe të gjitha dëshirat që ai ka.

Mbështesni ndjenjën e grupit

Një festë familjare, një festë me miqtë, një festë kombëtare apo një festë si ajo e Krishtlindjeve dhe e Vitit të Ri forcon tek fëmijët ndjenjën, por edhe sigurinë që ata i përkasin një grupi. E që këto festa të marrin gjithë vlerën reale në sytë e fëmijëve, të rriturit duhet të jenë detyrimisht pjesë e këtij gëzimi. Gjithashtu është e domosdoshme që prindërit t’u shpjegojnë fëmijëve arsyet se pse dikush feston Krishtlindjet dhe dikush respekton, për arsye të traditës dhe përkatësisë fetare, një tjetër festë e gëzim po aq të bukur sa kjo. Një fëmijë do të arrijë të kuptojë gjithçka dhe asgjë nuk do të lëkundet më pas në ëndrrat, dëshirat e gëzimet e tij.

Ndihmoni në zhvillimin e imagjinatës së fëmijës

Festat zgjojnë gjithmonë imagjinatën e fëmijës. Deri në moshën 7-8 vjeç, fëmija sajon gjithmonë histori, ndaj është e rëndësishme që të rriturit ta nxisin këtë imagjinatë, pasi kjo ndihmon shumë në zhvillimin e personalitetit të tij. Plaku i Vitit të Ri, dhuratat nën pemë apo personazhe të tjerë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo me festa, ndihmojnë në krijimin e vlerave dhe imazheve pozitive, duke i bërë ato në çdo kohë të pranishme në jetën e një fëmije.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat