Profili i një psikopati

Life style

Profili i një psikopati

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Nëse flasim për një psikopat, sigurisht imazhi i parë që vjen në mendje është ai i një vrasësi. Psikopati do të thotë sëmundje mendore (psyche = mendje/shpirt dhe pathos = vuajtje). Mediat e përdorin shpesh konceptin e psikopatisë në kuptimin e çmendurisë. Por, në shkencën e psikiatrisë nuk vihen shenja barazimi midis psikopatisë dhe sëmundjeve të zakonshme mendore.

Në dallim nga një skizofren, psikopati nuk është i çorientuar, atij nuk i mungon lidhja me realitetin. Ai nuk vuan nga halucinacionet ose ndjenjat e frikës. Një psikopat jo gjithmonë paraqet profilin që na është krijuar nga kinemaja dhe letërsia, si vrasës i pamëshirshëm me sjellje të dhunshme të vazhdueshme. Një psikopat mund të ketë një qëndrim joshës dhe magjepsës, në qoftë se diçka është e dobishme për qëllimin e tij.

Në dallim nga njerëzit që kanë shqetësime mendore, psikopati e di shumë mirë se çfarë bën dhe pse e bën. Ai vepron në mënyrë racionale, por ama është i papërgjegjshëm.

Në fakt, një psikopat është një person që nuk ka aftësinë të vendosë veten në vendin e të tjerëve. Këta janë individë që nuk kanë keqardhje kur lëndojnë dikë, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Ky nuk është problemi i tyre.

Sipas Robert Hare, studiues i psikologjisë kriminale dhe profesor në Universitetin e Columbia-s, rreth 1% e popullsisë kanë këtë profil sjelljeje, dhe shumë prej tyre nuk vihen re nga shoqëria. Shumë prej tyre mund të jenë punëtorë dhe menaxherë të mirë.

Zakonisht psikopatët kanë një gamë sjelljesh, duke miratuar njërën ose tjetrën në varësi të kontekstit në të cilin ata ndodhen, sillen si kameleonë. Ata janë aktorë të aftë, që u tregojnë të tjerëve karakterin më të përshtatshëm për qëllimin e tyre.

Psikopatët janë gënjeshtarë. Në fillim njerëzit krijojnë besim tek ata, janë të disponueshëm, të dashur, paraqiten në gjendje të mirë ekonomike, por me kalimin e kohës del në pah karakteri i tyre i sëmurë.

Një tjetër tipar që i karakterizon, është kërkimi i vazhdueshëm për sfida të reja, përmes të cilave ata mund të arrijnë pozicionet më të rëndësishme, duke shijuar më shumë pushtet dhe aftësinë për të manipuluar të tjerët. Megjithatë, në këtë rrugëtim ata ecin në kurriz të të tjerëve. Janë individë që nuk marrin përgjegjësi për gabimet e tyre.

Aktualisht nuk ka trajtim efektiv për këtë sëmundje dhe shumica e specialistëve pretendojnë se integrimi social i këtyre individëve është mjaft i vështirë, edhe pse ata kanë filluar të zbatohen disa trajtime që duken mjaft efektive për këtë çrregullim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat