Zgjedhja e ngjyrave trend i kohës apo preferencë?

Life style

Zgjedhja e ngjyrave trend i kohës apo preferencë?

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 16:20
Ilustrim

Perceptimi ynë për ngjyra të ndryshme përcaktohet në radhë të parë nga vetë natyra. Projektimi i hapësirës njerëzore është integrimi i ngjyrës për të bërë një lidhje me emocionet. Prandaj zgjedhja e duhur e ngjyrave mund ta përmirësojë gjendjen tuaj shpirtërore, si dhe t’ju bëjë më tërheqës në sytë e atyre që gjenden përreth. Stina e verës na lë hapësira për të guxuar me ngjyrat.

Ngjyrat e hapura japin ndjenjën e qetësisë, pastërtisë, ndërkaq ngjyrat më të errëta janë më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme.

NGJYRA E KALTER

Shumica e njerëzve preferojnë blu. Është ngjyrë që nxit imagjinatën dhe mendimet pozitive, prandaj edhe konsiderohet si qetësuese dhe relaksuese. Mund të jetë kombinim perfekt e kaltra me të bardhën. Nëse jeni duke u përpjekur të çlodheni pas një dite të ngarkuar, apo përgatiteni për një takim të rëndësishëm, veshja e ngjyrës së kaltër gjithmonë është opsioni i duhur.

E VERDHA

Ka të bëjë me anën e majtë të trurit të lidhur me logjikën dhe aftësitë intelektuale, reflekton harenë e rrezeve të diellit dhe transmeton lumturi. Është një dualitet perfekt në verë me diellin. Ndihmon për personalitet më të sigurt dhe duhet të shoqërohet me aksesorë të tjerë.

E BARDHA  

Është e popullarizuar, sepse reflekton pastërti dhe rehati. Është simbol i pastërtisë dhe pafajësisë, është e freskët, e ndritshme dhe sjell energji.

E GJELBRA

Konsiderohet si ngjyra më pushuese për syrin. E gjelbra është perfekte, dhe e konstatuar që e gjelbra ndihmon shumë në përqendrim. Nuancat  e bëjnë të përshtatshme për të gjitha llojet e lëkurës. Është ngjyra e natyrës, dhe  simbolizon harmoninë, rilindjen, ekuilibrin dhe shpresën.

NGJYRA VJOLLCË  

Në nuancat e errëta, është e pasur, dramatike dhe e sofistikuar. Ndërkaq, tonet e lehta të vjollcës duken me këndshëm. Kjo ngjyrë është thelbësore për krijimin e një përshtypjeje me përvojë dhe vetëbesim të lartë.

NGJYRA  PORTOKALLI  

Tregon entuziazëm, si dhe është ngjyrë energjike. Kjo ngjyrë do t’ju ndihmojë të çlironi ngarkesat emocionale sidomos me veshjet sportive gjatë ushtrimeve. Ngjyra e portokalltë mendohet të jetë ideale për stimulimin e aktivitetit dhe kreativitetit.

E ZEZA

Më së miri qëndron edhe në detaje të vogla. Kjo është ngjyra që i përshtatet të gjithëve. Është e njohur për krijimin e efektit vizual të një trupi më të hollë. E zeza mund të krijojë një përshtypje të zymtësisë dhe misterit, por njëkohësisht edhe të elegancës.

E KUQJA

Kjo ngjyrë nuk është aq e drejtpërdrejtë sa duket. Veshja e ngjyrës së kuqe kërkon guxim dhe mund të rrisë vetëbesimin. Duhet të zgjidhni një nuancë e cila i përshtatet ngjyrës së lëkurës tuaj. Në pjesën më të madhe të botës, ngjyra e kuqe posedon aurën e pasioneve të rrezikshme dhe seksualitetit. Përveç këtyre, në Indi është aq e preferuar sa ngjyra e kuqe është ngjyrë tradicionale e fustaneve të nusërisë.

Gjithsesi, ngjyrat që ne preferojmë tregojnë shumë për veten, gjendjen shpirtërore dhe mënyrën se si ndihemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat