Ata që nuk ankohen kurrë…

Life style

Ata që nuk ankohen kurrë…

Më: 1 gusht 2020 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Janë gjithmonë të qeshur, dëgjojnë me durim hallet e të tjerëve, duke lënë mënjanë të vetat. Durojnë vuajtjet, madje edhe dhimbjet fizike, pa u ankuar asnjëherë, pa u inatosur, pa nxjerrë asnjë fjalë. Janë njerëzit që nuk ankohen kurrë, edhe pse shpesh mund të kenë brenda vetes gjithë vuajtjet e botës. Po, ata që nuk ankohen kanë siklete, halle e vuajtje në shpirtin e tyre…e megjithatë nuk qahen asnjëherë, edhe në momentet më të vështira.

Një sjellje e tillë interpretohet si shenjë e një force të brendshme shumë të madhe dhe të qëndrueshme, pothuajse heroike që duhet marrë si shembull.

Një gjë është e sigurt: ata që nuk ankohen, kurrë nuk vlerësohen dhe puna e tyre nuk ka vlerë, pasi i bëjnë gjërat më të thjeshta për të tjerët. U kursejnë të tjerëve shumë shqetësime, duke u dhënë përshtypjen se ndihen mirë, u kursejnë mundin, si dhe nuk duan t’i lodhin me fjalë që mund të fusin ankth, trishtim apo dhe inat.

Nga ana tjetër, brenda kufijve të normales, ankimi mund të jetë një burim i nevojshëm, si për ekuilibrin emotiv personal, ashtu dhe për një komunikim të efektshëm me të tjerët. “Nuk dua të qaj për atë çka iku!” është shprehja më e shpeshtë e atij që nuk dëshiron të ankohet. Megjithatë duhet të bëni dallimin mes ankimeve të pafundme, që shndërrohen pothuajse në një qurravitje të vazhdueshme e përgjithësuese – edhe për çështje të parëndësishme – ku ai që ankohet nuk aktivizohet për të gjetur një zgjidhje, por preferon të vazhdojë të ankohet, dhe ankimeve rastësore, që janë më shumë shfryrje e natyrshme të tensionit emotiv dhe ndjenjave të pakënaqësisë përballë një stresi të madh, ose ankesave si shprehi e një kundërshtie personale me qëllimin që bashkëbiseduesi të respektojë një të drejtë të tij. Në rastin e dytë dhe të tretë ankesat janë një mjet i çmuar dhe të përshtatshme.

Shumë nga ata që nuk ankohen asnjëherë, as në kushte me të vërtetë të rënda, kanë frikë se mos bëhen barrë për të tjerët, ose druhen se mos duken të brishtë para të tjerëve, kanë frikë mos zhgënjejnë pritshmëritë e tyre, mos duken të dobët, ose mos të duken sikur po viktimizohen, ose besojnë që nëse do të bëjnë qoftë edhe një ankesë të vetme, do të rrëzohet ajo mburoja, të cilën e kanë ndërtuar me aq mund për të ruajtur gjithçka që kanë arritur deri në atë moment.
Por të durosh të tjerët që vetëm ankohen, pa u shfryrë as edhe një herë të vetme për t’u çliruar, shton edhe më shumë lodhjen mendore dhe kjo gjë është çnjerëzore.

Për këtë arsye, t’i jepni vetes mundësinë për t’u ankuar (brenda kufijve), mund të prodhojë një lehtësim të menjëhershëm, duke përmirësuar mirëqenien emotive. Përveç kësaj, nëse shfryheni e nxirrni jashtë vetes gjërat që ju shqetësojnë, ndoshta kush ju dëgjon mund të shndërrohet në një ndihmë të vyer ku mund të përfitoni shumë, pasi i lejon të tjerët të njihen me nevojat tuaja dhe t’i kuptojnë ato. Nëse nuk ankohemi asnjëherë, të tjerët nuk kanë si të kuptojnë se çfarë fshehim brenda vetes.

Ekziston një përdorim pervers i të mos ankuarit: të mos ankohesh, që më vonë t’ua plasësh në fytyrë të tjerëve se nuk ankohesh! Ndodh, në fakt, që të shfryheni për një problem dhe nga ana tjetër të merrni një përgjigje të thatë, që nuk ju lë kohë as të përfundoni së foluri: “Po nga unë ç’kërkon? Unë për vete nuk ankohem”… një kryevepër agresiviteti pasiv për t’u ankuar, pa dhënë përshtypjen se po ankoheni e madje duke e bërë tjetrin të ndihet në faj.

“Njerëzit që ankohen janë të zotë, humanë të bezdisshëm: nuk kam gjë kundër tyre. Por njerëzit që ankohen se nuk ankohen, janë diabolikë”. G.K. CHERSTON

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat