Fëmijë të lumtur në shkollë? Mësojuni atyre shijen e të nxënit

Life style

Fëmijë të lumtur në shkollë? Mësojuni atyre shijen e të nxënit

Më: 23 mars 2020 Në ora: 16:05
Ilustrim

Fëmijëve u pëlqen të mësojnë. Qysh kur lindin investojnë gjithë energjinë e tyre për të kuptuar dhe asimiluar mjedisin që i rrethon. Dhe ja, zbulim pas zbulimi, mësojnë më shumë… derisa vjen momenti… dita e parë e shkollës. Për ata është një fat i madh: në bankat e shkollës do të gjejnë ushqimin për të ngopur kureshtjen e tyre. Për prindërit çështja është më delikate… Më poshtë do të gjeni këshillat e ekspertëve për të kapërcyer frikërat dhe pasiguritë… Sepse t’i transmetosh fëmijës shijen e të mësuarit nënkupton hedhjen e bazave të një shkollimi të qetë.

Të vlerësosh shkollën

“Mënyra më e mirë për të ndihmuar fëmijët të përballen me hyrjen në botën e shkollës është ta parapërgatitësh për emocionet e reja, tu tregosh atyre se në ç’botë do të përfshihen”, shpjegon Luigina Mortari, docente në Epistemologjinë e kërkimeve pedagogjike në Universitetin e Veronas. Pak para fillimit të vitit shkollor është mirë të përballemi me argumentin në familje, për të kuptuar pritshmëritë e fëmijëve, frikërat e tyre dhe për t’i siguruar.

Më e madhja ndër frikërat është ajo e të qenit të braktisur, e të lënit vetëm përballë të papriturave. Prandaj, shmangeni krijimin e situatave dramatike. Edhe nëse ju vetë ndjeni një shtrëngim në zemër tek e shikoni fëmijën të ikë nga shtëpia me një çantë të madhe e të rëndë në krah.

Përpiquni sidomos t’ua paraqisni fëmijëve vështirësitë me të cilat do të përballen përtej këtij pragu të ri, si sfida që do t’i mundësojnë rritjen: “Do të jetë e mrekullueshme, mësuesja do të të mësojë kaq shumë gjëra të reja, jam e lumtur që t’i po ritesh”… “Do të njohësh fëmijë të tjerë, do të bësh shumë miq”, “Sigurisht mund të hasësh ndonjë vështirësi, por si unë ashtu edhe mësuesja jemi gati për të të ndihmuar”.

Edukojini fëmijës autonominë

Fëmija duhet të jetë sa më autonom të jetë e mundur: të dije të lidhë këpucët vetë, të thotë faleminderit, të ndërgjegjësohet se duhet të presë radhën. “Për ti edukuar, është e rëndësishme ti mësohet bindja, qysh më parë, në shtëpi, duke i kërkuar për shembull që të vërë rregull në dhomën e vet, të mos i lërë lapsat dhe albumet e vizatimit përtokë”, shpjegon Donatella Celli, pedagogjiste. “Shpesh për mungesë kohe, prindërit mbyllin një sy… por vetëm me vënien e rregullave fëmija mëson të jetë i përgjegjshëm për gjërat e veta dhe të respektojë ato të të tjerëve”.

Favorizoni të nxënit

Shumë fëmijë nuk shfaqin interes për shkollën e veçanërisht për leximin. Kjo ndodh kryesisht më ata fëmijë të cilëve prindërit nuk u kanë mësuar tjetër gjë veç lojrave dhe televizorit. Nuk bëhet falë për t’i ngulur fëmijët në karrige që të studiojnë, por tu treguar atyre gjithë të mirat që rrjedhin nga një praktikë e tillë: do të mund të shkruajnë një kartolinë, do të dinë të masin kohën që kalon, të orientohen në rrugë… “Edhe përfshirja e pak emocioneve në përrallat para gjumit zhvillon motivimin”, shton Celli. “Mendon se ky personazh mund të ngjitet në kodër? Çfarë do të bëje ti në vend të tij sidomos tani që ke filluar të mësosh gjëra të reja?” Dëshira për të ditur më shumë i ndihmon fëmijët t’i kapërcejnë vështirësitë e të kuptuarit. Për shembull në matematikë do të vlente shumë për të mësuar mbledhjet ose zbritjet nëse do ti kërkonit fëmijës të menaxhonte monedhat e veta për të blerë karamele.

 

Bëni kujdes për vështirësitë e tyre

“Kur një fëmijë ka vështirësi, prindërit priren të shqetësohen për paaftësitë e tij intelektuale. Në të vërtetë rastet shpesh duhen kërkuar: në marrëdhënien me nënën (refuzon ta lërë të lirë); në raportin e keq më mësuesen; te një problem familjar (divorci i prindërve, një sëmundje…)”. Bllokimi mund të jetë i lidhur edhe me çështje të mëdha ekzistenciale të cilat fëmija i mbart (“Si lindin fëmijët?”, “Kush është Krishti?”, “Nëse gjyshja ka shkuar në parajsë pse nuk shkojmë ta takojmë?”). “Nëse mungojnë disa elementë themelorë, fëmija heq dorë nga të kuptuarit”, precizon Celli. Këto elementë janë shpesh në marrëdhënie me sekretet: një vdekje që i është fshehur ose një gjysmë e vërtetë mbi mënyrën sesi fëmijët vijnë në botë…”, përmbyll ekspertja. “Vetëm kur qartësohen dyshimet, makina e të menduarit vihet në punë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat