Kujdesi ndaj lëkurës, mitet dhe të vërtetat

Life style

Kujdesi ndaj lëkurës, mitet dhe të vërtetat

Më: 18 nëntor 2020 Në ora: 14:52
Foto Ilustrim

Industria e kujdesit të lëkurës bazohet mbi raporte të caktuara të artit, shkencës, marketingut dhe miteve. Disa prej tyre kanë qenë prej shekujsh pjesë e kulturave të ndryshme, megjithëse asnjëherë nuk janë konfirmuar në mënyrë shkencore, apo nuk janë bazuar mbi fakte të vërteta.

Ja disa prej miteve të krijuara mbi kujdesin e lëkurës

Kremrat e shtrenjtë antirrudhë janë më të efektshëm për rinimin e lëkurës
Deri vonë është reklamuar një efekt i tillë për preparatet me retinol dhe vitaminë A. Kjo arrihet duke shkaktuar një inflamacion të lehtë të lëkurës, që shkakton ënjtje dhe fryrje, kështu që rrudhat janë më pak të dukshme. Për ta përmbledhur, nuk ka kremra ose trajtime anti-plakje të efektshme që të mos kenë efekte anësore të rëndësishme.

Kolagjeni dhe elastina mund të zëvendësohen me anë të kremrave ose serumeve.
Me kalimin e kohës të dy këta përbërës ulen në sasi dhe në cilësi dhe kjo mund të demonstrohet shumë lehtë duke pickuar lëkurën në pjesën e sipërme të dorës dhe shihni se sa kollaj e rimerr formën lëkura e njerëzve të rinj krahasuar me personat më të moshuar, ose që kanë një lëkurë të plakur nga rrezatimi i shtuar diellor. Edhe sikur këto substanca të përpunohen kimikisht në forma të tilla që të mund të përthithen nga lëkura dhe të kalojnë në gjak, është ende shumë e dyshimtë sesi këto mund të depozitohen në vendin e duhur.

Përdorimi i produkteve kozmetike pengon frymëmarrjen e lëkurës

Një krem i trashë ose mbingarkimi me pudër mund të pengojë disi funksionet eliminuese dhe përthithëse të lëkurës, por ato nuk pengojnë ushqyerjen me oksigjen. Nga ana tjetër këto kremra me elementë hidrantë dhe filtra mbrojtës nga dielli kanë një rol pozitiv mbrojtës, përveç efektit parësor të mbulimit të shenjave, sëmundjeve të lëkurës, ose pamjes së pëlqyeshme kozmetike që japin.

Lëkura e yndyrshme krijon akne gjatë përdorimit të kremrave

Shumë prej nesh nuk përdorin kremra hidratantë në fytyrë, sepse pretendojnë që lëkura e tyre është e yndyrshme. Jo vetëm që këto kremra nuk rrisin sasinë e yndyrës së prodhuar, por kanë efekte pozitive në lëkurë.

Saunat dhe banjat e avullit bëjnë mirë për lëkurën

Saunat të ndihmojnë për të rënë në peshë. Kjo ka qenë ideja më e përhapur në lidhje me këto trajtime, por tashmë dihet që kjo rënie i dedikohet sasisë së humbur të ujit në organizëm me anë të djersës, sasi kjo që rimerret menjëherë me anë të pirjes së ujit. Nuk duhet të nënvlerësohet ndikimi shumë pozitiv që kanë saunat në anën psikologjike, por sa i përket pastrimit të lëkurës ato ofrojnë pak. Tek fëmijët dhe të moshuarit me probleme kardiake saunat mund të jenë shumë të rrezikshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat