Nuk kam intimitet?

Life style

Nuk kam intimitet?

Nga: Denata Toçe Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 15:42
Ilustrim

Jam e martuar prej pak kohësh, por nuk kam as ndjenja dhe as marrëdhënie intime. Jam vizituar te psikologët më të mirë dhe testet më kanë dalë në rregull. Nuk e di ku qëndron problemi dhe si të veproj?

E dashur lexuese, nuk e di se çfarë testesh psikologjike keni bërë për të konfirmuar se gjithçka është në rregull, por ajo që shkruani ju është e qartë për të reflektuar përtej testeve psikologjike. Ju vetë pohoni se nuk keni ndjenja dhe nuk arrini të konsumoni një marrëdhënie intime. Përpara se të mendoni marrëdhënien brenda kësaj martese, reflektoni për marrëdhënien që keni patur më përpara. A keni pasur ndjenja për personin që keni në krahë? A keni konsumuar marrëdhënie intime me të më përpara? Mos ndoshta marrëdhënia e konsumuar më parë, tashmë ka treguar se ju nuk e dëshironi më partnerin tuaj?

Përpara se të kuptoni më shumë, të dy së bashku do të duhet t’i nënshtroheni një konsulte në çift. Po le të marrim në konsideratë alternativë tjetër. Nëse ju nuk keni qenë më parë bashkë për të konsumuar marrëdhënien dhe se martesa është celebrimi më i ri i marrëdhënies suaj, a jeni martuar me këtë partner se e doni? Apo jeni martuar për të plotësuar skemën sociale dhe familjare, pra keni kënaqur dëshirat e njerëzve që ju i doni dhe i respektoni? Po të jetë kështu, sërish do të duhet të konsultoheni në çift.

Në të dyja rastet, mendoj se respekti, ndjenja e dashurisë më e madhe fillon nga vetvetja. Respektojeni atë dhe krijoni një marrëdhënie të ngushtë me veten tuaj të brendshme për të bërë hapa që janë në harmoni me ju. Kështu do të përfitoni ndjenjën që mendoni se e keni humbur, por ndoshta me partnerin e ardhshëm. Por mbi të gjitha, përfitoni sa më shumë të jetë e mundur nga ndjenja për veten tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat