Vjehrra… gjërat që ju bashkojnë me të për një marrëdhënie e mirë

Life style

Vjehrra… gjërat që ju bashkojnë me të për një marrëdhënie e mirë

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Përse vjehrrat janë shpesh mbytëse në jetën e djalit të tyre? Sipas ekspertëve, debatet e shumta vijnë nga bindja se asnjë grua nuk është ajo e duhura për të birin, dhe mbi të gjitha, sepse e shohin veten jo më si figura më e rëndësishme në jetën e të birit. E shohin nusen e re si femra që do ta largojë djalin nga kontrolli i saj absolut. Shpesh kanë një tendencë të natyrshme manipulimi, janë të pakënaqura nga jeta e tyre dhe për pasojë kërkojnë të shpërblehen nga jeta e të birit.

Lindja e nipërve i shton edhe më tepër sjelljet problematike, pasi ndihet si një mama dhe jo si gjyshe për nipërit e saj. Nuk di të rrijë në vendin që i takon dhe ndërhyn sistematikisht në jetën private të familjes së re, duke imponuar ide e dëshira, të cilat janë vetëm të sajat dhe jo të pjesëtarëve të tjerë të familjes.

Megjithatë, për fat të mirë, nuk është gjithmonë kështu. Po përse nuk arrijmë të shkojmë mirë me mamanë e partnerit? “Mund të duket shumë e vështirë si marrëdhënie, por nuk është e pamundur për t’ia dalë mbanë, – shpjegon Anna Salvo, psikanaliste dhe docente në Universitetin e Kalabrisë. – Duhet vetëm pak mençuri nga ana e bashkëshortes”. Le të shohim disa këshilla se si duhet të sillemi me vjehrrën dhe cilat janë ato pika të dobëta që duhet t’i anashkalojmë.

Gjërat që ju bashkojnë me vjehrrën

Pranoni faktin që mund të mësoni prej saj

Nëna tipike është ajo që shqetësohet së tepërmi dhe është shumë e dashur me djalin. Ajo do ta ketë me patjetër tendencën për të treguar se është më e mirë se nusja në gjithçka që bën. Ajo gatuan, lan, pastron, hekuros… E përse të hyni në një garë me të dhe ta humbni? Do të ishte më e mençur nga ana juaj të kërkonit ndonjë këshillë dhe të mësonit diçka prej saj. Filloni me gatimin e preferuar të partnerit. E kush më mirë sesa e ëma mund t’jua japë recetën?!

Kuptoni shijet e saj

Miqësia me vjehrrën arrihet edhe nëpërmjet gjesteve të vogla. Ajo shpesh ndihet e lumtur nëse merr për ditëlindje ndonjë dhuratë, të cilën e dëshiron prej kohësh. Pikërisht një gjest i tillë do ta bëjë të kuptojë se nusja interesohet dhe kujdeset për shijet e saj, se ka dëshirë dhe harxhon kohë për t’i bërë qejfin.

Ndani pasionet e përbashkëta

Një ide shumë e mirë për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme është të gjeni mënyrën për të bërë bashkë diçka që ju pëlqen të dyjave. Dilni për të blerë diçka apo kujdesuni për lulet, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka të gjeni një arsye për t’u takuar dhe të ndani pasionet e përbashkëta.

Mos i jepni kurrë çelësin e shtëpisë

Çifti ka nevojë për intimitet, ndaj me shumë edukatë, por me vendosmëri, bëjini të ditur vjehrrës se nuk është e rëndësishme t’i jepni një kopje të çelësit të shtëpisë. Mjafton vetëm t’i thoni: “Nuk është e nevojshme, jemi gjithmonë në shtëpi”. Nga ana tjetër, lërini të kuptojë se mund të vijë sa herë të dojë, mjafton t’ju lajmërojë më parë.

Mos e konsideroni si kujdestare fëmijësh

Mund të ketë edhe karakter problematik, e megjithatë, sa herë keni nevojë, ia lini fëmijët për t’i mbajtur. Nëse vjehrra është një grua në punë dhe shumë aktive në shoqëri, nuk do të pranojë asnjëherë ta bëni të ndihet si gjyshe apo edukatore. Duhet të tregoheni e matur dhe t’i bëni të ditur se ajo është pjesë shumë e rëndësishme e fëmijërisë së nipërve të saj, dhe kjo është arsyeja pse ju keni besimin dhe dëshirën absolute për t’i lënë fëmijët.

Mos e sulmoni para bashkëshortit

Mund të ndodhë që ajo e ekzagjeron me sjelljen e saj dhe ju ofendon haptas edhe në sy të djalit të saj. T’i përgjigjeni me të njëjtën monedhë nuk është një veprim i mençur, pasi i biri do ta mbronte dhe ju do të dilnit e humbur. Gjëja e duhur që duhet të bëni është t’i thoni partnerit tuaj me qetësi dhe kur të jeni vetëm: “Mamaja jote më lëndoi”. Të jeni e bindur se partneri do t’ju japë të drejtë dhe ju do të ndiheni mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat