Marka e famshme e veshjeve akuzohet se pas pandemisë po shfrytëzon punonjësit

Life style

Marka e famshme e veshjeve akuzohet se pas pandemisë po shfrytëzon punonjësit

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 06:52
Ilustrim

Sunday Times raportoi se punëtorët në një fabrikë në Leicester që prodhonin rroba për markën Nasty Gal të Boohoo po paguheshin 3.50 £ në orë, ndërkohë që paga minimale për një njeri mbi 25 vjeç në Britaninë e Madhe është 8.72 £ ora. Gjithashtu kjo media raportoi se punonjësve nuk u ishin garantuar kushtet e sigurta të punës për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Ky lajm vjen pasi Agjencia Kombëtare e Krimit konfirmoi se po heton industrinë e tekstileve të Leicester mbi akuzat e shfrytëzimit, megjithëse nuk përmendi konkretisht Boohoo.

Firma tashmë është në qendër të kritikave, pasi Labor Behind Label, një grup i të drejtave të punëtorëve, pretendoi se disa punonjës në fabrikat në Leicester që furnizojnë këtë firmë "po detyroheshin të shkonin në punë ndërsa ishin të sëmurë me Covid-19".

Leicester aktualisht është nën bllokim lokal pas një rritjeje të rasteve me Covid-19.

Në fundjavë, Sekretari i Shëndetit, Matt Hancock tha se ai ishte shumë i shqetësuar për praktikat e punësimit në disa fabrika në qytet.

Shitjet në Boohoo, e cila tregton ekskluzivisht në internet, kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë bllokimit të koronavirusit, kur kërkoheshin më shumë veshje gjumi apo veshje për kohën e lirë.

Para shpërthimit të Covid-19, shitjet deri në shkurt u rritën me 44% në 1.2 miliardë dhe fitimet para taksave u rritën 54%, 92.2 milionë paundë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat