Babi, dashuria jote e pakushtëzuar më bënë mua gruan që jam sot!

Life style

Babi, dashuria jote e pakushtëzuar më bënë mua gruan që jam sot!

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 21:26
Ilustrim

I dashur baba,

Po të shkruaj jo vetëm si vajza jote, por si një nga shumë bija që e dinë rëndësinë e veçantë të mësimeve që babai u jep. Po të shkruaj, sepse nga të gjithë që japin një dorë ndihme në këtë botë, ti merr më pak lavde dhe falenderime për gjërat që bën.

Ti gjithmonë ke qëndruar mënjanë dhe më ke lënë të shkëlqej dhe ke ndërhyrë vetëm kur të kam kërkuar, sepse e kam ditur  që gjendesh afër meje dhe nuk më mban distancë. Është koha që të përdor këto fjalë për të hedhur mbi ty dhe mbi çdo baba tjetër të shkëlqyer dritën përmes së cilës ju meritoni të shiheni.

Një baba i jep vajzës së vet shumë mësime, në lidhje me çfarë është dashuria e vërtetë dhe eksperienca e jetës. Babai ofron një kuptim  esencial dhe  portretizon në sytë e rinj që pulisin përpara tij jetën duke mësuar sesi ajo duhet të trajtohet. Baba, unë mbaj mend çdo gjë. Mbaj mend sesi më mbuloje çdo natë dhe sesi më puthje për të thënë mirupafshim para se të ikje në punë.

Mbaj mend çdo herë kur unë dhe motra ime të detyronim të visheshe me kurora dhe shalla lëkure si dhe të luaje me kukulla me ne. Mbaj mend çdo herë që më ke mbajtur në shpinë dhe çdo lojë në kopshtin e shtëpisë. Mbaj mend të gjithë çokollatat e ngrohta që kemi pirë bashkë dhe diskutimet e gjata kur më merrje nga stërvitja me makinë. Mbaj mend çdo herë që sakrifikoje që unë të bëja atë që doja dhe nuk më ke kërkuar asnjëherë asgjë si shpërblim. Mbaj mend çdo herë që ke treguar durim të pamasë me mua dhe mirësinë me të cilën je sjellë. Unë i mbaj mend të gjitha këto, sepse të gjitha këto jetojnë në zemrën e një bije gjithmonë.

Në ditët e sotme një baba tek i cili mund të mbështetesh dhe t’i besosh verbërisht është diçka e rrallë, kështu që për ata që kanë patur bekimin të kenë një at si ty, ne e ndjejmë më shumë se çdokush fuqinë e prezencës atërore.

Ne shihnim sesi ju rendit për të marrë makinën për ne në shi dhe na fshinit lotët sa herë që ishim të lënduara. Ne i lejuam ato imazhe të gdhenden brenda zemrave tona, teksa rriteshim. Ne mësuam të duam ashtu siç na doje ti. Ne kishim pritshmëri të larta, sespe ti kishe vendosur një standart të lartë. Ne kishim shumë shpresa, sepse ti na tregove se dashuria e dikujt duhet të jetë një dashuri plot respekt, sinqeritet dhe inkurajim. Si një baba ti më mësove më shumë sesa çdo vajzë në botë mund të artikulojë me fjalë.

Baba, ti ishe mashkulli i parë që kam dashur. Ti më mbaje, luaje me mua, me mbështesje dhe më le të rritesha. Durimi yt, mënyra sesi më kuptoje dhe dashuria jote e pakushtëzuar më bënë mua femrën që jam sot. Ti besove i pari tek unë. Ti ishe i pari që kërceve me mua. Ti më dhe çdo gjë që më është dashur dhe më tregove çfarë është dhe çfarë nuk është dashuria. Ti më tregove se dashuria do të thotë të jesh i fortë dhe i përulur dhe se dashuria mund të të bëjë që të arrish yjet. Dashuria është respekt dhe mbështetje për përjekjet e njeriut. Ti më hapje rrugën për çdo aventurë të re ku doja të shkoja. Ti më ke shtrënguar fort dhe nuk më ke braktisur asnjëherë kur më je dashur.

Një ditë ti do më shoqërosh në altar drejt një mashkulli tjetër, që është përzgjedhur në imazhin e dashurisë që ti më tregove. Kur të lëshoj krahun tënd, shpresoj se do ta dish se zemra ime është latuar në formën e dashurisë që ti më dhe. Shpresoj që të dish se nuk do të të le asnjëherë dhe përpara çdo sfide në çdo moment të jetës ti do të jesh me mua duke më parë dhe duke pritur thirrjen time. Unë e di në zemrën time se nuk ka tjetër dashuri si dashuria e parë dhe një pjesë e imja gjithmonë do të jetë me babin tim.

Përgjithmonë

Vajza jote e vogël.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat