Dëgjo me zemër

Life style

Dëgjo me zemër

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 19:31
Ilustrim

Të dëgjosh fëmijën tënd është çelësi për t’u bërë një prind i mirë. Nëse mund të dëgjoni me zemër, fëmijët tuaj mund të rriten në mënyrë të shëndetshme.

Lini enët ose punët mënjanë. Fikni televizorin. Ruani kontaktin e syve për aq kohë sa fëmija juaj e kërkon atë.

Shpesh ndodh që, kur fëmijët janë duke shprehur një problem apo shqetësim, prindërit thonë se po dëgjojnë por gjuha e trupit të tyre tregon që mendjen e kanë diku tjetër. Vazhdojnë të shikojnë televizor, bisedojnë me një të rritur tjetër ndërkohë, apo merren me letrat e punës që kanë marrë me vete në shtëpi nga zyra e tyre. Sigurisht ata po dëgjojnë, por jo me zemër. Në fakt, disa minuta të dëgjimit të kujdesshëm dhe të sinqertë është më i vlefshëm se një orë dëgjimi ndërsa merreni me një aktivitet tjetër.

Mos u nxitoni në dhënien e zgjidhjeve, ideve apo leksioneve. Shpesh, fëmijët duan dikë t’i dëgjojë. Ata kërkojnë nga njeriu që po i dëgjon t’ju jap atyre një mundësi për të zbuluar atë çfarë ata duan.

Zgjidhja e problemit të fëmijës nga ana juaj, vërtet do t’i jepte fund shqetësimit të tij, por për ta është më e rëndësishme t’i shërbeni si një mbështetje për të formuluar ata vetë zgjidhje për problemet e tyre.

Demostroni që po dëgjoni duke bërë pyetje dhe duke lëshuar tinguj ‘dëgjimi’ si: “Hmmm” “Oh,”“Vërtet?” “Ëhë!”.

Vlerësoni frikën dhe shqetësimet e fëmijës tuaj. Komentet si: “Oh, mos u shqetëso. Nuk ka përse të kesh frikë”,  nuk janë shumë të dobishme. Është e rëndësishme për fëmijët të mësojnë të besojnë në ndjenjat e tyre.

Nuk duhet t’i jepni fëmijëve mesazhin që ndjenjat e tij nuk janë të sakta. Ju mund të komentoni ndjenjat e tij duke thënë ”Kjo mund të jetë shqetësuese” ose ”Ti mund të jesh ndjerë i mërzitur”. Ju do të tregoni që i njihni dhe i kuptoni ndjenjat e tij. Ai do të ndihet i mirëkuptuar. Pastaj një përqafim i ngrohtë do ti tregojë se ku mund të mbështetet në çdo kohë.

Ndihmojeni fëmijën të fokusohet në zgjidhjet e mundshme. Në qoftë se situata nuk është një problem por një gjendje e të ndjerit, inkurajojeni fëmijën të shprehë plotësisht ndjenjat e tij dhe të vazhdojë përpara. Ndihmojeni fëmijën dukë përdorur shprehjet: ‘A do të ishte mirë sikur… ose “.

Çfarë mendon të bësh tani?

Kujtoni kohën kur ju po rriteshit dhe të gjitha kohët kur jeni ndjerë konfuze, e shqetësuar dhe plot dyshime. Është e vështirë të rritesh! Ju mund të ndihmoni fëmijët tuaj thjesht duke qenë e pranishme dhe duke qenë e gatshme të dëgjoni sa herë ai dëshiron të ndajë me ju ndjenjat e tij.

Fëmijët kanë nevojë të dinë që kur duket sikur “bota po përmbyset” ata kanë një vend të sigurt, një burim pa fund dashurie pa kushte. Dëgjimi është një aftësi ashtu siç është edhe të folurit. Nuk është thjesht të kapurit e tingujve: dëgjimi aktiv përfshin një sërë sjelljesh që shprehin vëmendje, simpati, ndjeshmëri dhe respekt. Dëgjimi i fëmijës tuaj në këtë mënyrë do t’i bindë ata për dashurinë tuaj të pafund.

Kini parasysh këto udhëzime sa herë që fëmija juaj ka diçka të rëndësishme për të thënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat