Si të merrni vendime jetësore pa u druajtur?

Life style

Si të merrni vendime jetësore pa u druajtur?

Më: 9 maj 2020 Në ora: 10:18
Ilustrim

Secili prej nesh, përgjatë jetës, gjendet para zgjedhjeve dhe mund të përballet me frikën se çfarë vendimi duhet të marrë. Të marrësh një vendim, nga gjëja më e thjeshtë tek ajo më e rëndësishmja, në të vërtetë është një gjë e vazhdueshme në jetë dhe na ndihmon të rritemi, të ndryshojmë, të zhvillohemi.

Të zgjedhësh se cilin propozim pune të pranosh, të flasësh apo jo me dikë që të pëlqen, etj. kërkon domosdoshmërisht edhe të pranosh përgjegjësinë e pasojave të zgjedhjes. Të pranosh “atë masë rreziku” është e qenësishme në çdo veprim tonin të përditshmërisë. Është pikërisht frika nga pasojat, një nga arsyet për të cilat, shpesh, shumë njerëz vuajnë nga ankthi i fortë dhe shqetësimi për çfarëdolloj zgjedhjeje.

Me cilin kriter i bëni zgjedhjet kur gjendeni përballë një udhëkryqi? Si vendosni kur mundësitë përballë jush duken se janë të gjitha në të njëjtin nivel? Si është e mundur që të bëni një zgjedhje apo të merrni një vendim pa qenë e nevojshme që alternativat që gjenden para jush të mos ju bëjnë të hyni në panik dhe t’ju bllokojnë? Më poshtë mund të gjeni disa këshilla, të cilat ju ndihmojnë të keni një sjellje më pozitive…

Hiqni dorë nga përsosmëria

Nuk do të bëjmë asnjëherë zgjedhjen perfekte, prandaj pse ta sforcojmë trurin? Pritshmëria për të marrë vendimin perfekt është pikërisht ajo që na paralizon në momentin kur duhet të bëjmë një zgjedhje. Si fillim, duhet t’i largohemi idesë që vendimi ynë domosdoshmërisht duhet të jetë absolutisht më i miri.

Mblidhni informacionet për të cilat keni nevojë

Mundohuni të keni sa më të qartë të jetë e mundur panoramën para jush. Mblidhni informacionet dhe dëgjoni mendimet e të tjerëve, por pa ekzagjeruar. Objektivi është të keni në dispozicion elementet e nevojshme për të vendosur. Mos u mbingarkoni me informata! Tepria e të dhënave do t’ju krijonte vetëm ngatërresa.

Provoni

Nëse nuk keni në dispozicion mjaftueshëm të dhëna për të vendosur – dhe në përgjithësi kjo gjë ndodh – thjesht guxoni dhe zgjidhni! Merrni një vendim dhe largojuni idesë se duhet të bëni domosdoshmërish zgjedhjen e duhur. Me të marrë një vendim, çfarëdolloj qoftë ai, vëzhgoni për pak kohë efektet e tij. Cilat janë rezultatet që po merrni? Kjo zgjedhje po ju jep informacione të tjera të nevojshme? Nën një këndvështrim të tillë, vendimet nuk janë gjë tjetër, veçse eksperimente nëpërmjet të cilave ju vëzhgoni efektet e zgjedhjeve tuaja. Rezultatet e marra nuk ju pëlqejnë apo nuk ju kënaqin plotësisht? Atëherë mund të bëni korrigjime, të bëni ndryshime të mëtejshme. Mund t’i ktheheni pas zgjedhjes së bërë dhe të ndiqni një tjetër rrugë. Me pak fjalë, të zgjidhni do të thotë të tentoni, të shihni se si shkojnë gjërat, të vlerësoni efektet në bazë të gjërave që keni përfituar, të ndërhyni e të përmirësoni rezultatet.

Ndiqni instinktin

Nëse nuk keni të dhëna të mjaftueshme dhe ndiheni të bllokuar, të paralizuar nga pavendosmëria e dilemat, injorojini shqetësimet tuaja dhe thjesht merrni një vendim. Po si të vendosni në këto raste? Ndiqni instinktin, mundohuni të dëgjoni se çfarë ju sugjeron intuita juaj. Nënvetëdija juaj është në gjendje të përpunojë informacione të panumërta, për të cilat ndoshta mund të mos keni vetëdijen dhe që janë në fakt të rëndësishme në procesin vendimmarrës. Mësoni të besoni te vetja dhe intuitat tuaja, pasi pjesën më të madhe të rasteve do t’ju çojnë në rrugën e duhur.

Largoni shqetësimet

Nëse me praktikë nuk ia dilni të ndiqni këshillat e thjeshta të sipërpërmendura, do të kuptoni se në fund ka shumë pak gjëra për të cilat duhet të shqetësoheni. Nuk është e nevojshme që të jeni të përsosur, dhe në pjesën më të madhe të rasteve, të marrësh një vendim të gabuar nuk është edhe aq fundi i botës. Më mirë veproni e më pas korrigjojini veprimet tuaja, se sa të mbeteni në vend të përfshirë nga pasiviteti. Çdo gabim do të jetë një mësim i çmuar. Atëherë mos u shqetësoni, vetëm merrni një vendim.

Praktikohuni

Do të jetë më e thjeshtë për të marrë vendimet, pasi të keni lënë mënjanë idenë e përsosmërisë. Hap pas hapi do të largoni edhe shqetësimet dhe do t’i shihni zgjedhjet si eksperimente të vërteta nga të cilat mund të nxirrni mësime të vyera për lëvizjet dhe vendimet e së ardhmes. Gradualisht do të mësoni të merrni vendime më të mira, më të shpejta dhe duke përdorur më shumë intuitën. Menjëherë do të jeni në gjendje ta bëni këtë gjë në mënyrë të pavetëdijshme dhe automatike.

Të bëni zgjedhje dhe të merrni vendime është diçka, të cilën duhet ta bëni dhjetëra herë në ditë. Nuk duhet të bëhet fjalë për diçka që ju bllokon apo ju bën të hyni në panik. Zgjedhjet janë pjesë e ekzistencës, çfarë themi është shprehi e individualitetit tonë. Mësoni t’i shihni zgjedhjet si mundësi për të mësuar dhe për të vazhduar të rriteni pa pasur frikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat