Sekretet e atyre që e kanë shtëpinë gjithmonë të pastër

Life style

Sekretet e atyre që e kanë shtëpinë gjithmonë të pastër

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 10:01
Foto ilustrim

Thuajse të gjithë kemi pasur rastin të njihemi me një familje që shtëpinë e kanë gjithmonë të pastër dhe të rregullt. Sigurisht jemi habitur, por edhe jemi bërë kuriozë. Si ia arrijnë? Duket se ata kanë disa sekrete

Femrat sidomos e kanë medoemos atë lloj shoqeje: kur futesh në shtëpinë e saj çdo gjë është në vendin e vet, sipërfaqet xixëllojnë dhe banja është gjithmonë pa një të metë në këtë drejtim. Besonim se këta persona ishin si Monika e serialit “Friends”: gjenetikisht të programuar ndaj pasionit për pastërtinë. Imagjinonim se do të kishin një program strikt me të paktën një orë punë çdo mbrëmje dhe disa orë për pastrime të thella përgjatë fundjavës. Mbajtjen pastër të shtëpisë e konsideronim gjithmonë si diçka për të cilën nuk kishim as kohë dhe as energji. Por duhet të dimë se jeta është më e thjeshtë. Ekzistojnë disa truke në fakt, nëpërmjet të cilave mund ta mbani shtëpinë të rregullt për të paktën 80 për qind të kohës. Ja atëherë sekretet e personave që e kanë shtëpinë gjithmonë të pastër.

E njohin ndryshimin mes rregullsisë dhe pastërtisë

Një shtëpi mund të jetë e pastër nëse edhe sipërfaqet dhe dyshemeja janë të pastruara shumë, mobiliet dhe tapetet janë shkundur dhe banjat shkëlqejnë. Por nëse ka rroba të hedhura mbi krevat dhe lodra të përhapura mbi dysheme, pirgje librash dhe gazetash kudo, ajo shtëpi nuk do të ketë një pamje të pastër, sepse nuk është e rregullt. Pra ju do të arrini të ndiheni mirë kur shtëpia juaj është e rregullt, pavarësisht se nuk është e pastër; imagjinojeni kur të jetë edhe e rregullt, edhe e pastër.

Vënien e rregullit e kanë një zakon të përditshëm

Kushdo që ka një shtëpi gjithmonë të pastër nuk pret momentin në të cilin të “shpërthejë një bombë”, për të sabotuar gjithçka e për t’ia nisur nga fillimi pastrimit me themeli. Ata kanë një rutinë për të mbajtur në rregull çdo dhomë të shtëpisë. Kjo do të thotë që të vini në vend jastëkët, të rregulloni mbulesat e divaneve në sallon, t’u thoni fëmijëve që t’i vënë lodrat në vendet e tyre, gjithashtu edhe rrobat.

Pastrojnë “në çast”

Përveçse janë mësuar të vendosin rregull gjithmonë, këta persona pastrojnë në çast diçka që e bëjnë pis. I lajnë pjatat menjëherë pas darkës, pastrojnë tualetin përpara se të nisë dita tjetër dhe fshijnë thërrimet në dysheme, pasi kanë ngrënë ndonjë gjë të vogël. Kështu ata në fundjavë pastrojnë sipërfaqe më të mëdha, por sigurisht duke harxhuar më pak kohë dhe energji sesa ne që ndoshta i lëmë punët e shtëpisë për në fundjavë.

Grumbullojnë më pak rroba

Një shtëpi do të duket më shumë e rrëmujshme nëse nëpër të keni rroba të hedhura sa andej-këtej. Ata që e kanë gjithmonë të rregullt dhe të pastër shtëpinë e tyre, në dollap nuk mbajnë rroba që s’i veshin ndonjëherë. Pra seleksionojini ato. Më pas palosini mirë dhe vendosini sipas rasteve që i vishni, ndërkohë krijoni një vend të posaçëm për ato veshje që do t’i vishni sërish, pasi i keni veshur një ditë, sigurisht para se t’i lani.

Kanë një sirtar me lloj-lloj gjërash

Sepse askush nuk është perfekt dhe se nuk ka një vend specifik për çdo gjë. Kjo është e vërteta e patjetërsueshme. Për shembull, kur në shtëpi vjen një mik i papritur, disa gjëra mund të fshihen menjëherë në ndonjë sirtar dhe t’i lini aty për pak kohë. Ky zakon është i thjeshtë dhe i dobishëm dhe do t’ju marrë më pak kohë nga se e besoni. Madje në fillim do t’ju hanë shumë pak kohë, të paktën nëse doni të keni gjithmonë një shtëpi të pastër në dukje. Për më tepër, nëse keni fëmijë, kjo gjë do t’ju vijë shumë në ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat