Gratë vuajnë më shumë nga pagjumësia, sidomos gjatë pandemisë

Life style

Gratë vuajnë më shumë nga pagjumësia, sidomos gjatë pandemisë

Më: 28 dhjetor 2020 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Nëse po keni probleme të flini gjatë natës, më shumë se anëtarët meshkujt të familjes suaj, sidomos gjatë pandemisë, atëherë dijeni se nuk jeni e vetmja. Edhe në rrethana normale, gratë vuajnë nga pagjumësia më shumë se pjesa tjetër e popullsisë.

Me stresin dhe përgjegjësitë e shtuara nga pandemia, gjumi i grave vetëm shkon duke u përkeqësuar, bënë të ditur Shoqata për Hulumtime Shëndetësore të Grave.

Nga gjysma e muajit shkurt e deri tek mesi i marsit, numri i recetave të mjekut të lëshuara për pacientet gra, kundër ankthit, depresionit dhe pagjumësisë, është rritur për 39 për qind.

Derisa pandemia e koronavirusit po vazhdon edhe gjatë dimrit, askush nuk po mund të flejë mirë natën, por kjo vlen më shumë për këtë pjesë të popullsisë, dhe atë për arsye të ndryshme.

Disa nga deficitet e gjumit ka gjasa të jenë biologjike. Gratë kanë problem të flenë edhe gjatë periudhës së ciklit menstrual. Pagjumësia është e zakonshme edhe tek shtatzënat, dhe gratë që vuajnë nga gjendje tjera shëndetësore. Rol të madh në një gjumë jo të rehatshëm tek gratë, e luajnë edhe çrregullimet hormonale, të cilat ndikojnë edhe në shëndetin e tyre mendor. Me shtimin e ankthit, stresit dhe panikut, gratë qëndrojnë më gjatë zgjuar gjatë natës, krahasuar me anëtarët e tjerë të familjes.

Sipas mjekëve, trurit të grave i duhet më shumë kohë për ta prodhuar hormonin serotoninë, që ndikon në ngritjen e disponimit. Prandaj simptomat e ankthit dhe depresionit mund të zgjasin më gjatë tek gratë, veçanërisht para gjumit.

Sado e vështirë të jetë për ta ruajtur një orar të rregullt të gjumit, duhet ta dini se ky është faktori kyç për pushim të plotë fizik dhe psikik, si dhe për një gjumë të shëndoshë. Sipas ekspertëve është e domosdoshme t’i bëni të paktën shtatë orë gjumë.

Krijimi i një ambienti të shëndetshëm është po ashtu i rëndësishëm për gjumin. Kjo nënkupton t’i shmangeni pajisjet elektronike, që ju ngarkojnë me lajme të këqija para së të flini. Nëse dëshironi të shikoni TV, mund të bëni këtë, por preferohet më shumë të lexoni ndonjë libër, të meditoni apo të bëni tush të nxehtë.

Edhe dieta dhe ushtrimet fizike luajnë rol të rëndësishëm për një gjumë të mirë, përfshirë këtu edhe shmangien e konsumimit të alkoolit, sidomos në orët e vonshme të natës.

Pra, përqendrohuni në sa më shumë zakone të shëndetshme jetësore, sepse ato vërtetë bëjnë ndryshime pozitive në kualitetin e gjumit tuaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat