Amësia më ka ndihmu me kuptu cilat janë shoqet e vërteta

Life style

Amësia më ka ndihmu me kuptu cilat janë shoqet e vërteta

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 14:09
Ilustrim

Para se të bëhesha nënë, miqësitë e mia pasqyronin moshën time 23 vjeçe dhe faktin se isha një person shumë i shoqërueshëm. Kisha një grup të madh shoqesh – e të gjitha mund t’i thirrja për të dalë apo për të shkuar diku në momentin e fundit. Nuk e kisha fare problem të bëja shoqe të reja kudo që shkoja dhe shpesh formoja lidhje shumë shpejt në bazë të diçkaje që kishim të përbashkët.

Tani, kur kthehem pas, e kuptoj se ato marrëdhënie kanë qenë një indikator i asaj çfarë ka qenë prioritet i imi në atë kohë – të kënaqesha e të argëtohesha sa më shumë. Kjo ka kuptim për atë periudhë të jetës sime. Por, shumë pak kohë pasi morra vesh që isha shtatzënë, e ndjeva një ndryshim në këto marrëdhënie.

Me përjashtim të shoqes sime më të mirë të fëmijërisë dhe disa të tjera me të cilat isha rritur, së shpejti e kuptova se shumica e këtyre njerëzve që i quaja shoqe, në fakt nuk i përshtateshin këtij emri. Përderisa ato vazhduan të merrnin pjesë në ngjarje të rëndësishme dhe të shkonin në aventura të paplanifikuara, unë rrija në shtëpi duke u marrë me të vjellat e mëngjesit dhe lodhjen.

Ftesat nisën të pakësohen dhe mesazhet e thirrjet u kufizuan – por ishte ky moment, kur shoqëritë e mia të vërteta e të përhershme filluan të ndriçojnë. Kjo ishte koha kur u testuan miqësitë e përjetëshme dhe kur unë nisa t’i çmoja marrëdhëniet e vërteta që kisha.

Në fillim, sa isha bërë nënë, koha dhe energjia ime harxhoheshin për ta rritur një njeri të vockël. Papritmas, gjërat që i kisha të rëndësishme më herët u shndërruan në një kujtim të largët dhe tani kisha shumë nevojë për shoqe të cilat e kuptonin botën time të re. Tani nuk më tërhiqte drama e thashethemet shoqërore dhe u bëra shumë më e vetëdijshme për njerëzit që lejoja të hynin në jetën time.

Kisha shumë nevojë për një nënë tjetër që të më kuptonte dhe të mund ta pyesja: “A është normale kjo?”, pa më gjykuar. Dikush e kuptoi këtë. Duke qenë se amësia të maturon në njëfarë mënyre, mendoj se është e natyrshme të tërqihesh drejt tjerëve që e ndajnë këtë ndjenjë.

Ne duam dhe kemi nevojë të lidhemi me të tjerë që kalojnë në të njejtat përvoja. Që të mos ndihemi të vetmuar. Që të ndihemi normal. Që të ndihemi të vlerësuar. Tani, kam pak miqësi, por ato janë të pasura.

Gratë që sot ulen në tavolinë me mua, janë shumë tepër se thjesht shoqe. Ne qajmë, qeshim, e ngrisim dhe e përkrahim njëra tjetrën.
Këto gra më shkruajnë dhe lajmërohen për të pyetur si jam.
Këto gra më sjelin kafe, thjesht ashtu pa ndonjë arsye.
Këto gra më mundësojnë të kaloj kohë vet, duke organizuar takime për të luajtur me fëmijët.
Këto gra ndajnë kohë për qenë bashk e për t’i thelluar miqësitë.
Këto gra ndihmojnë kur dikush në grup është e lënduar.
Këto gra i ndajnë rrëfimet e veta me mua, të mirat e të këqiat, gëzimet e sfidat e amësisë.
Këto gra më udhëzojnë, më japin këshilla dhe më frymëzojnë.
Këto gra i përjetojnë të njejtat sfida dhe emocione duke rritur fëmijët e tyre, dhe për këtë arsye më thjesht më kuptojnë. E kuptojnë kur harroj t’i përgjigjem një mesazhi ose kur jam shumë e lodhur për të dalur bashk.
Këto gra janë familja ime, dhe më kanë mësuar se si duket miqësia e vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat