“Big picture thinking” ju ndihmon që të keni sukses në punë

Life style

“Big picture thinking” ju ndihmon që të keni sukses në punë

Më: 3 janar 2021 Në ora: 22:50
Foto ilustrim

Njerëzit e suksesshëm janë në gjendje të shohin “big picture” (tablonë e plotë). Ata e dinë mënyrën më të mirë për të pasur ndikim – tek ekipi i tyre, te kompania për të cilën punojnë, madje edhe në botë.

Zhvillimi i kësaj vetëdije është më i thjeshtë se sa mund të duket. Sipas disa drejtuesve dhe ekspertëve, çështja lidhet me një pyetje themelore, së cilës çdo profesionist ambicioz duhet të jetë në gjendje t’i japë përgjigje: Cili është qëllimi i kompanisë sime?

Dhe, pyetja që vjen më pas, është: në ç’mënyrë, puna ime ndihmon në arritjen e këtij qëllimi? Pasi ta keni të qartë raportin mes këtyre dy gjërave, do të jeni një aset me vlerë më të madhe për sipërmarrjen dhe për të gjithë sektorin.

Nëse kuptoni arsyen e ekzistencës së punës suaj do të bëheni punonjës më i mirë

Nuk ka rëndësi nëse punoni në sektorin e shitjeve, rekrutimit apo çfarëdo lloj gjëje. Sipas Martha Delehanty, zëvendëspresidente në Verizon, përgjegjëse për menaxhimin e personelit, duke ditur me saktësi arsyen se pse duhet të shkoni në punë, çdo ditë, do t’ju motivojë të jeni më produktivë. Ky është një fenomen me të cilin ajo është përballur duke punuar, prej më shumë se 20 vjetësh, në drejtimin e Burimeve Njerëzore të Verizon.

“Gjetja e një arsyeje se pse ekziston kompania dhe mënyrës se si ajo gjeneron fitime – dhe të pasurit e ideve të qarta mbi këtë çështje – është ndoshta një nga fshehtat më të mëdha të suksesit”, tha Delehanty.

Vëzhgimi i saj mbështetet nga kërkime të ndryshme shkencore. Një studim i kryer nga Harvard Business School (HBS) në vitin 2014 gjeti se punonjësit e mensave në universitete u shërbenin studentëve më shpejt – dhe studentët mbeteshin më të kënaqur – kur studentët dhe punonjësit e shihnin përballë njëri – tjetrin, krahasuar me rastet kur ata nuk ishin në kontakt me njëri – tjetrin.

Një tjetër kërkim i Universitetit të Michigan, në vitin 2007, gjeti se operatorët e call center të Universitetit bënin më shumë kur kishin mundësi të njihnin përfituesit e bursave të studimit, për të cilët po përpiqeshin të mblidhnin fonde. Në të dyja rastet, punonjësit dukeshin më të motivuar për të parë rezultatet e prekshme të përpjekjeve të tyre.

Një ndër autorët e studimit mbi punonjësit e mensës shpjegoi për Harvard Business Review: “Mendoni për një punë në zyrë, ku shefi juaj ndodhet një kat më poshtë dhe ju duhet të shfletoni dokumente gjatë gjithë ditës, larg klientit”, tha profesori i HBS, Ryan Buell.

“Nëse në një moment do të shihnit se kush përfiton nga puna juaj, ndjesitë tuaja në lidhje me atë punë mund të ndryshojnë”. Kuptimi i qëllimit të detyrave që kryeni çdo ditë mund t’ju ndihmojë të keni sukses në punën tuaj, në afat të gjatë.

Neil Irwin, korrespondent i New York Times, i specializuar në ekonomi dhe autor i How to Win in a Winner-Take-All World, tha për Business Insider se kuptimi i rolit të punës suaj mund t’ju japë mundësi të “shihni atë çfarë është pas cepit”.

Më specifikisht, ju ndihmon t’u përgjigjeni pyetjeve si: Ku krijohet puna juaj? Cilat pjesë të kompanisë po e zhvillojnë atë? Cilat aktivitete mund të automatizohen apo t’u nënshtrohen presioneve të reja konkurruese? Pasi ta keni të qartë mënyrën se si kompania dhe i gjithë sektori po evoluojnë – sipas Irwin, do të kuptoni se çfarë aftësish duhet të mësoni për të ecur me hapin e kohës.

Kuptoni, para së gjithash, marrëdhënien mes punës suaj dhe asaj të drejtuesit tuaj

Për të kuptuar lidhjen mes punës suaj dhe qëllimit të kompanisë ku punoni, niseni me një hap të vogël. Hapi i parë është të kuptoni marrëdhënien mes punës që bëni dhe asaj të drejtuesit tuaj.

Lea McLeod këshillon në faqen The Muse se si t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje: Cila është gjëja ndaj së cilës shefi juaj është më shumë i interesuar? Mund të jetë numri i orëve që duhet t’ju paguajë apo ndoshta numri i klientëve të rinj. Cilado që të jetë përgjigjja, sipas McLeod mund t’ju ndihmojë “të shihni me saktësi rolin tuaj dhe atë të ekipit tuaj brenda tablosë së plotë”.

Mënyra më e mirë për të marrë këtë informacion është e thjeshtë: kërkojini drejtpërdrejt drejtuesit tuaj se cilat janë përparësitë e tij. Ish-punonjësja e Google dhe ish-drejtuese në Facebook, Libby Leffer, këshillon punonjësit e rinj që të verifikojnë nëse objektivat e tyre janë në linjë me ato të drejtuesve.

“Këto janë gjërat që, sipas mendimit tim, duhet të përqendrohemi në muajt e ardhshëm. A janë në përputhje me pritshmëritë mbi drejtimin se ku duhet të shkojmë?”. Ish-drejtuesi i Burimeve Njerëzore në Google, Justin Angsuwat, ka thënë kohë më parë për Business Insider se “mënyra më e mirë për t’i bërë përshtypje drejtuesit tuaj është t’i tregoni se jeni në gjendje t’u jepni përparësi gjërave që kanë më shumë rëndësi dhe t’i shndërroni në veprim në mënyrën e duhur”.

Përtej pagës dhe përfitimeve – thotë drejtuesja e Burimeve Njerëzore në Verizon, Delehanty – perceptimi se “puna ime është e lidhur me diçka më të madhe se unë” përbën sot “një pjesë më të madhe të employee value proposition”. Morali i gjithë kësaj është: kuptoni se cila është lidhja juaj me misionin e kompanisë dhe jo vetëm që do të bëni më shumë, por do të ndiheni edhe më të përfshirë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat